Politike

Conte thyen akullin!

Një ditë përpara së vendet anëtare të BE-së të vendosnin në qershor për shtyrjen e negociatave, kryeministri italian Guiseppe Conre bëri thirrje për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Megjithatë, kësaj radhe, ai ka vendosur të vizitojë Tiranën përpara se të niset drejt Brukselit, ku edhe do të vendoset për “fatin” e negociatave. Kjo është hera e parë që kryeministri Conte viziton Shqipërinë pas një viti e gjysmë në detyrë. Gjatë kësaj periudhe, as kryeministri shqiptar dhe asnjë zyrtar i qeverisë shqiptare nuk ka vizituar zyrtarisht Romën.

Por Conte duket se ka vendosur të thyejë akulllin. Në vizitën e tij zyrtare në vendin tonë, Conte do të takohet me kreun e qeverisë Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta.

"Integrimi i Ballkanit Perëndimor është një proces për të cilin Italia është tradicionalisht mbështetëes sepse ne besojmë se është një motor i rëndësishëm për të promovuar paqen dhe sigurinë edhe në lagjen tonë", do të deklaronte Conte në qershor, duke shtuar se Këshilli duhet të marrë një vendim të favorshëm për hapjen e negociatave.

“Një fillim i shpejtë i negociatave të pranimit me Tiranën dhe Shkupin do të jepte një sinjal për të gjithë rajonin, duke i dhënë impuls të ri perspektivës evropiane së këtyre dy vendeve”, theksonte kryeministri italian.

Guissepe Conte, Gazeta Si, 14 tetor 2019

Negociatat ka të ngjarë të jenë edhe kryefjala e vizitës se Contes në Tiranë, pasi gjatë mandatit të tij Italia ka qenë vendi që nuk e ka lejuar shkëputjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nq "dosjen" e zgjerimit.

“Në mesin e shumicës së vendeve që mbështesin zgjerimin (deri në 15 qeveri), vetëm Italia këmbëngulte në qershor që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë mos të shkëputet nga ai i Maqedonisë së Veriut”, shkruan “EURACTIV”.

Gjatë një vizite në Gjirokastër, ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo tha se Roma po bënte avokatin për vendimin pro hapjes së negociatave. Por pavarësisht kësaj mbështetjeje, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë të ngrira dhe shkaku kryesor duket të jetë ish-ministri i brendshëm Matteo Salvini.

Lideri “de facto” i Italisë fqinje, Matteo Salvini pati vendosur të ndërhyjë për krizën politike në Shqipëri përpara zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në kohën që ishte Ministri i Brendshëm, Salvini ka bërë të ditur në një konferencë për mediat, se ka folur me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për krizën politike.

“Në vendin fqinj janë duke u mbajtur zgjedhje vendore nga ana e kryeministrit, të cilat janë anuluar nga presidenti i Republikës. Janë tërhequr partitë e opozitës dhe në to merr pjesë vetëm Partia Socialiste që është në qeveri dhe jam duke kërkuar që të komunikoj me të gjitha palët për të evituar një përplasje, sepse Shqipëria është partnere kulturore, ekonomike, komerciale me Italianë. Por jo vetëm, duhet të kujtojmë njerëzit që emigrojnë dhe këtu duhet që të kujtojmë skenat e viteve ’90 dhe nuk do doja që ato të ktheheshin, pasi kemi mjaft probleme dhe nuk do donim që të shkonim në fronte të tjera”, tha Matteo Salvini gjatë deklaratës së tij.

Matteo Salvini, Gazeta Si, 14 tetor 2019

Po ashtu ai ka kërcënuar disa herë me dëbim emigrantët, përfshirë edhe ata shqiptarë. Por antipatia e tij për Shqipërinë do të bëhej më e qartë në 24 qershor të 2014-s, kur paralajmëronte se nëse vendi ynë hynte në BE, Italia do të dilte nga unioni.

“Shqipëria është shteti i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, pavarësisht historisë, ekonomisë, së kaluarës dhe së ardhmes së saj”, shkruante Salvini. “Jo supermarketit europian! A bëjmë një shkëmbim? Ata hynë ne dalim… Si thoni?”, shkruante asokohe zëvëndëskryeministri.

Gjuha e ashpër ndaj emigrantëve dhe politikat për dëbimin e tyre bënë që më 1 dhjetor Salvini të merrte një letër kërcënuese nga disa shqiptarë. “Mateo Salvini, more finok, ke 3 shqiptarë që të janë vënë pas. Do të ekzekutohesh. Je bërë një derr homoseksual dhe brinar”, thuhej në letër.

Ky qëndrim si dhe politikat e tij sollën edhe “ngrirjen” e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por tani që Salvini doli nga qeveria, vizita e Contes duket të jetë një ogur i mirë për marrëdhëniet mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë