Politike

Tabaku: Korrupsioni ka përfshirë gjithë qeverinë

Jorida Tabaku deklaroi të enjten se raporti i fundit i DASH e nxjerr Shqipërinë vendin më të korruptuar në Europë.

“Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit vë në dukje se korrupsioni endemik ka përfshirë çdo strukturë të qeverisë dhe e ka kthyer Shqipërinë në vendin më të korruptuar në Europë dhe rajon.

Shqipëria konsiderohet nga bizneset amerikane si vendi më pak i përshtatshëm si pasojë e korrupsionit.

Tenderat dhe koncesionet dhe kontratat korruptive të PPP-ve janë kthyer në kryefjalën e shqetësimeve të çdo sipërmarrësi vendas apo të huaj. Këto kontrata prishin dhe shkatërrojnë tregun e lirë dhe konkurrencën e ndershme, pasi hartohen duke pasur parasysh vetëm përfitimin personal të qeveritarëve”, tha Tabaku.

Më tej ajo shtoi: “Raporti thekson raste konkrete të bizneseve amerikane, që janë larguar si rezultat i korrupsionit qeveritar me të cilin janë përballur. Qeveria ka qenë armiqësore ndaj investimeve të tilla, ka favorizuar korrupsionin përballë investimeve të partnerëve strategjikë të vendit”.

“Për t’i dhënë një frymë dhe shpresë Shqipërisë në Punë, Partia Demokratike ka në bazë të programit të saj konkurrencën e lirë dhe rikthimin e saj në çdo sektor dhe treg, taksën e sheshtë 9% e cila do të rrisë investimet e huaja dhe vendase, mundësi për të gjithë ata që duan të punojnë ndershmërisht, një shtet të drejtë dhe jo pengues për biznesin”, tha Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë