Bota

Covid/ Pas Austrisë edhe Sllovakia në izolim. Gjermania kalon 100 mijë viktima, Franca drejt masave të reja

Europa është sërish e detyruar të mobilizojë të gjithë arsenalin e saj për të shmangur një dimër shkatërrues për shkak të pandemisë. Dhe kështu kufizimet, madje edhe ato ‘drakoniane’, të cilat shpresohej të ishin hequr, janë rishfaqur.

Franca po përgatitet për një goditje të mëtejshme për të shpëtuar festat e Krishtlindjeve, e frikësuar nga një rritje e paprecedentë e infeksioneve tek fëmijët.

Sllovakia, pas Austrisë, kthehet në izolim. Në Gjermani, edhe Angela Merkel do të kishte dashur t'i mbyllte të gjithë në shtëpi, por krerët e koalicionit të ardhshëm qeverisës e refuzuan kërkesën, pavarësisht numrave të buletineve mjekësore të luftës.

Situata - Kontinenti i Vjetër po sëmuret gjithnjë e më rëndë, me mbi 2.5 milionë infeksione, gati 30 mijë vdekje në javën e fundit dhe një trend në rritje. Sidomos pasi, sipas OBSH-së, 45-47% e popullsisë evropiane nuk është e vaksinuar, siç janë shumica e njerëzve në kujdes intensiv.

Qendra Evropiane për Sëmundjet, ECDC, ka insistuar gjithashtu për vaksinat, por u ka kërkuar qeverive një përpjekje të mëtejshme, megjithëse jopopullore,: të miratojnë "masa jo farmaceutike", pra kufizime të rrepta në kontaktet sociale.

Francë – Në Francë, autoritetet janë gati ta marrin situatën seriozisht, edhe sepse shkalla e incidencës tek fëmijët e moshës 6 deri në 10 vjeç ka shpërthyer: 340 raste për 100 mijë banorë, ndërsa mesatarja kombëtare për të rriturit është 191.

Qeveria ka përgatitur një skemë kundërmasash bazuar në forcimin e distancimit dhe të lejes së gjelbër dhe për përshpejtimin e fushatës së rikthimit të vaksinimit, që do të shpallet nga ministri i Shëndetësisë, Olivier Veran, me synimin për të “shpëtuar pushimet”, parashikoi zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal.

Gjermani - Në Gjermani, ku ekspertët vlerësojnë se incidenca e Covid-it është jashtë kontrollit (rekordi i pothuajse 67 mijë infeksioneve të reja është mbresëlënës), kancelarja Angela Merkel ishte e bindur për nevojën për një linjë shumë të ashpër. Aq sa të propozohet, në një takim konfidencial me SPD-në, të Gjelbërit dhe Liberalët, një bllokim të menjëhershëm deri më 8 dhjetor, sipas raportimeve të gaetës “Bild”.

Propozimi, megjithatë, u refuzua nga drejtuesit e qeverisë së ardhshme, të cilët duket se i frikësohen protestave. "Situata është serioze", pranoi kancelari i ardhshëm socialdemokrat, Olaf Scholz, duke u kufizuar, megjithatë, në njoftimin e krijimit të një njësie krize për pandeminë.

Në orët e fundit, raportohet se numri i të vdekurve nga Covid në Gjermani ka kaluar 100,000 që nga fillimi i pandemisë. Ekonomia më e madhe e Evropës po lufton me një valë të re të rasteve me koronavirus dhe ka regjistruar 351 vdekje në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin total të vdekjeve në 100,119, sipas të dhënave nga Instituti Robert Koch.

Sllovakia – Edhe Sllovakia, nga ana tjetër, nuk kishte dyshime për të shkuar deri në fund dhe vendosi një bllokim të përgjithshëm për 15 ditë, sepse duhet të përballet me numrin më të madh të infeksioneve për frymë në botë: mbi 10.300 raste të reja në 24 orë, nga 5 milionë e gjysmë banorë. “Një masë jopopullore, por absolutisht e pashmangshme”, nënvizoi presidentja Suzana Çaputova.

Holandë - Në Holandë, kthimi në gjysëm-izolim ka nxjerrë në pah dhunën e personave “no vax”, por kryeministri Mark Rutte nuk është i gatshëm të tërhiqet. Në të vërtetë, ai përgatitet për të shkuar më tej. Hipoteza që qarkullon është mbyllja e shkollave.

Europa Lindore - Ka edhe mbyllje të reja në Evropën Qendrore-Lindore, e cila paguan një vonesë të madhe për vaksinat (24% e popullsisë së imunizuar të Bullgarisë në krahasim me 86% të Portugalisë).

Republika Çeke konsideron detyrimin për grupe dhe kategori të caktuara njerëzish. Në Poloni, qeveria, deri më tani e kujdesshme në lidhje me mbylljet, tha se mund të ndryshojë trendin, nëse shkalla e infeksionit nuk fillon të bjerë nga mesi i dhjetorit.

Për të shmangur një dimër të vshtirë, është mobilizuar edhe Komisioni i BE-së, i cili të premten do të prezantojë udhëzimet e reja për udhëtimet. Ideja është të kalohet nga një qasje e bazuar në vendin e origjinës dhe çdo karantinë, në atë të fokusuar te “Green Pass”-i, i cila mund të ketë një vlefshmëri prej 9 muajsh.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë