Futboll

Daja-Gega, një sfidë trajnerësh konservatorë në Vlorë

Fatjon Rupi – Rikthehet kampionati pas ndeshjeve të Kombëtares. Java e 14-të nis me një ndeshje të fortë, Flamurtari-Partizani, që luhet të premten. Partizani kryesues shkon në Vlorë, ku Flamurtarit, një ekipi në një tranzicion të tejzgjatur, i duhet të reagojë pas humbjes në Korçë dhe të konfirmohet si një nga kandidatët më seriozë për të qenë në Kupat e Europës. Është vetëm 3 pikë larg treshes kryesuese dhe një fitore e mundshme me të kuqtë, e fut skuadrën kuqezi bindshëm në objektivin sezonal.

Në një farë mënyre, ndeshja që luhet në stadiumin “Flamurtari”, është edhe një sfidë mes trajnerëve Ilir Daja dhe Skënder Gega. Janë trajnerë që pak a shumë kanë të njëjtën filozofi, ndaj edhe ndeshja bëhet edhe më interesante. Si Daja, ashtu edhe Gega, janë shumë striktë në punën e tyre dhe nuk devijojnë aspak. Janë trajnerë konservatorë në ide dhe kërkojnë që ekipi t’u përgjigjet me përpikëri në çdo aspekt. Një strategji që u ka dhënë sukses të dyve, të paktën deri tani.

Ilir Daja, trajneri i Flamurtarit

Ilir Daja, siç e ka treguar në çdo skuadër që ka punuar, e mbështet punën e tij në një grup të reduktuar lojtarësh, 13-14 të tillë. Nuk parapëlqen të rrezikojë, përveç rasteve kur është i detyruar të ndryshojë, siç është edhe ndeshja e kësaj radhe. Flamurtari nuk ka të gatshëm brazilianin Danilo Alvesh dhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Goran Siljanovski, por më në fund është gati të luajë Kale, një lojtar që trajneri kryeqytetas mezi e ka pritur, pasi i shërben skemave të tij taktike. Në këtë ndeshje, Flamurtarit dhe Dajës i duhet trepikëshi dhe të gjitha “bateritë” e vlonjatëve do të shkarkohen në funksion të këtij objektivi, por edhe barazimi deri diku do të pranohej, duke qenë se përballë është ekipi kryesues i Superiores.

Skënder Gega, trajneri i Partizanit

Edhe trajneri i Partizanit, Skënder Gega, ndjek pak a shumë të njëjtat parime me ato të Dajës. Pak lojtarë të përdorur prej tij deri në këto javë kampionat, një zgjedhje që i ka dhënë të drejtë, sepse të kuqtë kanë më shumë pikë se të tjerët,31 pas 13 javësh. Trajneri Gega nuk bën eksperimente, pavarësisht se kundërshtarët ndryshojnë. Loja e të kuqve bazohet te treshja Mala-Asani-Bardhi, ku ky i fundit shpesh bën sulmuesin e qendrës, duke lënë në stol Hebajn dhe Mensah. Trajneri i Partizanit është i bindur se me këtë skemë mund të marrë maksimumin dhe me siguri kështu do të luajë edhe në Vlorë, ku ka një mungesë të rëndësishme, portierin Alban Hoxha, për arsye dëmtimi.

Mbrëmja e së premtes rezervon një sfidë rivalësh në Vlorë, por edhe një sfidë trajnerësh me ide të ngjashme për futbollin, Dajës dhe Gegës. “Aktin” e parë e fitoi i dyti, por në Vlorë muzika ndryshon…  

 

Më Shumë