Mendim

Covid-19/ Denoncimet i bën Basha, por përgjigjet i merr Meta…

Prej më shumë se një jave, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka denoncuar përmes konferencash të përditshme për shtyp situatën në sektorin e shëndetësisë, duke këmbëngulur në dy çështje kryesore; numrin e ulët të testimeve, dhe rimbursimin e kostove të paketës së trajtimit nga shteti ndaj qytetarëve.

Kostoja, sipas tij, shkon mesatarisht 600 mijë lekë të vjetra për trajtim.

Basha ka nënvizuar në çdo dalje të tij se duhen marrë katër masa nga qeveria:  

1) Minimumi 2500 testime në ditë; 2) Mbulimi i kostove të paketës së trajtimit të COVID, të merret përsipër nga shteti; 3) Mobilizimi total i sistemit, për t'u përballur me çdo nivel të trajtimit të të sëmurëve dhe 4) Bonusi 1000 € për mjek, 500 € për çdo infermier.

Asnjë prej qëndrimeve apo edhe denoncimeve të tij nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga qeveria përfshi edhe ministrinë e Shëndetësisë, për të mos folur pastaj për zbatimin e planit të PD-së, që kryeministri Rama e injoron krejtësisht sikur “nuk e ka dëgjuar”... Gjithçka kalon në heshtje apo me keq akoma nuk merret asfare seriozisht nga strukturat shtetërore për një qëndrim zyrtar nga ana e tyre sepse fundja po vjen nga kryetari i opozitës, nesër kandidati kryesor për kryeministër.

E kundërta po ndodh me Ilir Metën.  Pas denoncimit të Bashës, Ilir Meta shkruan dy letra me 12 pyetje për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu fokusuar tek pandemia (përfshi edhe çështje të denoncuara nga Basha), pa shtuar një pyetje të 13-ë nëse qeveria do të kishte në konsideratë edhe planin e PD-së të propozuar këtu e një muaj më parë.

Reagimi ndaj Metës është i menjëhershëm. I pari Edi Rama, kur ende pa u shpërndarë mirë nga Meta në faqen e tij në Facebook, Kryeministri i kujton se i pari që duhet të marrë masat ndaj COVID është bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi dhe partia që ajo drejton.

Ia pret më tej me një përgjigje  zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.

“...Kujtojmë se ai (Rama) është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale...”, shkruan ndër radhë Blushi.

Komunikimi Presidencë-kryeministri sa duket nuk do të mbyllet këtu. Në mos një përgjigje konkrete nga ana e ministrisë do të ketë sepse letra e Metës të paktën edhe i trazon ujërat. Ndryshe nga qëndrimet e Bashës... për të njëjtën çështje. Ndofta ky i fundit duhet të ndryshojë strategji...ose kjo është me dashje e tille


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë