Politike

Raporti i DASH, Meta: SPAK duhet të niste hetimet prej muajsh për shkeljet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka bërë një përmbledhje të hollësishme raportit të fundit të DASH për klimën e biznesit në Shqipëri.

“Shqipëria perceptohet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit si vendi me korrupsionin më të lartë në Ballkanin Perëndimor, ku klima mbytëse e të bërit biznes është përkeqësuar nga vendimet arbitrare e politikat fiskale jo transparente dhe klienteliste që cenojnë konkurrencën dhe sipërmarrjen e lirë...

Sjell në vëmendje se shumë dekrete për kthimin e ligjeve që denoncojnë antikushtetutshmërinë e tyre, cenimin e interesit publik e kombëtar, si dhe cenimin e financave të shtetit me ligje speciale me efekt favorizues për një grup të caktuar individësh janë rrëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Procesi ligjbërës po shpërdorohet haptazi, në mënyrën më flagrante të mundshme, ku tashmë nuk po shkelet ligji për të kryer favore, por po bëhen ligje të posaçme për t`i realizuar ato...”, nënvizon Meta në faqen e tij Facebook.

Për arsyet sa më sipër, Meta shkruan se i ka bërë thirrje publike prej muajsh “Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) të nisë hetimet për të gjitha procedurat e propozimit dhe shqyrtimit të këtyre ligjeve për të vënë përpara përgjegjësisë autorët, të cilët përmes ligjit duan të përmbushin qëllimet e tyre favorizuese klienteliste”.

“Ende nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe ende nuk ka asnjë hetim! Procesi ligjbërës dhe interesat klienteliste nuk mund të fusin në qorrsokak procesin e integrimit dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është koha që shqiptarët të marrin në dorë fatet e tyre”, shkruan Meta


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë