Presidenti Ilir Meta daljen për mediat këtë të hënë e nisi me mesazhe për të pasur kujdes me koronavirusin.
Nga mazhoranca Meta kërkoi reflektim, ndërsa u shpreh se është e domosdoshme zbatimi i protokolleve dhe një strategji e re për ta përballuar këtë situatë.
“Tërheq vëmendjen ndaj të gjithëve për të mos humbur përqendrimin në përballimin më efikas të pandemisë, pasi shtimi i rasteve të qytetarëve dhe numrit të viktimave kërkojnë urgjentisht një reflektim nga të gjithë, nga institucionet, qeveria, opozita, sipërmarrjet dhe çdo qytetar. Është e domosdoshme një strategji e re, me protokollet e mirëpërcaktuara dhe për të vënë në kontroll përhapjen në rritje të kësaj pandemie.
Është i domosdoshëm një komunikim efikas me vendet fqinje për të shkëmbyer informacione në kohë reale me qëllim që kjo strategji të na mundësojë daljen sa më të sigurt dhe të shpejt nga kjo situatë”, u shpreh ndër të tjera Meta.
Lidhur me këtë situatë të agravuar nga Covid-19, Presidenti Ilir Meta është i gatshëm që të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Por si fillim ai thotë se ka kërkuar një takim zyrtar me ministren Manastirliu. Kreu i shtetit tha se duhet më shumë transparencë dhe masa konkrete për mbrojtjen e bluzave të bardha.
“Ju e dini që janë zhvilluar disa mbledhje dhe në të ardhmen nëse do të duhet patjetër që do zhvillohet. Kam kërkuar një takim zyrtar me ministren e Shëndetësisë, besoj ta realizojmë sa më shpejt për të gjykuar se cila mund të jetë mbështetja që mund të jap presidenti. Mendoj se çdo qytetar duhet të sillet në një mënyrë të përgjegjshme për jetën dhe shëndetin e tij dhe të familjarëve. Duket që ka një shkujdesje, e cila natyrisht që ka sjellë një përkeqësim të treguesve, kjo nuk na mundëson të hapemi me vendet fqinje dhe vendet e BE. Nëse do jetë e nevojshme, patjetër që do jetë institucioni i gatshëm për të bërë diçka të tillë. Por duhet më shumë transparencë dhe masa konkrete për mbrojtjen e infermierëve dhe mjekëve", tha Meta.
Presidenti Meta ndër të tjera ka njoftuar sot se opinionin me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi emërimet në Gjykatën Kushtetuese ua ka dorëzuar të gjitha institucioneve, ndërsa i kërkoi KED që të shqyrtojë kandidaturat për 3 vendet vakante në Kushtetuese.
“Të gjitha institucioneve u përcolla opinionin e Komisionit të Venecias mbi emërimin e anëtarëve të Kushtetueses për rëndësinë e bashkëpunimit institucional. Rekomandimet e tij duhet të adresohen. Jo vetëm deklaroj mbështetjen e KED, duhet të mbyllë pa vonesë shqyrtimin e kandidaturave për 3 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.
Sa u përket kushteve që ka vënë BE-ja për hapjen e negociatave, Meta tha se janë shumë të rëndësishme dhe duhet të kihen gjithmonë parasysh.
“Do doja të theksoja se duhet të plotësohen kushtet për çeljen e negociatave. Një kusht ishte edhe ai për Reformën Zgjedhore, ku siç e dini tashmë po shkon drejt udhës së duhur me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në vend”, u shpreh Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.