Ne rrjet

“Dejton 2”, por këtë herë për Kosovën?

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka hyrë në fazën finale. Pikërisht në këtë fazë është hapur një “kapitull” i ri, që deri më tani konsiderohej i mbyllur; ndryshimi i kufijve.

Nëse në Beograd kjo ide është mbajtur e gjallë që prej fundit të konfliktit të armatosur, në mjedisin politik dhe publik mbarëshqiptarë kjo ide u hodh për herë të parë dhe vazhdon të mbrohet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Duke qenë se një marrëveshje për ndryshim kufijsh do të përkthehej edhe në një njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, në publikun serb kjo tezë nuk ka shumë mbështetës, por në media kanë qarkulluar disa skenarë se si mund të ndryshojë vija ndarëse mes shqiptarëve dhe Kosovës. E përbashkëta e këtyre skenarëve serbë është se të gjithë e bëjnë pjesë të Serbisë veriun e Kosovës.

Por, dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimit Europian dhe aleatët perëndimorë të Kosovës. Sinjalet e përcjella prej tyre janë të qarta; jo ndryshim kufijsh. Kancelarja gjermane e hodhi poshtë këtë ide, e po ashtu edhe Britania e Madhe. Shtetet e Bashkuara zyrtarisht nuk e kanë komentuar prerazi, por analisti Daniel Serwer shprehet i bindur se në fund, Uashingtoni do të thotë një “Jo” të fortë për këtë çështje.

Këtij skenari duket si tremben në Beograd dhe tashmë është rihedhur në qarkullim ideja e mbajtjes së një konferencë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, e ngjashme me “Dejtonin”, ku u vendos për  Bosnjën. Në këtë skenar të pranishme në dialog do të ishin edhe Rusia me Kinën, veç SHBA dhe Bashkimit Europian. Ideja është e Rasim Ljajiç, ministër i Tregtisë, Telekomunikacionit dhe Turizmit në Serbi.

“Është e domosdoshme që të balancohet presioni i Bashkimit Europian dhe i Shteteve të Bashkuara, presion që gjatë gjithë kësaj kohe është përqendruar në Beograd. Mungesa e vullnetit politik në Prishtinë për të gjetur një kompromis, në këtë fazë kërkon një qasje tjetër nga ana e komunitetit ndërkombëtar, një qasje që do të dërgonte një sinjal të qartë se zgjidhjet ku njëra palë fiton gjithçka dhe tjetra asgjë, nuk zgjasin. Mendoj se një zgjidhje mund të gjendet përmes një konference “Dejton 2””, deklaron Rasim Ljajiç për gazetën Novosti.

Ideja e Ljajic është e vjetër dhe po aq të vjetër ka edhe mbështetësit. Një prej tyre është edhe Dragoljub Micunoviç, një profesor serb, që një format të ngjashëm bisedimesh ka kërkuar në vitin 2011.

“Kjo është e vetmja rrugë që do të zgjidhte problemet mes serbëve dhe shqiptarëve, por edhe përplasjet e tensionet mes anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit për këtë çështje”, thotë ai.

Aleksandër Gajiç, nga Instituti i Studimeve Europiane mendon se vetëm BE është paaftë që t’u imponojë palëve një marrëveshje finale.

“Për këtë mendoj se zgjidhja do të gjendet tek dialogu nën mbikëqyrjen e OKB. Një konferencë ndërkombëtare sipas rezolutës 1244 me nismën e Këshillit të Sigurimit dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të përhershëm të këtij Këshilli nuk përjashtohet”, mendon ai.

Në artikullin e saj, gazeta Novosti analizon edhe skenarin e një marrëveshjeje të mundshme mes dy vendeve.

“Edhe nëse Prishtina dhe Beogradi do të arrinin një marrëveshje finale, para se ta firmosnin atë do të njoftonin vendet aleate, që nga SHBA, Gjermania apo Rusia, të cilat do të vendosin nëse marrëveshja në fjalë nuk cenon interesat e tyre”, thotë Aleksandra Joksimoviç, Presidente e Qendrës për Politika të Jashtme në Beograd.

Në kendvështrimin e këtyre analizave të serbëve, çdo rrugë të çon në një konferencë ndërkombëtare nën patronazhin e OKB-së, e ngjashme me atë të dhjetorit të vitit 1995 të nënshkruar në Dejton, që i dha fund konfliktit në Bosnje.

Por, çfarë është “Dejton 1”?

Bisedimet për shuarjen e luftërave që kishin shpërthyer në ish-Jugosllavi mes serbëve, kroatëve dhe boshnjakëve nisën që në vitin 1992, por vetëm tre vite më vonë u firmos një marrëveshje që mbyllte konfliktin dhe vendosi kufijtë dhe ndarjen e Bosnjes në tre republika të ndryshme, atë serbe, boshnjake dhe kroate.

Palë të përfshira drejtpërdrejtë në këtë marrëveshje ishin Jugosllavia e asaj periudhe, që përfaqësohej nga Sllobodan Millosheviç, Bosnja, që përfaqësohej nga Alija Izetbegoviç dhe Kroacia që përfaqësohej me Franjo Tuxhman.

Tre palët në konflikt u ulën nën patronazhin e vendeve më të fuqishme ndërkombëtare dhe po këto vende ishin garantuesit e zbatimit të kësaj ujdie. Në total ishin pesë vende, SHBA me Bill Clinton, Franca me Jacques Chirac, Britania e Madhe me John Major, Gjermania me Helmut Kohl dhe Rusia me Viktor Chernomyrdin. Bashkimi Europian ishte i pranishëm në rolin e vëzhguesit dhe palës së interesuar.

Përmbajtja e dokumentit përcaktoi Bosnjen një shtet federal, në përbërje të të cilit ishte edhe Republika Srpska. Aq në detaje hyn marrëveshja e Dejtonit, saqë parashikon edhe nivelin e decentralizimit të shtetit të ri, një decentralizim që sot shihet si pengesa kryesore për boshnjakët në përpjekjen për reforma dhe rrugën e tyre drejt Bashkimit Europian.

 

Më Shumë