Futboll

David Silva përshëndetet me Spanjën i përlotur

Me njoftimin për tërheqjen nga kombëtarja e Spanjës, David Silva u nderua me një prezantim të veçantë. Mesfushorit spanjoll i është dedikuar një ceremoni e veçantë përpara ndeshjes miqësore të së dielës kundër Bosnjë-Hercegovinës. Fantazisti që vijon karrierën e tij te Manchester City u tërhoq nga kombëtarja iberike pas një karriere të shkëlqyer në të cilën ai fitoi një Kupë Botërore dhe dy Kampionate Evropiane. Silva u paraqit në fushën e stadiumit “Estadio de Gran Canaria” dhe u paraqit me një fanellë përkujtimore të Spanjës me numrin 125 për të treguar ndeshjet. Përveç lamtumirës dhe koreve të tifozëve, momenti më emocionues për Silvën, ishte kur në fushë atij iu bashkua djali 10-vjeçar Mateo, madje në një moment emocionet e përlotën futbollistin. Ky i fundit u bë shumë i njohur për shkak të sëmundjes së rrallë dhe problemeve shëndetësore që pati kur ishte i porsalindur.

Pas disa fjalëve dhe fotove me djalin dhe zyrtarë e futbollistë, Silva shkoi në qendër të fushës për ta shkelmuar topin për herë të fundit si lojtarë i ekipit kombëtar të Spanjës. Pas Xavi, Iniesta, Fabregas dhe Xabi Alonso, David Silva është mesfushori i radhës që largohet nga kombëtarja spanjolle duke i dhënë fund atij brezi që çoi në majën e botës si asnjëherë më parë Spanjën, duke lënë gjurmë në histori.

Trajneri i Spanjës Luis Enrique përshëndeti mesfushorin përpara se të largohej. "Unë e kuptoj arsyet e David Silva për t’u larguar. Unë jam i përqendruar në të tashmen dhe tani po mendoj vetëm për ekipin tim. Si lojtar, ai është unik. Ai është një emblemë e ekipit kombëtar për atë që ai ka arritur. Kurrë nuk kemi dëgjuar një fjalë të keqe për të në dhomat e zhveshjes.”- tha Enrique në një konferencë për shtyp para ndeshjes me Bosnjen.
Silva bëri debutimin e tij me kombëtaren e Spanjës, kundër Rumanisë në 2006 dhe shënoi 35 gola në karrierën e tij 12-vjeçare ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë