Keshilla

Covid-19/ Nga kollitja e komshiut, gjumi, puthja e seksi… mos i humbisni përgjigjet

Mirë pra. A ju kishte shkuar ndër mend këto kohë një pyetje e tipit; “Fqinji im po kollitet. A mund të shqetësohem për këtë…?”

Në një kohë gati sureale prej një “armiku” të padukshëm nëpër ajër, të gjitha pyetjet pranohen. Nuk ka qoftë edhe një, që ekspertët nuk e marrin seriozisht për t’i dhënë përgjigje. Këtë gjë ka bërë edhe New York Times përmes një libri ku gjenden përgjigjet e shumëkujt lidhur me koronavirusin.  

“Nuk ka asnjë evidencë që grimcat virale të mund të kalojnë përmes murit apo xhamit …” , - është përgjigja që vjen në libër ndaj shumëkujt që është vënë në dilemë nga kolla e komshiut, nëse ajo mund të përhapë ose jo virusin.

Por, ka një mënyrë krejt natyrale që ajo mund të merret, nëse lexojmë ndër radhë;  “Nëse fqinji mund të tështijë përshembull mbi një kangjellë dhe ti më pas e prek atë sipërfaqe atëherë po, kjo është një mënyrë që ti mund ta marrësh virusin nga komshiu”.

“Të kruhet hunda…?

"Cdo të thotë, je alergjik, po të zë gripi apo koronavirusi”, është një tjetër pyetje e shpeshtë nga njerëzit. NYT e ka një përgjigje. Ekspertët e lidhin më shumë këtë situatë me kohën sezonale kur shfaqen alergjitë dhe virozat. Specialistë të sëmundjeve infektive thonë se zakonisht ferkimi i hundës dhe i syve lidhet me alergjitë sezonale. Ndërsa gripi sezonal ka të ngjare që të ndikojë në të gjithë trupin ashtu si edhe të gjitha viruset e tjera respiratore. “Ndaj dhe nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje koke apo dhimbje muskulare, ose keni grip ose koronavirus...”, thuhet pak a shumë në libër.  “E vetmja gjë që mund t’i ndajë këto të dyja është testi".

Sa orë duhet të flemë natën, a ndikon gjumi tek virusi?

 Zhvilloni gjumin është këshilla më e shpeshtë që jepet në libër. Zbulimet e fundit kanë treguar se ata që flenë më pak se 6 orë e kanë më të lehtë që të ftohen sesa ata që bëjnë gjumë deri në 7 apo 8 orë. Në libër, ekspertët sugjerojnë që të flihet 6 deri në 7 orë, të mos hahet para gjumit, asnjë ekran i hapur dhe mbi të gjitha jo fiskulturë para se të uleni në shtrat.

“A përhapet virusi me puthje?”

Disa ekspertë thonë se puthja absolutisht që mund ta përhapë atë.  

Po përmes marëdhënies seksuale?

Koronaviruset nuk janë tipike të transmetueshme seksualisht. “Eshte shumë herët për këtë gjë”.

Në libër sugjerohet se tanimë duhet të mësohesh të jetosh me koronavirusin. Sepse një nga pyetjet e shpeshta që bëhet është; Si mund të qëndrosh larg të fejuarit, bashkëshortit, fëmijës në një shtëpi të përbashkët? “Thjesht nuk mundesh”, të thotë një reporter për NYT. Por kjo për sa kohë beson që nuk je i prekur.   

Sa njerëz po infektoj?

Covid-19 ka prekur njerëz nga cdo cep i botës, duke mos bërë asnjë dallim race, etnie, apo shtrese shoqërore. Deri tani dihej se koronavirusi qarkullon në kafshë, dhe disa prej tyre kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu tek njeriu. Ndaj lind natyrshëm pyetja;  Sa njerëz po infektoj? “Asnjëherë nuk i dihet se sa mund të infektosh deri sa gjithcka do të mbarojë në të gjithë botën”, - thuhet në libër. Ekspertët thonë se nuk mundemi që të kemi një përgjigje për këto gjëra të paktën për një ose dy vjet sepse ndryshe do të jetë përhapja në Afrikë e ndryshe në SHBA; “Do të jetë ndryshe ngado, por nëse krijon distancën e duhur atëherë ke ulur substancialisht mundësinë e transmetimit të virusit” .

Një libër për koronavirusin 

Jo pa të drejtë, të gjithë sot “plugojnë” internetin e harkojmë shpinën mbi telefona, për të mësuar gjithcka rreth Covid-19 një virus i panjohur që po bën lëmsh një botë të tërë. Zgjidhja i takon shkencës, ndërsa ne na takon të bëjmë pyetje. Këtë gjë e ka bërë mjeshtërisht edhe NewYork Times duke përgatitur një libër mbi koronavirusin ku përfshihen përgjigje bazike për virusin nga pyetjet më të thjeshta të adresuara kësaj media e deri tek ato më të ndërlikuara. Jo pak edhe pikante, sic parashtruam disa më sipër. Libri që mund të shkarkohet lehtë dhe falas në cdo telefon celular nga Ebook, në fakt na përfaqëson të gjithëve me pyetjet që rënditen. Aty gjen përgjigje mbi gjithcka nga mjekë të fushës, pedagogë, ekspertë deri edhe reporterë me përvojë që janë marrë me koronavirusin. Fillon me pyetje bazike se cfarë është koronavirusi, si duhet të ushqehemi këto kohë, raporti që duhet të kemi me disa vitamina të caktuara, a duhet të marrim transportin publik, a riskohemi më shumë nga virusi kur udhëtojmë me avion sesa me makinën personale, si duhet të përballojmë stresin dhe panikun në vet-izolim, si duhet tua shpjegojmë fëmijëve, fenomene të tjera sociale por dhe ekonomike që po krijohen me përhapjen e pamatë të Covid-19… etj., etj. Me shumë prej tyre, njerëzit janë njohur tashmë. Por asnjëherë nuk sjell mërzi kur ato risillen nga ekspertë që duhen lexuar. Kësaj here, Gazeta “Si” solli vetëm një kënd të vogël të këtij realiteti. Libri mbi të gjitha është i thjeshtë, pa ngarkesa fjalësh dhe i frytshëm. Ndaj dhe, duhet lexuar.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë