Para

Covid-19, Shqipëria do të marrë hua 180 mln euro me interes 0,5 % nga BE

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e rradhës Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian për Ndihmën Makro-Financiare për Shqipërinë në shumën prej 180 milion euro.

Ministria e Financave bën me dije se në 25 maj 2020, Bashkimi Europian miratoi vendimin për të vënë në dispozicion asistencën makro-financiare drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të zgjerimit të Europës Lindore në kontekstin e krizës nga pandemia COVID-19.

Sipas Financave, nga fondi i alokuar, Republika e Shqipërisë do të përfitojë asistencën makro-financiare prej 180 milion EURO në formën e një huaje të butë, me normë interesi 0.5% me kushtet aktuale të tregjeve financiare.

Kjo hua do të paraqitet në dy transhe të barabarta në buxhetin e shtetit.

Qëllimi i kësaj asistence, argumenton Ministria e Financave është lehtësimi i kufizimeve të financimit të jashtëm të vendit, lehtësimi i bilancit të pagesave dhe nevojat buxhetore, të forcojë pozicionin e rezervës valutore dhe të ndihmojë vendin të adresojë sfidat aktuale të jashtme dhe financiare.

Rishikimi i buxhetit nga Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka synuar, sipas Financave, alokimin e fondeve në mbështetje të amortizimit të efekteve të COVID 19. Parashikimet afatmesme për indikatorët makroekonomikë dhe shpenzimet buxhetore synojnë një përfshirje më të gjerë sociale, mbështetje në procesin e rindërtimit ndihmë për shtresat në nevojë, dhe stimulim të ekonomisë në procesin e rimëkëmbjes.

Mbështetja nga Bashkimi Europian, shpjegojnë Financat është komplementare me burimet e tjera të siguruara nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët bilateralë në mbështetje të stabilizimit ekonomik të vendit dhe reformave ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë