Analize

Kosova rikthen izolimin dhe ndryshon strategjinë pas bilancit alarmant nga Covid-19

Kosova është bërë sot ndër vendet e para në Europë që ka rikthyer masat e izolimit, pasi dhjetëra të infektuar humbën jetën gjatë fundjavës. Duke nisur nga sot, në qytetet më të mëdha në Kosovë do të ndalohet lëvizja pas orës 21:00 të mbrëmjes. Ndalimi i qarkullimit zgjat deri në orën 5:00 të mëngjesit. Autoritetet në Kosovë paralajmërojnë po ashtu vendosjen e gjobave për të gjithë qytetarët që shihen duke lëvizur pa maskë mbrojtëse.

Rikthimi i orës policore është vendosur fillimisht në kryeqytetin e Prishtinës, në qytetin e Ferizajt, Prizrenit dhe Vushtrrisë për shkak të numrit të madh të personave të infektuar me koronavirus. Kryeministri Avdullah Hoti njoftoi se pas këtyre qyteteve, kufizime pritet mund të vendosen edhe në qytete tjera të Kosovës. 

Rikthimi i  masave kufizuese vjen pasi Kosova ka shënuar rekord të zi sa i përket viktimave nga Covid-19 gjatë dy ditëve të fundit.

Të shtunën në Kosovë kanë humbur jetën 8 persona ndërsa të dielën ndërruan jetë edhe 9 pacientë, duke shënuar kështu plot 17 viktima brenda 48 orëve. Katër persona që kanë humbur jetën në Klinikën Infektive në Kosovë, dyshohet se kanë vdekur nga mungesa e oksigjenit, raporte të medias këto që kanë alarmuar qytetarët e Kosovës, por që janë hedhur poshtë nga qeveria.

Ministria e Shëndetësisë këmbëngul se rritja e numrit të viktimave nga Covid-19, vjen vetëm si pasojë e mosrespektimit të masave.

“I bëjë thirrje qytetarëve të heqin dorë nga disa aktivitete që po ndikojnë në përhapjen e virusit. Disa aktivitete të ndryshme ilegale, si dasmat e ahengje e deri te trendi i lëvizjes në bregdete gjatë fundjavës kanë çuar në rritjen e të infektuarve. Shifrat janë ato që tregojnë sesi jemi sjellë ne si shoqëri”, deklaroi Ministria.

Hoti ndërkohë thekson se Qeveria e Kosovës kishte si synim lirimin e masave, por se disa biznese kanë keqpërdorur mirëbesimin e shtetit dhe nuk kanë respektuar masat. Duke iu drejtuar qytetarëve në një deklaratë, Hoti tha se muaji korrik do të jetë muaji më i vështirë i pandemisë së COVID-19.

Avdullah Hoti, Gazeta Si, 2020

“Duhet të bëhemi gati që të përballojmë muajin e ardhshëm”, deklaroi ai. Numri total i rasteve pozitive në Kosovë ka arritur në 3 mijë e 508 raste, 2 mijë prej të cilave janë shëruar. Numri i viktimave ka arritur në 75, shumica prej të cilave kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar po ashtu sot se restorantet, kafenetë, klubet e natës dhe ndërmarrje tjera e kanë totalisht të ndaluar që të ofrojnë shërbime brenda, të cilat po ashtu do të duhet të mbyllimn dyert pas orës 21:00.

Në vendimin e Qeverisë se Kosovës bëhen megjithatë disa lëshime, duke theksuar se lëvizja nga shtëpia pas orës 21:00 mund të lejohet në disa raste specifike.

Çfarë vendosi tjetër qeveria e Kosovës?

Pas rritjes së frikshme të numrit të rasteve të reja, qeveria Hoti u ka dhënë dritën jeshile laboratorëve private dhe institucionet tjera private shëndetësore për të kryer testime Covid-19. Kjo është një nga pikat e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të rritur kapacitetet e personelit shëndetësor.

Sipas vendimit, laboratorët privatë do të kryejnë edhe testime seriologjike, për të kuptuar nivelin e atyre që e kanë kaluar koronavirusin deri më tani.

Qeveria ka kërkuar po ashtu mobilizimin e stafit shëndetësor në nivel vendi, sipas nevojave duke shtuar kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektivit dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID-19.

Po ashtu, Hoti ka urdhëruar blerjen e deri në 100,000 tamponëve, 500,000 vaksinave për gripin sezonal dhe porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër COVID-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Europian dhe OBSH-së.

Në diskutim është që edhe spitalet private në Kosovë të bëhen gati për të pritur pacientë me Covid-19 në rast nevoje.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë