Futboll

Covid-19 prek Superioren një ditë para rinisjes, lojtari i Bylisit rezulton pozitiv

Ajo që të gjithë i frikësoheshin, tashmë ka ndodhur dhe ka ndodhur një ditë para rifillimit të kampionatit të Superiores. Një lojtar i Bylisit, sipas “Procesit Sportiv”, ka rezultuar pozitiv. Burime pranë klubit ballshiot bëjnë me dije për Gazeta Si se bëhet fjalë për Eridon Qardakun, sulmuesin nga Shkodra, i cili dyshohet se është infektuar pikërisht në këtë qytet. Të njëjtat burime saktësojnë se do të bëhet edhe analiza e dytë nga lojtari për të vërtetuar infektimin ose jo të tij.

Nëse lojtari i Bylisit konfirmohet pozitiv, është një problem shumë i madh për futbollin në vend. Sipas protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, i takon që të karantinohet vetëm lojtari, në rastin konkret Qardaku, i grumbulluar edhe nga Shpresa më parë, por çështja është se ai ka qenë në stërvitje me ekipin ditët e fundit dhe mund të ketë infektuar edhe të tjerët. Në këto kushte, të gjithë lojtarët e Bylisit duhet të bëjnë tamponin.

Qardaku, kur luante me Vllazninë. Gazeta Si, 2 qershor 2020

Gjithçka ndodh një ditë para rifillimit të kampionatit të Superiores. Nesër Bylisi duhet të luajë me Tiranën në Ballsh, sipas kalendarit, por tashmë duhet pritur për të parë se çfarë do të ndodhë, sepse është rreziku që mund të ketë edhe të tjerë lojtarë të infektuar.

Qëndrimi i FSHF-së
Lajmi i lojtarit të parë që rezulton pozitiv në Superiore ka vënë në lëvizje drejtuesit e FSHF-së, ndërsa nga klubi ballshiot është bërë me dije se të gjithë lojtarët do të kryejnë tamponin për të verifikuar, nëse ka ndonjë tjetër të prekur nga Kovid-19. Shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, ka pohuar: “Një vendim përfundimtar do të merret pas 12 orësh në lidhje me ndeshjen Bylis-Tirana. Nëse nuk ka lojtarë të tjerë të Bylisit të infektuar, ndeshja vazhdon sipas programit. Po e ndjekim situatën me shumë kujdes”.

Protokolli, izolohet vetëm lojtari
Për protokollin e futbollit në kohë pandemie, FSHF-ja adoptoi modelin gjerman, edhe pse kushtet në fakt janë shumë më ndryshe. Çështja e tamponit ishte më e diskutuara për protokollin dhe në fund u vendos që ai do të aplikohet vetëm në rastet kur ka dyshime. Sipas këtij modeli, gara vazhdon edhe kur një lojtar rezulton pozitiv me karantinimin e tij dhe jo të gjithë skuadrës. Në Gjermani, një nga kampionatet që ka disa javë që ka rifilluar, ka pasur raste pozitive vetëm para rinisjes. Problemi është se në Gjermani apo në vende të tjera tamponi mund të bëhet çdo 2-3 ditë, kurse në Shqipëri kjo gjë është e pamundur. I vetmi ekip i Superiores që ka bërë tampon për lojtarët, është Luftëtari.

Kampionate të ndryshme kanë aplikuar rregulla shumë të forta në protokoll dhe qëndrime të ndryshme sa i takon rasteve kur futbollistët rezultojnë pozitivë. Spanja vendosi për rifillimin e kampionatit më 12 qershor, Anglia më 17 dhe Italia më 20 qershor. Në Angli ka pasur jo pak raste lojtarësh të infektuar, duke rritur edhe dyshimin për rifillimin, edhe pse autoritetet mbeten të vendosura për ta mbyllur garën në fushë.

Qardaku: S’e di ku e kam marrë virusin, dua të bëj testin e dytë
Ka folur edhe vetë lojtari i Bylisit, Eridon Qardaku. Ai tha për “Top Channel” se ka ndjerë pak temperaturë dhe ethe dhe se nuk e di se ku mund ta ketë marrë virusin. Lojtari shkodran pret të bëjë edhe testin e dytë për t’u siguruar. “Kam dalë pozitiv, por ndihem shumë mirë. Jam në një gjendje normale dhe jam munduar të stërvitem. Tani po mendoja të zhvilloja një tjetër stërvitje, sepse nuk kam shqetësime. Kam pasur vetëm temperaturë, por le t’ia lëmë kohës.

Do të doja të bëja edhe testin e dytë, pasi nuk jam i sigurt. Ka pasur raste që testi i dytë ka dalë negativ. Kam udhëtuar drejt Shkodrës, për shkak të një dëmtimi, tani jam kthyer në Ballsh. Ndjeja që kisha pak temperaturë dhe ethe, mendova se kisha ftohtë natën, por për siguri bëra tamponin. Presidenti u tregua i gatshëm për testin. Nuk kam pasur kontakte me çunat, pasi e kapëm në kohë. Dua të bëj edhe një test tjetër, pasi kam qenë mjaft i rregullt. Nuk kam pasur kontakte dhe jam treguar shumë i kujdesshëm. Nuk e di se ku mund ta kem marrë virusin”, - tha Qardaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë