Biznes

DASH: Korrupsioni endemik, mungesa e transparencës e pronat, problemet madhore të biznesit

Korrupsioni endemik, sidomos në sistemin e drejtësisë, mungesa e transparencës në tendera dhe problemet me titujt e pronësisë dhe mbivendosja e tyre janë shqetësimet e ngritura edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që publikoi së fundmi raportin vjetor për klimën e biznesit në Shqipëri.

“Kuadri ligjor e rregullator dhe sistemi llogaridhënës janë përmirësuar vitet e fundit në Shqipëri, por sërish ka shumë sfida serioze. Korrupsioni endemik, zbatimi i padrejtë dhe i pabarabartë i ligjit, burokracia e pavolitshme dhe mungesa e transparencës, që të gjitha shqetësojnë komunitetin e biznesit”, thuhet në raport.

DASH vëren si pozitive përpjekjet dhe përparimin domethënës të bërë në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve për biznesit, ku u ofrohet 61 për qind e tyre online pëmres portalit e-Albania. Raporti thekson se brenda vitit, Shqipëria synon që të ofrojë online 91 për qind të këtyre shërbimeve, që në vlerësimin amerikan do të ulë korrupsionin përmes eleminimit të kontakteve të drejtpërdrejta me zyrtarët e administratës.

Megjithatë, perceptimi i biznesit për klimën është i zymtë.

“Pavarësisht kuadrit ligjor tërheqës dhe progresit në e-Reformat, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata citojnë korrupsioni, sidomos në sistemin e drejtësisë, mungesën e transparencës në tenderat publikë dhe zbatim i dobët i kontratave si një problem të vazhdueshëm”, vijon raporti.

DASH thotë se korrupsioni me tenderat është i zakonshëm dhe vë theksin tek kontratat PPP si një pengesë për investirorët e huaj.

“Raportimet e korrupsionit me tenderat e qeverisë është i zakonshëm. Rritja e numrit të kontratave PPP ka reduktuar mundësinë për konkurrencë, përfshirë edhe nga investirorët e huaj në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobta kosto-përfitim i këtyre kontratave dhe mungesa e një ekspertize teknike në hartimin dhe monitorimin e tyre janë shqetësime të vazhdueshme”, theksohet në raport.

Duke iu referuar përplasjeve për “Duty Free” në Aeroportin e Rinasit, DASH thekson se pre e vendimeve korruptive dhe arbitrare kanë rënë edhe investitorët amerikanë.

“Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe praktika informale. Disa investitorë janë përplasur vazhdimisht për çështje biznesi si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, përfshirë këtu edhe disa që i janë drejtuar Arbitrazhit. Në 2019 dhe 2020, përjekja e një kompania amerikane për të investuar në Shqipëri u minua nga një sërë vendimesh gjyqësore të dyshimta”, thotë DASH.

Në lidhje me pronat, DASH u kujton investitorëve amerikanë që planifikojnë të investojnë në Shqipëri problematikën e thellë e të trashëguar prej vitesh.

“Të drejtat e pronësisë mbeten ende sfiduese në Shqipëri, pasi marrja e një titulli të plotë e të qartë është e vështirë. Ka pasur raste kur persona të caktuar kanë manipuluar sistemin e drejtësisë për të përfituar në mënyrë të paligjshme tituj pronësie. Edhe procesi i kompensimit është i pavolitshëm, joefikas dhe i papërshtatshëm”, thekson raporti.

DASH thotë se edhe procesi hartues dhe ligjvënës plotësojnë kërkesat minimale të transparencës, ndërsa thekson se biznesi ankohet shpesh se në versionet finale të ligjeve nuk reflektohen propozimet dhe shqetësimet e tyre, ndërsa identifikojnë edhe faktorët kryesore të klimës së vështirë të biznesit.

“Grupet e biznesit kanë ngritur shqetësime mbi konkurrencën e pandershme dhe monopolet, si çështje që dëmtojnë më fort klimën e biznesit në Shqipëri”, thekson raporti.

Më tej SHBA citon parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për tkurrjen ekonomike të këtij viti si pasojë e krizës së tërmetit dhe pandemisë dhe citon parashikimet për rritje me 8 për qind vitin e ardhshëm, ku sipas raportit të amerikanëve, pjesa më e madhe do të mbërrijë nga rritja e konsumit dhe shpenzimeve në kuadër të programit të rindërtimit.

Gjithsesi, për investitorët që sërish kanë ndërmend të investojnë në Shqipëri, SHBA këshillon që në kontratat që do të lidhin qoftë me sektorin publik, qoftë me sektorin privat në Shqipëri, gjithmonë të parashikojnë në kontratat e tyre që për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve t’u drejtohen gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit.

DASH thotë gjithashtu se edhe ndryshimet në Qeveri mund të prekin investimet e huaja. Për këtë, raporti citon çfarë ndodhi pas 2013.

“Pas zgjedhjeve të 2013 dhe tranzicionit paqësor të pushtetit, Qeveria e re revokoi, ose rinegocioi një sërë koncesionet, marrëveshjesh, licencash dhe kontrata të nënshkruara nga qeveria e mëparshme, si me investitorët vendas, ashtu edhe me të huaj. Kjo praktikë është vënë re edhe në vite të tjera”, thekson DASH.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë