Shkencë

Covid-19 në Shqipëri ka përhapje komunitare, por jemi shumë larg imunitetit të tufës

Sipas një studimi të fundit nga anëtarët e Akademisë së Shkencave, rezulton se Covid-19 në vendin tonë situata e pandemisë është serioze dhe agresiviteti i virusit nuk është zbutur. Veprimi dhe përhapja e tij nuk bëjnë dallime të mëdha, midis vendeve të pasura e të varfra. Vendeve të perëndimit a të lindjes.
Nga studimi është konstatuar se se përhapja e imunitetit specifik ndaj Covid-19 në popullatën e qytetit të Tiranës në 3 muajt e parë të epidemisë ka qenë relativisht e kufizuar. Gjithashtu autorët kanë arritur në konkluzionin se në qytetin e Tiranës brenda muajit qershor 2020, ka pasur një rritje më të shpejtë të përhapjes së infeksionit në komunitet, të vlerësuar në 6-7 për qind.
Në studim thuhet se deri më tani është bërë i njohur numri i individëve që kanë rezultuar pozitivë me testim molekular të pranisë së virusit SARS-CoV-2, i njohur më gjerë si testimi me tampon. Por nga të dhënat është vërtetuar se numri i të prekurve të zbuluar nëpërmjet testeve, është shumë më i vogël se numri real i individëve të infektuar.
“Një mënyrë tjetër për të gjetur të paktën me përafërsi numrin e personave të infektuar realisht nga virusi SARS-CoV-2 është përcaktimi i antitrupave specifike ndaj këtij virusi në një popullatë të caktuar. Individët që rezultojnë pozitivë për këto antitrupa janë ata që kanë rënë në kontakt me virusin, qoftë me simptoma të infeksionit ose pa shfaqur shenja të tij,” shkruhet në raportin e përgatitur nga specialistët akademik Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Ylli.

Ndërkohë mbështetur në rezultatet e testimeve komisioni i mjekësisë dhe grupi i pandemisë rekomandon se:

  1. Duhet të ndërpritet lehtësimi i mëtejshëm i masave që kufizojnë grumbullimet e personave dhe të dekurajohen veprimtaritë që nxisin grumbullime masive të njerëzve. Shërbimet e restoranteve dhe bareve në mjedise të mbyllura, aktivitetet shkollore në mjedise të mbyllura, aktivitete artistike dhe sportive me spektatorë në salla të mbyllura, duhet të vijojnë të mbeten të ndaluara.
  2. Të merren masa të rrepta për të siguruar mbajtjen e detyruar të maskave sidomos në mjedise të mbyllura publike, si dhe të shihet mundësia t'u sigurohen falas atyre që nuk kanë mundësi për t’i blerë ato.
  3. Të përshkallëzohen aktivitetet inspektuese lidhur me respektimin e protokolleve të funksionimit të shërbimeve të tregtisë, transportit dhe industrisë.
  4. Të vijohet me forma të ndryshme të ndërgjegjësimit të publikut lidhur me përshtatjen e sjelljeve vetjake për të ulur riskun nga infektimi. Fokus më i madh duhet treguar ndaj grupeve të veçanta të popullatës që shprehin rezistencë ndaj informacionit.
  5. Të intensifikohet aplikimi i praktikave për mbrojtjen e grupeve me risk të lartë, sidomos të moshuarve.
  6. Të inkurajohet kudo ku është e mundur puna nga shtëpia.
  7. Të intensifikohen aktivitetet e testimit dhe izolimit të personave të infektuar në komunitet.
  8. Të vijohet me inkurajimin e monitorimit serologjik në grupe të ndryshme të popullatës.

Studimi është realizuar në dy faza pranë shërbimit universitar të imunologjisë pranë QSUT.

“Në fazën e parë (java e fundit e majit 2020) u studiuan 128 dhurues gjaku nga Qendra Kombëtare e Dhurimit të Gjakut. Ndër to, vetëm një dhurues doli pozitiv, që reflekton një pozitivitet prej 0.8 për qind.

Në fazën e dytë, realizuar javën e parë të korrikut 2020, pra, pas rreth një muaji, u studiua pozitiviteti i antitrupave specifikë ndaj virusit SARS-CoV-2 në 264 individë të moshave 20 deri 70 vjeç, të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme nga regjistrat e mjekëve të familjes të qendrave shëndetësore nr. 3, 7, 8 dhe 9 të qytetit të Tiranës, të cilat përfaqësojnë një popullatë të përgjithshme prej rreth 202 000 banorë,” shkruhet më tej në studim.

Të dhënat e studimit tregojnë një variabilitet të lartë mes qendrave shëndetësore që u studiuan.

Në qendrat e studiuara u përcaktua ky pozitivitet:

  • Qendra shëndetësore nr. 7 pati një pozitivitet 0 për qind në 57 individë.
  • Qendra shëndetësore nr. 8, 2.8 për qind në 71 individë.
  • Qendra shëndetësore nr. 3, 6.3 për qind në 79 individë.
  • Qendra shëndetësore nr. 9 pati një pozitivitet prej 17,5 për qind në 57 individë të studiuar.
  • Ndërsa pozitiviteti i përgjithshëm në të katër qendrat shëndetësore ishte 6.4 për qind.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë