Mendim

COVID-19, Si mund të jetë imun një biznes?

Nga Meri Lika- Një ditë, më ra në dorë, në studim i kryer nga një shoqëri kolumbiane, Sempli.co, e cila kishte analizuar 334 kompani  dhe kishte parë se edhe pse ekziston shqetësim i lartë për sëmundjen e Covid-19 në trupin e shoqërive të tyre, me një vlerësim shqetësimi prej 7.5 nga 10, ekziston një burim i konsiderueshëm optimizmi, pasi rreth 85% kanë besimin që do të rimëkëmben pas mundjes së kësaj epidemie.

Sipas këtij studimi, kompanitë vlerësonin se sëmundja do të zgjaste në trupin e tyre (tek kompanitë) mesatarisht 8 muaj. 52% e tyre kishin nisur të ofronin produkte dhe shërbime të reja, 44% kishin negociuar hua të reja, 39% kishin marrë një vendim në lidhje me uljen e shpenzimeve të tyre dhe 39% kishin rinegociuar qiratë, etj.

Përparësia kryesore e kompanive ishte të siguronin vazhdimësinë e biznesit (81%), të mund të paguanin pagat (57%) dhe të rikuperonin të ardhurat (53%).

Kur flitet për biznesin sidomos në kohën e pandemisë, gjithmonë flitet se biznesi duhet të ketë një karakteristikë tipike: shkathtësinë strategjike, e cila korrespondon me aftësinë për t’iu përgjigjur shpejt ndryshimeve në mjedis. Por, ekziston një forcë që zvogëlon sistematikisht, pa e kuptuar, shkathtësinë e veprimit: sistemi imunitar i organizatës.

Kompanitë kalojnë disa gripe gjatë vitit, ose disa vuajnë nga sëmundje komplekse gjatë jetës së tyre, nga të cilat mund të shërohen ose thjesht nuk arrijnë t’ia dalin si rezultat i kompleksitetit të sëmundjes dhe pasojave të saj në trup.

Jetëgjatësia e kompanive është e shkurtër. Pak janë mbi 50 vjet. Në fakt, në vendet në zhvillim si ne, vetëm 20% e kompanive që kanë lindur (krijuar) dhe regjistruar në qendrën e biznesit jetojnë gjatë 5 viteve të para të jetës.

Pa një trajtim ose kurë specifike për të luftuar koronavirusin e ri, OBSH (Organizata Botërore e Shëndetësisë) e ka konfirmuar, mbrojtja e vetme që trupi ynë ka është sistemi imunitar. Dietë e shëndetshme, fli më shumë, shmang stresin, alkoolin e tepërt, duhanin dhe substancat e tjera toksike.

Sot kompanitë kanë më shumë koronavirus sesa njerëzit. Spitalet ende nuk janë shembur, por mjekët e kompanive dhe infermierët janë shkatërruar. Jo të gjitha ndërmarrjet duhet të shkojnë në spital, por ka të tjera që do të duhet të shkojnë patjetër, madje disa edhe të intubohen.

Po në një kompani, cilët janë faktorët që ndikojnë tek sistemi i saj imunitar? Një dietë e shëndetshme me klientët, proceset, burimet dhe financat. Shmangia e stresit me një mjedis të favorshëm për punonjësit, dhe shmangia e veseve të tilla si praktika të këqija, pak transparencë ose teprime në shpenzimet.

Përqindja e kompanive që janë infektuar nga koronavirusi është shumë e lartë. Më shumë se njerëzit. 96% e ndërmarrjeve kanë ulur të ardhurat e tyre. Disa kompani janë asimptomatike, disa po ridizenjojnë modelet e tyre të biznesit duke krijuar produkte të reja dhe disa të tjera janë të shtruara në spital në trajtim intensiv, disa janë të intubuara  por disa edhe kanë vdekur (janë pezulluar, ose kanë hyrë në proces likuidimi).

Nëse një sistem i mirë imunitar është pjesë e mbrojtjes për të cilën kemi nevojë që të luftojmë Covid-19, si bëjnë biznesmenët dhe sipërmarrësit për forcimin e këtij sistemi?

Një sipërmarrës i përgjegjshëm, kujdeset për shëndetin financiar të shoqërisë së tij. Ai duhet të forcojë sistemin imunitar duke ridizenjuar modelin e biznesit. Ai duhet të kuptojë modelet e reja të konsumit dhe të ndërtojë propozimin e tij  bazuar në përgjegjshmëri dhe transparencë. Po kështu, ai duhet të eleminojë tepricat në shpenzimet e zakonshme dhe kështu të rikompozojë kostot dhe shpenzimet në realitetin e ri.

Nga ana tjetër, disa studiues po studiojnë mutacionet e mundshme që koronavirusi i ri do të ketë tek njerëzit (dhe kompanitë). Sfida për bizneset do të jetë përshtatja jo vetëm me sëmundjen, por edhe me këto mutacione të mundshme. Loja nuk do të jetë vetëm për të forcuar sistemin imunitar, por edhe për t’iu përshtatur ndryshimeve biologjike në ekosistem (e biznesit).

Shumë njerëz (dhe kompani) do të kenë sjellje të reja vetë-rregulluese për të mbrojtur veten nga kjo sëmundje dhe nga të tjera që mund të vijnë. Kur vuajmë nga një sëmundje e rëndë dhe ecim përpara, forcojmë veten për të mbajtur një jetë të shëndetshme. E njëjta gjë ndodh edhe me kompanitë.

Duke bërë analogji me trupit e njeriut, sistemi imunitar për biznesin është një grup besimesh, procesesh dhe kontekstesh që e mbrojnë atë nga çdo agjent i jashtëm. Por nga çfarë saktësisht e mbron biznesin ky sistem?

Ky sistem e mbron nga çdo element i cili e lëviz ose e bën të ndryshojë. Por, ndryshe nga sistemi imunitar i trupit të njeriut, i cili na mbron nga agjentët e dëmshëm, sistemi imunitar i biznesit zhvillohet brenda tij dhe e mbron atë nga ndonjë agjent i panjohur, domethënë çdo besim, proces, mekanizëm ose risi që nuk përshtatet me atë që është e zakonshme brenda biznesit.

Metabolizmi i botës dhe i gjithçkaje që ndodh jashtë, ka një shpejtësi ndryshimi shumë më të lartë se ajo që mund ose duhet të kishte, një shpejtësi e cila e pengon biznesin të arrijë sistemin e tij imunitar.

Nëse kompania juaj dëshiron të mbijetojë në mjedis, ajo duhet të përputhet ose të tejkalojë shkallën e ndryshimit rreth saj. Kaq e thjeshtë është për t’u thënë.

Por, nuk është aq e thjeshtë për t’u zgjidhur në praktikë dhe, mbi të gjitha, për t’u kujdesur për sistemin imunitar të biznesit. Kjo nuk është një detyrë e lehtë.

Rezistencë instiktive ndaj ndryshimit ka të paktën tre nivele. I pari, në qendër, është personi. Kjo përfshin sistemin e besimit, aftësitë teknike dhe aspektet psikologjike. Në një nivel të dytë është korniza e përgjithshme e kompanisë, e cila përfshin sistemin e saj të menaxhimit, sistemin e saj të shpërblimit, proceset e saj, investitorët dhe status quo-në e organizatës në tërësi. Në një nivel më të jashtëm është mjedisi ekonomik dhe social në të cilin vepron kompania, dhe aspektet makroekonomike, ligjet dhe klimën politike.

Nëse vërejmë se kompania nuk i përgjigjet mjedisit me shpejtësinë e duhur dhe mënyrën e duhur ose, nëse nuk arrin të kristalizojë disa ndryshime, ia vlen të kontrollohet së pari sistemi imunitar i saj dhe se sa atë po e sulmon ndryshimi.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë