Politike

Çuçi i përgjigjet Berishës: S’kam biznes varkash, por shoqatë velierash për pasion

Sali Berisha ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi se zotëron një biznes mjetesh lundruese. Por, ministri Çuçi i ka hedhur poshtë akuzat. Ai thotë se e vetmja sipërmarrje e tij në këtë pjesë është ngritja e një shoqate velierash sportive për pasion.

“Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone.

I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike”, deklaroi Çuçi.

Çuçi thotë se për tragjedinë e Potamit është përpjekur që të flasë me veprime konkrete kundër fajtorëve të tragjedisë duke qëndruar larg komenteve për të respektuar dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë për rastin.

“Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij.”, thotë Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë