Njerez

“Nenet për mbrojtjen e fëmijëve ‘mbrojnë’ dhunuesit”

Organizata për mbrojtjen e fëmijëve CRCA/ECPAT Shqipëri ka bërë publik prej kohësh shqetësimin për nevojën e përmirësimit dhe plotësimit të disa neneve në kuadër të mbrojtjes së fëmijëve.

CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Barnahus Shqipëri do të ndërmarrin një proces konsultimi me institucionet publike, shoqërinë civile, ekspertët për të drejtat e fëmijëve, për rishikimin e Kodit Penal me fokus krimet seksuale, Ligjit për të Drejtat e Fëmijës, Protokollin e Profesionistëve për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna Seksuale si dhe për hapjen e diskutimeve ndërmjet profesionistëve për Kodin e Sjelljes së Profesionistëve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna.

Altin Hazizaj, Drejtori i CRCA tha gjatë tryezës së parë konsultative se dhuna seksuale është gjithmonë e në rritje dhe se problemi më i madh është se nene të ndryshme nuk i mbrojnë fëmijët plotësisht.

"Janë të parët prokurorët dhe gjyqtarët që mbrojnë dhunuesit pikërisht sepse janë disa nene të paplotësuara", thotë Hazizaj.

Sipas Hazizaj, neni 100 për mbrojtjen e fëmijëve quan dhunë seksuale vetëm në rastet kur ka penetrim ndërkohë që "dhuna seksuale ndodh në shumë forma dhe nenet për mbrojtjen e fëmijëve nuk i 'llogarisin' llojet e ndryshme të dhunës seksuale".

Një nen është edhe neni 100 i cili parashikon se “Kryerja e veprimeve apo marrëdhënies seksuale me fëmijën, që nuk ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me çdo mjet ose formë, nga i rrituri, dënohet me burgim nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet. Kur marrëdhënia seksuale kryhet me dhunë nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale dënohet me burgim jo më pak se katër vjet. Kur marrëdhënia seksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë, me një ose shumë se një fëmijë, ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë zhdukjen, vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”.

Hazizaj shton se ky nen nuk zbatohet tek ne dhe “nuk i afrohet aspak situatës tonë”.

“Neni 100 dënon vetëm marrëdhënien seksuale me penetrim kur duhet të dënohet çdo lloj tentative për marrëdhënie seksuale. Pjesa me e madhe e krimeve seksuale klasifikohen vetëm si vepra te turpshme sepse nuk ka pasur marrëdhënie seksuale”, thotë Hazizaj i cili për këto shton se duhet të shtohen dy pika në nenin 100:

Neni 100/a që duhet të përmbajë:

Shtytja e fëmijës për të kryer veprime me natyrë seksuale (Grooming) Nxitja, shtytja, mashtrimi, manipulimi ose përgatitja e fëmijës nën 16 vjeç, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, me çdo mjet ose formë, për të kryer veprime me natyrë seksuale me veten ose autorin e veprës penale, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga pesë gjer në shtatë vjet. Kur këto veprime kryhen në bashkëpunim, nga persona që kanë mbushur moshën e përgjegjësisë penale, më shumë se një herë, me një fëmijë ose më shumë se një fëmijë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se dhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.

Të shtohet edhe neni 100/b me përmbajtje si më poshtë:

Komunikimi me mesazhe seksuale (Sexting) Komunikimi me fëmijën nën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me çdo mjet ose formë, me mesazhe, foto apo video që kanë natyrë seksuale, nga personi që ka mbushur moshën e përgjegjësisë penale, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim deri në 2 vjet.

“Sexting është shumë i përhapur në vendin tonë”, thotë Hazizaj.

Një nen tjetër që sipas Hazizaj duhet të shikohet me shumë kujdes pasi ka përmbajtje që duhet të hiqen dhe përmbajtje që duhet të shtohen.

Neni 108, emërtimi, si dhe përmbajtja të ndryshohen si më poshtë:

Neni 108 duhet të shikohet pasi nuk ka një sqarim se çfarë cilësohet si vepër e turpshme dhe gjithashtu duhet të shtohet neni 108/b me këtë përmbajtje:

Të gjithë të dënuarit me vendim të formës së prerë për kryerjen e një ose disa prej veprave penale të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Krimeve Seksuale.

Gjithashtu edhe neni 102, emërtimi, si dhe përmbajta të ndryshohen si më poshtë:

Neni 102

Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur. Kryerja e marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të rritur ose midis bashkëshortëve apo bashkëjetuesve, pa pëlqimin e njërit prej tyre, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. Kur marrëdhënia seksuale me dhunë kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, ose kur personit të dhunuar i shkaktohen pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e personit të dhunuar, dënohet me burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet vjet.

Të shtohet Neni 102/a

Marrëdhëniet homoseksuale me dhunë me të rritur. Të shfuqizohet pasi është në kundërshtim me Nenin 18 të Kushtetutës dhe parimet e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Rregullimi ligjor është përfshirë në Nenin 102 (marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritur).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë