Mjedis

Covid-19 kthen debatin e madh mbi popullsinë: A mos jemi shumë në planet?

Nga Richard Webb - Në distriktin dikur të përçmuar të Sohos, rreth 10 minuta larg nga zyrat e New Scientist në Londër, një pompë, një pllakë dhe një pijetore përkujtojnë një nga përparimet më të mëdha në historinë njerëzore: një hap vendimtar i bërë gati 200 vjet më parë drejt fitores mbi sëmundjet infektive. Kriza jonë globale e shëndetit është një kujtesë sesa pak na pëlqen të kthehemi përsëri në ditët kur infeksionet vdekjeprurëse morën shumë prej nesh.

Megjithatë, në njëfarë mënyre, përparimet atëherë ishin një hap i parë drejt shkatërrimit planetar. Suksesi kundër sëmundjeve infektive, së bashku me zhvillimet e tjera të mëdha, përmirësoi në mënyrë dramatike mbijetesën dhe rritjen e numrave të njerëzimit, nga pak më shumë se 1,25 miliardë njerëz dikur. në 7,7 miliardë. Sot, ndryshimi i klimës, humbja e biodiversitetit, degradimi i biosferës dhe, po, koronavirusi po na detyrojnë ta vëmë në diskutim trashëgiminë e atij suksesi. Pandemia po bëhet fokusi i fundit për një pyetje të vjetër, të diskutueshme: a jemi shumë në planet?

Argumenti themelor është vështirë të mohohet. Më pak nga ne përreth, do të thoshte më pak emetime të gazrave serë, më pak ndotje dhe mbetje, më shumë hapësirë ​​si për ne ashtu dhe për pjesën tjetër të botës natyrore, për të jetuar dhe lulëzuar. Pra, le ta çojmë gjuhën aty ku dhemb dhëmbi. Le të flasim për popullsinë - ku po drejtohet globalisht, çfarë do të thotë për planetin dhe çfarë duhet të bëjmë për të kufizuar rritjen?  Megjithatë, jini të paralajmëruar: gjetja e përgjigjeve nuk është aq e lehtë sa  parashtrimi i  pyetjeve. Dhe skenat e seksizmit, racizmit, nacionalizmit, mizogjinisë dhe eugjenikës, e bëjnë të pakëndshme pamjen.

Bumi në radhët tona,  gjatë shekullit të kaluar, e  ka një burim: progresi. Më 1854-n, kur mjeku vendas John Snow zbuloi mënyrën se si kolera u transmetua përmes një pompë me ujë të infektuar në Broad Street-in e Sohos, më shumë se gjysma e të gjitha vdekjeve në Angli ishin shkaktuar nga sëmundja infektive. Një në katër fëmijë nuk jetonte  për të arritur moshën 5 vjeçare. Jetëgjatësia mesatare ishte rreth 40 vjeç. Por duke filluar nga shekulli i  19-të në ekonomitë e industrializuara shpejt, një seri e përparimeve të higjienës dhe shëndetit filluan të shtypin vdekshmërinë në të gjithë globin.

Ndërkohë, më shumë metoda efikase të prodhimit bujqësor dhe ushqimi i përmirësuar bënë të mundur që njerëzit në fshat  të jetonin më rehat, më gjatë dhe pa uri të skajshme. Më 1860-n, shifra për vdekshmërinë foshnjore në të gjithë botën ishte më shumë se 40 përqind. Sot, është rreth 4 përqind, dhe fraksioni i një përqindi, tek ekonomitë e përparuara.

Në Europën Perëndimore, jetëgjatësia është tashmë rreth 80 vjeç. Afrika sub-Sahariane, është mbi 60 vjeç, nga 44 që ishte gjysmëshekulli më parë. Ky ndryshim në normat e vdekjeve shënon të parën fazë në “tranzicionin demografik”: një ndryshim sizmik në të cilat zhvendoset me dekada nga lindjet dhe vdekjet e larta, në norma më të ulëta të të dyjave. Pak njerëz kanë probleme me fazën e parë. “Të gjithë janë të lumtur me uljen e vdekshmërisë”, thotë Diana Coole, një shkencëtare politikash, në, Universitetin Birkbeck, të Londrës. Por ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, popullatat rriten. Popullsia globale prej rreth 1 miliardë më 1800-n, është dyfishuar në fund të viteve 1920. Nga viti 1970, ajo u dyfishua përsëri, duke iu afruar 4 miliardëve. Gjysmë shekulli më vonë, u dyfishua përsëri, duke qëndruar në mënyrë konservatore në rreth 7.7 miliardë njerëz.

Dhe kështu vazhdon. Këtë vit, më shumë se dy herë më shumë njerëz do të lindin, sesa do të vdesin. Shifrat e njerëzimit do të fryhen diçka si 80 milion, me pandemi ose pa pandemi. Në projeksionet më të favorizueshme të Divizionit të Popullsisë së Kombeve të Bashkuara vlerësohen se 9.7 miliardë njerëz do të jenë në planet më 2050-n dhe 10.9 miliardë,  më 2100-n. Këto shifra bazohen në shkallën mesatare të lindshmërisë globale, përcaktuar nga numri i lindjeve për grua. Rriteni atë normë me gjysmë fëmije dhe do të  arrini një variant të lartë me thuajse  16 miliardë njerëz, deri në fund të shekullit. “Nuk ka shumë ndryshim në projeksionet e popullsisë në 30 apo 40 vitet e ardhshme”, thotë JohnWilmoth, kreu i Divizioni i Popullsisë në OKB. “Por ata nisin e  ndryshojnë në gjysmën e dytë të shekullit dhe, sinqerisht, askush nuk e di me siguri. Askush nuk mund ta njohë atë lloj intervali të kohës”. Kjo nuk është tamam qetësuese. “Ju nuk mundeni ta lexoni  variantin e popullsisë së lartë pa menduar, “Oh, Zot”, thotë Coole.

Por,  më pak njerëz do të thotë më pak ndikim. Merrni ndryshimet klimatike, mbase më i menjëhershmi në problemet tona mjedisore. Më 2017-n, Kimberly Nicholas dhe kolegu i saj, Seth Wynes në Universitetin Lund të Suedisë studiuan masat që njerëzit në ekonomitë e përparuara mund të marrin për të zvogëluar gjurmën e tyre të karbonit. Pasi llogaritën efektet brezore- që çdo fëmijë që një individ ka, ka të ngjarë të ketë fëmijë vetë – lindja e një fëmijë më pak ishte masa e vetme efektive, duke kursyer 120 ton dioksid karboni në vit, për qytetarin mesatar amerikan. Impakti tjetër më i madh, jeta pa makina, çon në 3 tonë CO2 në vit, për personin mesatar të ShBA-së. Pas kësaj vinte shmangia e fluturimeve, blerja e energjisë së gjelbër dhe kalimi në një dietë me bazë bimore. “Të kesh një fëmijë është vendimi më i madh i jetës, personale, profesionale, financiare etj.,” thotë Nicholas.

Ka shumë ndikim në trashëgiminë e karbonit që lëmë në atmosferë”. Nuk është vetëm në emetimet e karbonit. “Rënia e biodiversitetit është njëherazi rritje e shifrave njerëzore dhe konsumit të paqëndrueshëm”, thotë Edu Effiom, nga  Komisioni i  Pyjeve dhe Lumenjve, në Kalabar të Nigerisë. Ajo ishte autorja kryesore  për seksionin e Afrikës në raportin e 2019, të mbështetur nga OKB mbi Platformën Ndërqeveritare Shkencore-Politike në Shërbimet mbi Biodiversitetin dhe Ekosistemin dhe  ndikimin global të paprecedentë mbi natyrën.

Që shifrat njerëzore janë një shtytës kryesor në këtë, duket e pamohueshme. Shkatërrimi ynë i hapësirave natyrore mendohet se ofron rrugë të reja që sëmundjet “zoonotike” si koronavirusi i ri, të kapërcejnë në specie të tjera veç sonës. “Përfundimi është se,  ka një tejkalim në kërkesën tonë për natyrën”, thotë ekonomisti Partha Dasgupta, nga Universiteti  Kembrixh. Impakti ynë mjedisor përcaktohet kryesisht nga tre gjëra, thotë ai: sa shumë konsumon secili nga ne, efikasiteti i teknologjisë sonë në konvertimin e burimeve natyrore në produkte që konsumojmë dhe, sa prej nesh ekzistojnë. Por nuk priremi të flasim për pikën e fundit. “E përjashtojmë këtë faktor, shifrat”, thotë ai.

Ligjërimi publik nuk ka qenë gjithmonë kaq modest. Shqetësimet rreth aftësisë së planetit për të mbajtur aq shumë prej nesh, datojnë së paku prej dy shekujsh, tek shkrimet e klerikut anglez Thomas Malthus. Në vitet 1960, vala e parë e lëvizjes mjedisore solli kërkimin shpirtëror rreth numrave të popullsisë globale, kur ishin më pak se gjysma e asaj që ata janë sot. Më1972-shin, Klubi i Romës, një grup i shquar politikanësh,  ekonomistësh, shkencëtarësh dhe diplomatësh, botuan “Kufijtë për Rritjen”, një raport që përdor modelimin kompjuterik për të parashikuar rënien  e sistemeve globale në mesin e fundit të shekullit të 20-të, nëse tendencat aktuale të popullsisë rriteshin  dhe konsumi i burimeve, do të vazhdonte. Ata vazhduan dhe civilizimi nuk është shembur deri më tani. “Revolucioni i gjelbër” në bujqësi nisi të japë efekt nga fundi i viteve 1960, duke bërë që më shumë njerëz të ushqehen në mënyrë më të sigurt.

Dhe faza e dytë e tranzicionit demografik nisi kur lindjet po pësonin rënie në të gjithë botën. Nxitësit e këtij procesi janë kompleksë, por lidhen me rritjen e urbanizimit, arsimimit dhe progresit material. Nivelet në rritje të arsimit çojnë tek njerëz që bëjnë më pak fëmijë dhe në një moshë më të vonë. Gratë më të shëndetshme, më të arsimuara kanë më shumë gjasa t’i përdorin të drejtat e tyre për mundësi,  përtej lindjes dhe kujdesit për fëmijët. Disponueshmëria e përhapur e abortit dhe kontracepcionit, i  ndihmojnë këto trende.

Nëse po kërkojmë arsye pse shqetësimet e mesit të shekullit të 20-të mbi popullsinë u reduktuan është se, nga një pikë e lartë mbi 2 përqind në vit në fund të viteve 1960, shkalla globale e rritjes së popullsisë ka rënë pak më shumë se 1 përqind. Në pjesë të mëdha të Europës dhe Amerikës së Jugut, nivelet e lindshmërisë janë në ose afër “shkallës së zëvendësimit” të 2.1 fëmijëve për grua, niveli që siguron një popullsi të qëndrueshme. Disa pjesë të botës, veçanërisht Japonia, Koreja e Jugut, Rusia dhe vendet në Europën lindore dhe jugore, pjelloria është poshtë kësaj shkalle dhe popullsia po zvogëlohet. Por edhe në ato vende ku është akoma në rritje - Azia Jugore, Afrika, Lindja e Mesme - pjelloria po bie.

Një problem themelor rreth diskutimit në lidhje me popullatën njerëzore nuk është se ku do të vijojnë këto trende,  në të ardhmen. Projeksionet e OKB-së bazohen kryesisht në modelet e aplikimit të fazës së dytë të tranzicionit demografik, lindjeve në rënie, nga vendet që tashmë e kanë kaluar këtë, tek vendet që nuk e kanë kaluar. Wolfgang Lutz është një demograf në Institutin Ndërkombëtar për Sistemet e Analizës,  në Austri dhe një nga 15 shkencëtarët e zgjedhur nga OKB për të prodhuar Raportin e fundit Global të Zhvillimit të Qëndrueshëm, botuar në shtator 2019.

Ai është kritik i zëshëm i asaj qasjeje. “Unë e quaj ekstrapolim të verbër statistikor”, thotë ai: të modelosh  të dhëna të pamjaftueshme në botën reale nga vendet në fjalë. Lutz dhe kolegët e tij argumentojnë se ekonomitë në zhvillim po kalojnë më shpejt se ato të përparuara dhe modelet e OKB-së janë shumë të papërpunuara , për t’i marrë parasysh. “Ne e kemi parë në çdo vend të Azisë dhe tani po e shohim përsëri në çdo vend afrikan”, thotë Lutz. “Pothuajse kudo, gratë me arsim të lartë kanë një pjellori më të ulët, lindje më të ulëta”, thotë ai. Dhe askund, së paku para pandemisë, nuk ka qasje në arsimin që përmirësohet më shpejt,  sesa në disa anë të Afrikës.

Uljet dhe ngritjet që Lartz-i modeloi së fundi në rritjen e popullsisë, botuar në vitin 2018, gjurmojnë mundësitë e së ardhmes sipas pesë “rrugëve socio-ekonomike të përbashkëta ” për zhvillimin global. Ato duken shumë të ngjashme me skenarët e OKB-së deri më 2050-n, por pastaj shmangen shpejt – në rënie. Në të gjitha përveç njërës, popullsia flet para fundit të shekullit; në “skenarin mesatar të supozimeve”, me rreth 9.5 miliardë në 2070-n. Në dy raste, përfundon më poshtë sesa është sot.

Kjo tablo optimiste ka përftuar një tërheqje, me librat si ai i 2019-s “Planeti i Zbrazët: Tronditja e rënies globale të popullsisë”. A mund të ndodhë që popullata të jetë një problem që duhet të zgjidhet vetë? Sipas Wilmoth-it, jo. “Nuk ka asnjë argument për të thënë se ndryshimi në të ardhmen nuk do të jetë më i shpejtë se në të kaluarën”,  thotë ai. “Mendoj se ajo për çfarë shqetësohemi në OKB është se ritmi i ndryshimit mund të jetë më i ngadaltë sesa e kemi parashikuar. ” Kriza e përkeqësimit të klimës duket se do të sugjerojë kujdes: popullata në rritje është ende popullatë në rritje. Coole është gjithashtu skeptike se  po arrijmë skenën përmbyllëse të një narrative të madhe historike,  që përfundon në mënyrë të pashmangshme me shkallën e ulët të vdekshmërisë dhe pjellorisë. Në fakt, ajo është brengosur së fundmi se tendencat mund të kthehen në të kundërt.

Të gjithë janë të lumtur për rënien e vdekshmërisë, por është histori tjetër ajo e rënies së lindshmërisë. Ka shumë arsye pse njerëzit dhe bota miratojnë pozicione “pronataliste” duke argumentuar për pjellori më të lartë. Njëra është se, ndërsa konsideratat mjedisore mund të sugjerojnë se nivelet e ulëta të pjellorisë janë të mira, konsideratat ekonomike shpesh nuk janë, së paku në modele të rritjes ekonomike të bazuara në më shumë njerëz, që krijojnë më shumë kërkesë për mallra dhe shërbime.

Ekonomitë në zhvillim po korrin padyshim shpërblimet e popullsisë së re, dinamike ndërsa fuqia e tyre e punës po lulëzon - ashtu siç ekonomitë e sotme të përparuara bënë më herët. “Nëse shkoni në Indi, është i pabesueshëm ndryshimi në 10 vjet”, thotë Coole. “Mund të shihni se ata ndiejnë pse kjo është diçka që ata duan të kenë”.

Kombet më tej në tranzicionin demografik, ku normat e pjellorisë po kërcejnë përgjatë nivelit të zëvendësimit ose më poshtë, po përballen me problemin e kundërt. Me më pak njerëz përreth, rritja ekonomike, financat e qëndrueshme dhe kohezioni shoqëror bëhen më të vështira për t’u ruajtur. Në shtete me sisteme shumë të zhvilluara të mirëqenies, kjo bëhet një çështje me djegie të ngadaltë të një “raporti varësie” në rritje: një popullsi e madhe, e moshuar, e mbështetur nga taksat e vjela prej një fashe të tkurrur të njerëzve që punojnë. Zgjidhjet për këto probleme - taksat më të larta, dispozitat më pak bujare të ndihmës sociale, pensioni i mëvonshëm - janë kthyer në patate të nxehta politike në shumë ekonomi të përparuara. Një alternativë - nivele më të larta të emigracionit tek popullsia në moshën e punës - është edhe më tendencioze.

Japonia ka shkuar në një rrugë të ndryshme: ndjekja e robotikës si mënyrë e zëvendësimit të njerëzve, që nuk po lindin. Sfidat që lidhen me bashkimin e popullatave janë një faktor i madh i suksesit të lëvizjeve populiste nacionaliste,  në shumë pjesë të botës. Sigurisht, retorika e advokimit të rritjes së popullsisë si një çështje e fatit kombëtar është në rritje tek vende si Hungaria, Italia, Irani dhe gjetkë. Një tjetër shtet i tillë është Turqia. Nën presidentin Recep Tayyip Erdoğan, janë ndjekur politikat e popullsisë në favor të rritjes së popullsisë

dhe ka bërë përpjekje të sprapsë të drejtat e grave për ta arritur atë. Aksesi në abort, megjithëse ende është e drejtë ligjore deri në javën e 10-të të shtatzënisë, ka faktorë të kufizuar, thotë Azer Kılıç, një shkencëtare politikash në Universitetin Bilgi në Stamboll. “Kjo periudhë ka dëshmuar edhe vetë një theks politik,  i vënë me këmbëngulje tek familja si një institucion shoqëror në një mënyrë që vendos gratë në pozicionin dytësor, duke i përkufizuar si nëna dhe kujdestare dhe duke kërcënuar të drejtat dhe aftësitë e tyre individuale”, thotë ajo. Në Poloni, e cila gjithashtu ka një kontigjent të zëshëm pronatalist, gjykata e lartë vendosi të ndalonte të gjitha abortet. Kjo është një histori depresionisht e njohur, thotë Coole. “Nga ana tjetër e botës, shohim që të drejtat e grave po kufizohen nga njerëzit që përpiqen të rritin popullsinë.

“Ka një ironi rreth kësaj, sepse një dëshirë për të mos ndërhyrë në të drejtat riprodhuese të grave është një arsye tjetër pse, duke filluar në vitet 1970, flasim për zmbrapsjen e kontrollit të popullsisë. Ndjenja pronataliste mbledh së bashku shpeshherë koalicione të çuditshme, me interesa të papajtueshme, në raste të tjera. Populistët që ëndërrojnë lavdinë kombëtare bashkohen me pluralistët të cilët mbështesin të drejtën e të gjitha vendeve për t’u zhvilluar, ashtu siç u duket e përshtatshme. Ithtarët e tregjeve të lira që refuzojnë nocionet e rregullimit të shtetit e ndajnë kauza të përbashkëta me avokatët për sisteme gjithëpërfshirëse të mirëqenies sociale, shqetësohen për efektin e plakjes dhe uljen e popullatave. Konservatorët socialë dhe fetarë që janë kundër abortit dhe kontracepsionit i gjejnë interesat e tyre të harmonizuara me ato të feministëve që luftojnë për të drejtën e gruas, që të zgjedhë sa fëmijë do të ketë.

Ia vlen të ndalemi pak tek ndikimi i besimeve fetare. Në vitin 1968, Papa Pali VI dënoi kontracepsionin artificial. Ky ndalim, ndërkohë që u shpërfill gjerësisht, ende qëndron për një miliardë e ca katolikët në planet.  Ndërkohë, nën presionin e konservatorëve fetarë dhe socialë, çdo president republikan në ShBA që nga Ronald Reagan ka vendosur të financojë çdo organizatë që mbështet abortin, madje edhe në parim - përfshirë Fondin e Popullatës së Kombeve të Bashkuara.  Kush sugjeron se mund të jetë një rast për zvogëlimin e rritjes së popullsisë,  duhet të jeni të përgatitur për një fshikullim, ndonjëherë personal. Nicholas ngeci në këtë territor me gjemba me studimin e mëtejshëm të efekteve karbone, në lindjen e më pak fëmijëve. Disa, kryesisht meshkuj, kritikë, duke përfshirë të djathin Rush Limbaugh, hapur e vuri në dyshim zgjidhjen e saj riprodhuese, ndërsa disa kritikë feministë sugjeruan se po përpiqej të zhvendoste fajin për ndryshimin e klimës nga korporatat dhe qeveritë,  tek zgjedhjet riprodhuese të grave. “Vendimi për të pasur një fëmijë është thellësisht

personal, siç duhet të jetë ”, thotë Nicholas. “Studimi ynë dha informacion për të informuar zgjedhje, por njerëzit reagojnë shumë fort dhe emocionalisht, nëse ndiejnë se vendimet e tyre po kërcënohen apo sulmohen”. Coole thotë se do të kishte pasur përvojë të ngjashme nëse do të donte të nënkuptonte kufizimin e lirisë riprodhuese: “Nëse do ta përmendja, të themi, në Shtetet e Bashkuara, feministët do të më trajtonin sikur të isha një lloj nazisti”.

Kjo fjalë është ekstreme, por prodhon shumë në diskutimet që prekin kufizimin e numrave të njerëzimit.  Gjenocidet e kryera nga regjimi nazist ndoqën historinë e gjatë të shkencëtarëve perëndimorë që advokonin eugjenikën për të “pastruar” popullatat nga tiparet e supozuara të padëshirueshme. Ajo histori ndërsen bisedën sot. “ Në të vërtetë shkaktoi probleme midis intelektualëve perëndimorë”, thotë Dasgupta. “Në çastin që flisje rreth popullatave, flisje rreth shtrëngimit”. Askush që flet, me mend, rreth popullatës sot, nuk advokon atë qasje.

Më 1967-n, OKB njohu se individët ishin në gjendje për të vendosur nëse duan të kenë fëmijë dhe sesa, si një e drejtë themelore e njeriut.Shtrëngesat anti-natalizëm janë provuar disa herë, përgjithësisht me pasoja katastrofike për të drejtat e njeriut. Programet e sterilizimit në të gjithë ShBA-në  gjatë shekullit 20, vunë në shënjestër në mënyrë shpërpjesëtimore, gra nga bashkësitë e pakicave. Politika famëkeqe e Kinës për lindjen e fëmijëve, e vendosur nga 1979 deri më 2013, udhëhoqi abortin selektiv të përhapur tek fetuset femra, si dhe sterilizimin e detyruar të grave. Në disa pjesë të Indisë,më shumë se 6 milion njerëz, me më shumë se dy ose tre fëmijë, u sterilizuan me forcë gjatë një gjendje të jashtëzakonshme nga viti 1975 deri në vitin 1977. Financuar pjesërisht me para ndihmë nga ShBA dhe gjetiu, u pa gjerësisht si një agjendë anti-myslimane.

Spektri i eugjenikës, përsëri. “Ndonjëherë shtetet kanë reaguar me masa kaq agresive saqë u bënë shkelje të të drejtave të njeriut”, thotë Wilmoth. “Ata u bindën se ishte e domosdoshme për të mirën kolektive dhe, mësymja në dhomat e gjumit të njerëzve dhe mitrat e grave ishte e justifikuar me kontrollin e rritjes së popullsisë”. Pra, të flasësh për popullatën është tendencioze. Por në këtë pikë duhet të hedhim një vështrim më të afërt tek kurthi që kemi ngritur për ca kohë. Quajeni kurthin “ata” kundrejt “ne”. Shumica prej nesh, kur i kërkohet të mendojë mbi jetën e vet dhe ato të njerëzve përreth, me siguri do ta gjenim veten duke marrë një pozicionim instinktivisht pronatalist.

Unë nuk kam fëmijë vetë, por sigurisht që nuk do t’i kisha thënë një të afërmi apo miku se nuk duhet të kenë një fëmijë, nëse e dëshirojnë. Do të isha madje edhe më i palumtur nëse ndonjë palë e tretë, shtet apo tjetër, të niste të më thoshte mua apo dikujt të afërt me mua sesa fëmijë mund të kemi. E megjithatë, nëse themi se normat globale të lindjeve janë shumë të larta dhe duhet të ulen, po lundrojnë rrezikshëm pranë të thënët se diçka e ngjashme do të ishte në rregull, diku tjetër.

“Diskutimi është pothuajse i përhershëm: do të donim të shihnim më pak njerëz të llojit tjetër, të racës tjetër, të kombësisë tjetër ”, thotë Lutz. “Gjithmonë doni të shihni më pak nga tjetri dhe më shumë nga i yti”. Pas, tek gjërat themelore është rasti që në vende si Britania, normat e pjellorisë shkojnë nën normën e zëvendësimit - dhe do të ishin edhe më të ulëta nëse nuk do të ishte për normat e larta të lindshmërisë midis grave të lindura jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkohë, në pjesë të globit, veçanërisht në pjesën qendrore të Afrikës, nivelet e pjellorisë po vazhdojnë në tre, katër, pesë ose më shumë fëmijë për grua.

Në skenarin afatmesëm të OKB-së mbi popullsinë, gjysma e rritjes së popullsisë globale nga 2100-a  vjen vetëm nga nëntë vende, tetë prej tyre nga ekonomitë në zhvillim: India, Nigeria, Pakistani, Republika  Demokratike e Kongos, Etiopia, Tanzania, Indonezia dhe Egjipti. ShBA-ja me nivelet e larta të emigracionit dhe popullsisë relativisht të re për një ekonomi të përparuar, vjen në numrin nëntë. Por për Lutz, argumente të bazuara vetëm në shifrat bruto janë jo bindëse.

 “Njerëzit përqendrohen tepër në masën e popullsisë në botë, që është në një mënyrë shifër që nuk ndikon në jetën e askujt, sepse përvoja juaj është rritja e popullsisë  së lagjeve, ose së paku të shtetit tuaj”, thotë ai. Duhet të kthehemi te gjërat themelore. Arsyetimi mbi rritjen e  popullsisë si shqetësimi ynë për ndikimin e njerëzimit në planet, duhet të kërkojë prej  nga ku vijnë impaktet. Në rastin e ndryshimit të klimës, kjo është goxha e qartë.

“Nëse shikoni historikisht me kalimin e kohës, ajo çon në rritje të çlirimit të  karbonit në atmosferë, sigurisht, rritja e popullsisë ka qenë faktor i rëndësishëm, por një faktor edhe më i madh ka qenë ndryshimi i emetimeve për frymë”, thotë Wilmoth. “Në varësi të mënyrës së matjes së tij, gjatë cilës periudhë, për cilën popullsi dhe kështu me radhë, del një raport si, dy të tretat përkundrejt një të tretave: dy të treta sjellje dhe një e treta numrat e popullsisë. “Kjo largon vëmendjen nga nivelet e pjellorisë në pjesë “të tjera” të botës tek nivelet e konsumit të njerëzve ulur relativisht në prosperitet, në ekonomitë e përparuara. “Njerëz të varfër në Afrikë, ku popullata po përjeton rritje të shpejtë, nuk po kontribuon aspak në emetimet e gazit serë”, thotë Lutz. Le të vendosim disa shifra në të.

Banka Botërore thotë se, në vitin 2014, viti i fundit për të cilin janë në dispozicion shifra gjithëpërfshirëse, emetimet mesatare të CO2 globale arritën në 5 ton për frymë. Për Kinën, ishte 7.5, për ShBA-në, ishte 16.5, për Australinë 15.4. Për anëtarin mesatar të klubit me ekonomi të përparuar, Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik, kjo shifër ishte 9.6.

Shifra ekuivalente për tetë ekonomitë në zhvillim, të parashikuara të kenë rritjen më të madhe të popullsisë rritet sipas shifrave të OKB-së: India 1.7 ton për frymë, Nigeria 0.5, Pakistani 0.9, ​​Kongoja 0.1, Etiopia 0.1, Tanzania 0.2, Indonezia 1.8 dhe Egjipti 2.2. Edhe sikur të merrnim skajin më të madh të këtyre shifrave , rreth 160 qytetarë të Etiopisë ose Kongos kanë një ndikim më të ulët të klimës, se një qytetar amerikan.

Llogaritjet kaq të thjeshta kanë të meta, natyrisht. Emetimet nga ekonomitë e avancuara kanë qenë në rënie ose të rrafshëta në vitet e fundit, ndërsa ato nga ekonomitë në zhvillim po rriten ndërsa ato zhvillohen dhe fitojnë një konsum të klasës së mesme. Ndryshimet jetike në emetimet mes personit mesatar të lindur në Indi dhe ShBA sot, për shembull, mund të jenë më të vogla sesa sugjerojnë numrat. As gazrat serë nuk thonë gjithçka në lidhje me ndikimin tonë në sistemet e mbështetjes së jetës. Dhe ndërkohë edhe pse jo i gjithë shkatërrimi i  pyjeve të Amazonës, të themi, i faturohet shumëkombësheve që plotësojnë kërkesat e konsumatorëve perëndimorë, mbajnë një ekuacion themelor: ndërsa numri i njerëzve në planet është i rëndësishëm, thotë Effiom, “konsumi i paqëndrueshëm nga rajoni i zhvilluar i botës është faktori kryesor i biodiversitetit ”.

Sa për pandemitë, ndërsa shkatërrimi që i kemi bërë natyrës dhe shkelja e habitateve të virgjra pa dyshim nuk ndihmon, është e vështirë për të përcaktuar me saktësi një lidhje shkakësore midis gjasave ose ashpërsisë së tyre dhe pas numrit tonë në planet: pandemitë vdekjeprurëse, në fund të fundit, kanë ndodhur në të gjithë historinë e dokumentuar të njerëzimit, thekson Coole. As nuk është e lehtë të argumentosh se më shumë njerëz që jetojnë ngjitur në qytete, i nxit ato domosdoshmërisht. Historia e John Snow tregon se urbanizimi gjatë historisë njerëzore i ka siguruar njerëzve akses në qasjet moderne sanitare, njohuri mjekësore dhe kujdes që mund të kufizojnë përhapjen e sëmundjes.

Ndërkohë, një aspekt i konsumit të lartë – t’i biesh qark botës me avionë - pothuajse padyshim e lehtësoi përhapjen e virusit. Urgjenca e ndryshimit të klimës na jep një arsye tjetër për të mos sugjeruar kontrollin e popullsisë, si një zgjidhje për hallet e botës. Duke qenë se ndikimi i lindjes së më shumë fëmijëve zgjatet në gjenerata, të lindësh më pak nuk do të na ndihmojë në një apo dy dekadat e ardhshme për të ulur emetimet apo për të shmangur ngrohjet katastrofike globale.  “Popullsia është një faktor i rëndësishëm afatgjatë sesa nxehje e përjetojmë, por për klimën në të cilën jetojmë jetët tona dhe atë që do të trashëgojnë brezat e ardhshëm, është absolutisht kritike ta ndalim sot ndotjen e klimës”, thotë Nicholas.

Single wind turbine, a coal burning power plant with pollution and electricity pylons in the background.

 Kjo sugjeron se theksi për njerëzit e ekonomive të përparuara duhet të jetë rishikimi i modeleve të e tyre ekonomike të nxitura nga konsumi, ndërsa i ndihmon njerëzit gjetkë të zhvillohen më shumë në mënyrë të qëndrueshme. Numri i fëmijëve që lindim është pjesë e asaj llogaritjeje të konsumit. “Ashtu siç njerëzit po mendojnë më shumë për dietën e tyre dhe fluturimit përreth botës, gjëja e mirë do të duhej që njerëzit të vlerësonin ndikimet para se të fillojnë të mendojnë për riprodhimin”, thotë Coole.

Por ekziston një kufi se si mund t’i zhvillosh ato diskutime. “Duhet të pranojmë trendet e popullsisë në një gradë të caktuar ”, thotë Wilmoth. “Duhet të pranojmë ndryshimet që do të ndodhin dhe bota duhet të përshtatet me mënyrën e jetesës. Vetëm nëse i ndalon njerëzit plotësisht të lindin bebe dhe kjo do të kishte pasoja të mëdha, të cilat as nuk do të donim t’i mendonim. “Në vend të kësaj, duhet të shtyjmë më shumë se çfarë funksionon në zvogëlimin e rritjes së popullsisë ku rritja e popullsisë është e lartë: arsimim dhe mbështetje për planifikimin familjar dhe barazinë gjinore.  “Do të thotë mbështetje të programeve për t'u dhënë njerëzve qasje në kontraceptivë modernë në të gjithë botën”, thotë Wilmoth. Effiom bie dakord, duke përmendur rëndësinë e, për shembull, masa më të forta kundër poligamisë dhe martesës së detyruar. “Ka të bëjë me rritjen e edukimit të vajzave dhe fuqizimin e tyre për të bërë zgjedhjet për veten”, thotë ajo. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të flasim për popullsinë. Por nëse e bëjmë, mbase ne së pari duhet t’i bëjmë vetes një sërë pyetjesh.  A ka të bëjë motivimi ynë me fatin e planetit dhe ndikimin e njerëzimit në të?

Nëse po, a po ndërmarrim hapa për të kufizuar ndikimin vetjak dhe a po  mbështetim përpjekjet publike për të bërë të njëjtën? A e pranojmë se impakti i njerëzimit është një problem i “yni” dhe jo vetëm i “tyre”? A i mbështesim të drejtat e individëve, veçanërisht grave, për të zgjedhur sesi t’i jetojnë jetët e tyre dhe nuk po advokojmë në mënyrë taktike masa drakoniane që zbatohen tek njerëzit e që nuk do t’i pranonim nëse zbatoheshin tek ne? Nëse mund të përgjigjemi me sinqeritet “po”, të gjitha këtyre pyetjeve, atëherë le të flasim – ndërkohë që pranojmë se kamë shumë mënyra produktive për të lëvizur nga shtegu ynë i shkatërrimit planetar. / The New Scientist/ Përktheu: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë