Komunitet

COVID-19/ Frika rizgjon rajonin, Shqipëria ende dremit

Me heqjen e të gjitha masave kufizuese prej 1 qershorit, masat e detyrueshme për t’u mbrojtur nga përhapja e COVID-19 u reduktuan vetëm në parandalimin e grumbullimeve dhe detyrimi i bizneseve në përdorimin e maskave, dorezave dhe dezinfektantëve.

Pjesa plotësuese e këtyre masave të detyrueshme ishin këshillat, që përsëriten e përsëriten që prej muajit mars; larje duarsh, respektim të distancës fizike dhe përdorimi i bërryllit gjatë tështimës, apo kollitjes.

Numri i personave të shtruar më 1 qershor ishte 28, nga të cilët 3 ndodheshin në terapi intensive dhe një i intubuar. Dy javë nga “çlirimi” i plotë, numri i infeksioneve të reja po rritej fort dhe bashkë me të edhe numri i personave të shtruar në Spitalin Infektiv, që mbeti i vetmi spital Covid-19 pas mbylljes së “Shefqet Ndroqit”, u dyfishua.

Nga autoritetet shëndetësore u tha se rritja e infeksioneve të reja ishte e pritshme, por jo në përmasat që po raportoheshin çdo ditë. Gradualisht 80 shtretërit e vënë në dispozicion në Spitalin Infektiv u plotësuan, dhe vetëm në qershor, Shqipëria regjistroi thuajse të njëjtin numër viktimash sa u raportuan përgjatë 3 muajve që ndodhej në karantinë.

Çfarë shkoi keq? Sa i takon strategjisë së hapjes, Shqipëria mbështetet veçse te kontrollet përmes Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe këshillat e vazhdueshme për respektimin e masave anti-Covid. Së fundmi qeveria reklamoi një video për të demonstruar se si policia kontrollon nëse të infektuarit jo më shenja të rënda, po e zbatojnë urdhrin për vetkarantinim.

Megjithatë, Shqipëria nuk ishte e vetmja që raportonte shtim të rasteve të reja. Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja raportonin të njëjta trende shqetësuese. Por, vendet dallojnë nga njëra-tjetra tek mënyra sesi kanë reaguar. Që të gjitha vendet e tjera, me përjashtim të Shqipërisë iu përgjigjën duke shtuar testimet, duke liberalizuar tregun e kryerjes së analizave edhe tek privatët, e deri tek rikthimi i kufizimeve të lëvizjes, si në rastin e Maqedonisë dhe të Serbisë.

Fillimisht Maqedonia e Veriut, më pas Serbia dhe tashmë edhe Kosova janë duke ndjekur strategjinë e izolimit të vatrave. Qeveria maqedonase riktheu kufizimin e lëvizjeve në Shkup dhe bllokoi hyrje-daljet në kryeqytet për dy fundjava. Ajo lejon kryerjen e testeve nga laboratorët privatë. Nuk ka asnjë kufizim hyrje-daljeje në kufi.

Në Serbi, prej 23 qershorit lejohen testimet nga laboratorët privatë. Mbajtja e maskave është e detyrueshme gjatë përdorimit të transportit publik dhe thellësisht e këshilluar në ambiente të mbyllura. Çdo person që punon në ambiente të mbyllura duhet të ketë një hapësirë personale prej të paktën 3 metrash katrorë. U ndaluan vizitat nëpër spitale dhe u kufizuan vetëm në 15 minuta vizitat nëpër shtëpitë e të moshuarve. Distanca fizike u rrit nga 1 në 1.5 metra. Edhe këtu nuk ka asnjë kufizim lëvizjeje, qoftë për shtetasit serbë, qoftë për të huajt.

Rregullat ndryshuan në fillim të korrikut dhe mbajtja e maskës u bë me detyrim në Beograd, ku në dy javët e fundit janë raportuar mbi 80 për qind e rasteve të reja me Covid-19. Gjithashtu grumbullimi i njerëzve në ambiente të hapura u kufizua deri në 500 vetë, ndërsa në ambiente të mbyllura deri në 100 vetë.

Në Beograd, një prej vatrave më të nxehta u raportuan konviktet e studentëve, që detyroi Qeverinë që t’i mbyllë. Vendimi shkaktoi protesta të studentëve, që detyruan Qeverinë që të tërhiqej, por me kusht që studentët të vetëkarantinohen për 2 javë në konvikte. Ndërkohë, tre spitale që u mbyllën janë hapur sërish si spitale COVID-19 dhe ka rinisur trajnimi i stafit sipas protokolleve të reja të OBSH-së.

Gjendja e emergjencës është shpallur edhe në qytete të tjera, ku i është dhënë një pushtet i zgjeruar drejtuesve vendorë, që janë në gjendje të vendosin masa kufizuese dhe nxjerrin urdhra të tjerë që synojnë parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Kufizime rajonale të lëvizjes, ritrajnim të stafit mjekësor sipas përditësimeve të OBSH-së ka ndërmarrë edhe Kosova, ndërsa Qeveria po diskuton edhe lejimin e kryerjes së analizave në spitalet private, pas raportimeve se janë me qindra qytetarë kosovarë që i janë drejtuar Maqedonisë së Veriut për të kryer testimet anti-Covid.

Po në Shqipëri? Prej 1 qershorit, autoritetet shqiptare janë përqëndruar vetëm tek mesazhet ndërgjegjësuese për respektimin e protokolleve të sigurisë dhe tek kontrollet e ISHSH-së nëpër biznese. Testimet vazhdojnë të mbeten “monopol” shtetëror dhe në nivelet më të ulta në rajon, e po ashtu mbajtja e maskës nuk është e detyrueshme. Nuk ka kufizime lëvizjeje, as zonale dhe as kombëtare dhe as një përcaktim të qartë të ndalim-grumbullimit të njerëzve.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë