Më të mirat 2022

Dajat nuk bëjnë më ‘zhurmë’ në dasmat dibrane

Martesa e cila gjithmonë është sjellë si “institucion” nga kanuni i zonës, sot po anashkalon një sërë etapash që dikur zinin fill që nga shkesi, kërkesa për t’u bërë miq, dhënia e fjalës, nishani i vogël e nishani i madh.

Nga Megi Iskurti - Dasmat në Dibër, që dikur merrnin ‘tipare spektakli’ me zgjatje në kohë, valle lodrash për ditë me radhë dhe zakone të shumta që kulmonin me ardhjen e nuses në shtëpi, tashmë i janë dorëzuar modernes.

Etnokultura duket se nuk po mundet t’u rezistojë ndryshimeve të kohës as në këtë zonë ku prania e dokeve, bestitnyve dhe këngëve ka argumentuar që në krye të herës origjinalitetin e këtyre dasmave në strukturën folklorike shqiptare.

Martesa e cila gjithmonë është sjellë si “institucion” nga kanuni i zonës, sot po anashkalon një sërë etapash që dikur zinin fill që nga shkesi, kërkesa për t’u bërë miq, dhënia e fjalës, nishani i vogël e nishani i madh.

Nëse dikur dasmat në Dibër dallonin ndër treva të tjera për faktin se nisnin dy javë para se nusja të vinte në shtëpi, sidomos në rastin e djalit, sot po kurorëzohen me vetëm një dasmë të përbashkët. Gjë, që rrjedhimisht ka anashkaluar edhe “ardhjen e krushqve”, një nga veçoritë që tipizonte këto dasma.

Tashmë nuk po bëhen më dy dasma, një nga ana e nuses dhe një nga e djalit, por po vendoset me konsensus për një natë të vetme.

“Prerja e paqes”, ose ndryshe caktimi i kohës së dasmës që bëhej gjithnjë nga familja e dhëndërit, në fillim të janarit ose për Shëngjergj, sot po caktohet kurdo që çiftit i duket e favorshme.

Kështu bëri dhe çifti në dasmën e fundit që isha në Dibër.

Nusja, e cila atëbotë përgatitej në “natën e bojës”, më rrefeu që tashmë nuk e konceptonte më një traditë të tillë.

Lyerjen e flokëve me këna ose me lëvozhga të njoma arre sigurisht që e kishte zëvendësuar krejtësisht me trajtimet në qendër estetike. Po njësoj, edhe “ahengun” që ndonëse me masë zgjaste për disa ditë, e kishte shmangur krejtësisht.

Edhe në dasmën e djalit, që gjithmonë ishte më e zëshme, ritualet ishin zbehur.

 Aty dasma nuk kishte filluar aq herët, siç ndodhte dikur.

Muzika, lodrat madje dhe shtënia me armë që tregonin se aty ka gëzim, nuk po ndiheshin as gjatë ditës.

Nata e miellit, dikur pikënisja e dasmës, kur dy djem të rinj nga fisi niseshin për në mulli ku mbanin me vete një degë të njomë dhe një pushkë për të lajmëruar gëzimin që kishin, sot ka mbetur vetëm në memorien e më të vjetërve.

Ajo çka më bëri habi, ishte ardhja e dajallarëve, një moment kulminant në dasmat dibrane, që ishte anashkaluar tërësisht.

Dajallarët dikur përgatiteshin mirë para se të vinin në dasmë.

 Ato vinin me lodra dhe vegla muzikore, me një viç ose disa desh (sipas mundësive ekonomike) dhe me dhurata për familjen.

Hynin në shtëpi me gjithë solemnitet, duke u rënë lodrave dhe duke kënduar pa pushim. Atyre u bëhej një respekt më i veçantë, duke u pritur jo vetëm nga fisi por edhe nga fshati.

Ndërsa sot në dasmën  dibrane, “ardhja e dajave” ishte njësoj si ardhja e të gjithë të ftuarve të tjerë, në natën e ceremonisë.

Marrja e nuses, ndër të paktat tradita që ende vijon

Edhe sot, pavarësisht se dasma kufizohet vetëm në një ceremoni të përbashkët, marrja e nuses u bë në mëngjes, siç zakoni e do.

Krushqit, me makinat e tyre të zbukuruara erdhën ta merrnin nusen  e cila u përcoll nga prindërit, shoqëruar me raki të derdhur, deri tek dera e makinës.

Nusja u prit nga vjehrra që është i pari person që e pret me dy bukë të ngrohta, për të simbolizuar bereqetin, një unazë në dorë dhe mjaltë të freskët në mënyrë që të këtë harmoni dhe dashuri me ardhjen e saj.

Ndër këngët tipike që iu kënduan, për të shprehur faktin që janë martuar me dashuri por edhe për ta lavdëruar ishte:

“O moj nuse moj devlete

Djalin tonë ku e gjete?

E pe tuj shku nga daja

Në djalin tonë të ra sevdaja

Gjithë katundeve qark u rash,

Si nusja jonë kërrkund nuk pash,

Si për hije, si për mend, cucë e bukur si s’ka vend”.

Më tej u bë “mbyllja e dhëndrit në dhomë”, që simbolizon dhe fundin e beqarisë, ku nga jashtë derës shokët e goditën me mirëdashje.

Brenda dhomës (odës) ai ishte i detyruar të bëjë nusen të flasë , sepse përndryshe “bëhen fëmijët shurdhë”.

Më tej, si dikur edhe sot, ishte nata e dasmës në lokal, që në Dibër i referohen me “nata e banketit”.

Radha për të kërcyer, që atëherë ishte një ndër elementet më kryesore për të respektuar secilin nga të afërmit, kësaj here ishte e lirë për të gjithë.

Vallet zgjatën për orë të tëra dhe përfunduan në fund me vallëzimin e çiftit, i cili në Dibër “mbulohet me para” nga të afërmit dhe sigurisht me bizhu floriri që familja e dhëndërit e ka për obligim t’i vendosë nuses.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë