Shendet

Covid-19/ Mos jemi relaksuar më shumë se ç’duhet? Ç’thonë qytetarët dhe çfarë të presim në vjeshtë

Në Tiranë shikon njerëz që janë çliruar nga masat e Covid-19, më shumë se ç'e përcaktojnë autoritetet. Më datë 1 qershor u vendos që do të hiqeshin maskat në rrugë, por me sa duket qytetarët e kanë keqinterpretuar këtë fakt.
“Nuk na gjen gjë nga virusi më. U vaksinuam, plus që ditët e fundit nuk ka fare të infektuar pothuajse”, thotë një qytetar që udhëton në autobusin e linjës së Kasharit, i cili nuk mban maskë. Ndërkohë pyetjen “pse nuk mbani maskë?” shumë të tjerë e përçmojnë. Kjo pyetje tani u duket e "pakuptimtë". Madje dikush nga fundi i autobusit thotë: “Këtu s'e mbajnë ata që punojnë, do ta mbajmë ne!”
Kur u flet për kujdesin që duhet ende të tregojnë ndaj virusit, shumë qytetarë të përgjigjen: “jam vaksinuar” ose “e kam kaluar virusin që vjet”. E njëjta panoramë është edhe me supermarketet, baret, restorantet, apo edhe lokalet që do të duhet të respektonin edhe orën policore.
“Gjithë ditën në punë lodhemi, do mbajmë edhe një maskë tani gjatë orarit. U hoqën maskat, nuk ka më gjë tani. Unë kam bërë dozën e parë të vaksinës, nuk kam gjë”, thotë një punonjëse në një nga supermarketet në rrugën “Lidhja e Prizrenit”.


Ajo shpjegon se edhe eprorët e saj nuk i kanë kërkuar të mbajë maskë, ndërkohë vetë beson se e ka fituar imunitet duke qenë se ka bërë dozën e parë të vaksinës.

Laidon Shapo


Sipas Laidon Shapo, mjekut shqiptar në Shërbimin Kombëtar në Londër, duhet të analizohet saktësisht situata.
“Me pak fjalë a është arritur atje një imunitet kolektiv me të paktën 70% mbrojtje ndaj Covid-19 (më shumë natyral sesa vaksinor) që Komiteti i Eksperteve të heqë masat parandaluese apo që popullata të sillet sikur pandemia ka kapur fundin dhe virusi po ikën me bisht në shalë? Kjo është pyetja! Që t'i përgjigjesh kësaj pyetjeje me një farë saktësie shkencore duhen të dhëna jo thjesht testimesh dhe të infektuarish, por zero-prevalence për të parë ç’nivel antikorpesh kundër Sars_Cov-2 ka në popullatë, veçanërisht tek popullsia mbi 65 vjeç dhe grupet në risk”, thotë Shapo.
Mjeku shton se duhet të projektojmë sa është proporcioni i popullatës që vërtet ka kaluar infeksionin, sa kemi të vaksinuar me një dozë dhe me dy doza dhe me çfarë vaksinash, pasi në vendon tonë janë përdorur katër tipe të ndryshme vaksinash, me efikasitet të ndryshë dhe periudha kohore të ndryshme të prodhimit të antitrupave.


Çfarë do të na sjellë vjeshta?
Viti i kaluar na mësoi se hapja e madhe që u bë gjatë verës, i tregoi pasojat në periudhën nëntor-dhjetor ku rastet ishin të larta dhe pacientët filluan të vetëkuroheshin.
Mjeku Shapo shpjegon se sezoni turistik veror do të sjellë risi dhe siç thotë ai “nuk është çudi që të kemi hapur derën ndaj varianteve të reja, përfshi dhe atë indian që ka rreth 40% transmetueshmeri më të lartë se varianti i Kentit”.
Duke marrë si shembull Europën, që provoi një valë të tretë si pasojë e relaksimit të masave dhe qarkullimit të varianteve, mjeku Shapo shpjegon se vjeshta në vendin tonë mund të ofrojë një tjetër situatë të rritjes së rasteve, nëse nuk dimë sa do të mbajmë masat e nevojshme. Sipas ekspertit, një prej tyre është edhe kontrolli i hyrjeve në kufi (pasaportë vaksinore apo PCR negativ) gjatë verës.



Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë