Ne rrjet

Covid-19, arkitekti i strategjisë suedeze pranon se gaboi

Anders Tengell, truri që qëndron pas strategjisë së Suedisë për të mos vendosur masa kufizuese të forta për parandalimin e përhapjes së koronavirusit pranoi për herë të parë se strategjia ishte pjesërisht e gabuar dhe vendi duhej të kishte vendosur kufizime më të ashpra.

Epidemiologu foli gjatë një interviste radiofonike, ku pranoi gjithashtu se ka një rritje të numrit të vdekjeve në Suedi gjatë periudhës së pandemisë.

“Nëse do të përballesha sot me të njëjtën sëmundje dhe me gjithçka dimë sot për të, mendoj se do të zbatonim masa të ndërmjetme mes atyre që zbatoi Suedia dhe atyre që zbatoi pjesa tjetër e botës”, deklaroi ai.

Deklarata cilësohet e beftë për faktin se Tegnell mbetet një kritikues i fortë i mbylljeve radikale të ndjekura nga vendet e tjera dhe këmbëngul se Suedia pati një qasje më të qëndrueshme në përballimin e pandemisë, pavarësisht se vendi raportoi një numër më të lartë vdekjesh se zakonisht.

Por, komenti i tij mbërrin edhe pas vendimit të Qeverisë suedeze, që ditën e hënë njoftoi ngritjen e një komisioni hetimor për të vlerësuar strategjinë dhe qasjen që u ndoq ndaj përballimit të pandemisë.

Ky vendim është edhe një përgjigje e presionit në rritje të qytetarëve suedezë, që kërkojnë shpjegime, sidomos pas vendimit të Norvegjisë dhe Danimarkës, që hapën kufijtë me njëra-tjetrën, por jo me Suedinë.

Tegnell pranon se mund të ishte bërë më mirë.

“Kishte dhe ka mundësi për përmirësim në atë që bëmë në Suedi. Por, do të ishte mirë që më parë të dinim se çfarë duhej të mbyllnim dhe çfarë jo për të parandaluar përhapjen e virusit”, thotë ai.

Epidemiologu u justifikua duke deklaruar se ishte e vështirë që të vlerësoje se cilat masa ishin më efikase në një kohë që thuajse të gjitha vendet e Bashkimit Europian u mbyllën. Gjatë pandemisë, Suedia mbajti shkollat hapur për fëmijët nën 16 vjeç, një vendim që në Norvegji dhe Danimarkë u cilësua fillimisht si “lëvizje e zgjuar”. Hapur qëndruan edhe kufijtë për vizitorët europianë dhe më shumë se rregullat me penalitete, vendi u mbështet tek bashkëpunimi i qytetarëve dhe vullneti i tyre për të respektuar distancimin fizik.

Qytetarët suedezë e kanë mbështetur fuqimisht strategjinë e Tegnell, por politikanë dhe ekspertë thonë se së fundmi ka patur një ndryshim në kah të kundërt të kësaj qasjeje.

Suedia ka raportuar 4468 vdekje nga Covid-19, ndërkohë që Danimarka dhe Norvegjia, secila me thuajse gjysmën e popullsisë suedeze kanë raportuar përkatësisht 580 dhe 237 të vdekur. Të dyja vendet e justifikojnë vendimin për të mos hapur kufijtë me Suedinë me numrin e lartë të personave të infektuar me koronavirus.

“Është shqetësuese që suedezët konsiderohet deri diku më pak të sigurtë se qytetarët e pjesëve të tjera të Europës”, deklaroi Carl Bildt, ish-Kryeministër i vendit.

Paradoksi është se vetë Suedia vazhdon të mbajë të hapura kufijtë dhe mijëra qytetarë norvegjezë dhe danezë e vizitojnë përditë atë, por vetë suedezët ndjehen si të zënë në çark, pasi nga Norvegjia dhe Danimarka nuk u lejohet hyrja.

Burimi: Financial Times. Përshtati në shqip gazetasi.al


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë