Futboll

Cuculi dhe talenti i Juventusit për Kukësin, i prezanton vetë Gjici

Pas humbjes së thellë në Gjeorgji, trajneri i Kukësit, Armando Cungu, lëshoi alarmin për kualitetin e ekipit, duke theksuar se duheshin patjetër lojtarë më të mirë. Reagimi i presidentit Safet Gjici ka qenë i menjëhershëm dhe ka qenë ai vetë që ka prezantuar dy blerjet e reja të Kukësit, që janë vërtet interesante. Madje, ka zëra se Gjici ka në plan të sjellë në ekip edhe ish-kapitenin e Shkëndijës së Tetovës, Ferhan Hasanin. Kjo do të ishte një goditje e bujshme për Kukësin dhe kampionatin shqiptar.

Njëri nga afrimet e fundit të veriorëve është një emër i njohur në kampionatin shqiptar, Ardian Cuculi, 31-vjeçari që në sezonin 2014-2015 ka luajtur për Partizanin. Pjesa tjetër e karrierës së tij lidhet me kampionatin maqedonas, kryesisht me Shkëndijën e Tetovës, ku është aktivizuar edhe sezonin e fundit. Mbrojtësi i është bashkuar Kukësit, ku ritakohet me ish-shokun e ekipit, Nderim Nexhipin, tashmë në rolin e drejtorit sportiv të klubit verior. “Kam ardhur te Kukësi që ta ndihmoj për të arritur objektivat e tij. Kukësi e ka treguar se është ekip pretendent për titullin kampion dhe është i ndërtuar për të tilla objektiva. Jam rikthyer në Shqipëri dhe vendosa për Kukësin, sepse ishte konkret në ofertën e tij. Më bindi projekti dhe kuptohet që miqësia me Nexhipin ma bëri më të lehtë zgjedhjen”, - ka thënë gjatë prezantimit Cuculi, i cili luan si mbrojtës qendre, por edhe si mbrojtës i krahut të majtë. Për të ka pasur një interesim edhe nga Flamuratri.

Oumar Toure me drejtorin sportiv të Kukësit, Nderim Nexhipin, dhe menaxherin Elton Marini

Afrimi tjetër është një lojtar i ri, Oumar Toure. Interesant është fakti se kartonin e tij e ka Juventusi, ekipi i madh italian. Mesfushori 19-vjeçar nga Guinea i është bashkuar Kukësit, të cilin e konsideron si një trampolinë për shpërthimin e tij. Ai luan në rolin e mesfushorit shkatërrues dhe vitet e fundit është huazuar në skuadra të kategorive inferiore. “Për Kukësin jam informuar prej një muaji dhe mendoj se është një mundësi e mirë për mua. Jam gati për trajnerin dhe do të luftoj për të siguruar një vend titullari. Dua të jap kontributin tim për këtë ekip”, - u shpreh shkurt mesfushori i ri në prezantimin te Kukësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë