Biznes

Bizneset italiane i hakërrehen qeverisë: Përmirëso klimën, përndryshe largohemi!

Tkurrja e ekonomisë shqiptare shqetëson bizneset italiane. Ata i bëjnë presion qeverisë shqiptare të marrë masa në ndryshimin e klimës së përkeqësuar të biznesit prej vitesh, sipas tyre, në të kundërt thonë ata, do të largohen.

Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri (ÇIA) dhe Confindustria Albania, Shoqata e Industrialistëve Italian në Shqipëri, përmes një deklarate për shtyp, thonë se i kanë ndjekur me shqetësim shifrat e publikuara së fundmi nga INSTAT lidhur me rritjen e PBB për tremujorin e dytë të këtij viti.

Referuar shifrave në fjalë, rritja e PBB, për të dytin tremujor radhazi, është rreth 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas parashikimeve të Qeverisë, rritja do të duhej të ishte 4,3% në vitin 2019 dhe 4,4% për 2020-ën.

Parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar – që ishin më të moderuara – u ripanë më pas në ulje, 2,9% për vitin 2019.

“E vërteta shqetësuese është se shifrat në fjalë varen edhe nga një përkeqësim progresiv i klimës së biznesit që është rënduar edhe më shumë këtë vitin e fundit. Shumica e bizneseve italiane dhe ato të huaja në përgjithësi, ashtu si dhe firmat shqiptare, japin sinjalin se shumë gjëra nuk po funksionojnë ashtu siç është premtuar, duke e vështirësuar krijimin apo zhvillimin e veprimtarive ekonomike – burimi i vërtetë i të ardhurave dhe punësimit”, citohet në deklaratën e përbashkët.

Sipas tyre, funksionimi i administratës publike gjithashtu ka krijuar shqetësim ndër investitorët, të cilët janë tashmë të lodhur nga nëpunësit publikë që kanë tendencën t’u shmangen vendimeve për të cilat ata do të duhej të ishin kompetentë, si dhe çdo lloj forme dialogu konstruktiv dhe të vazhdueshëm me bizneset; biznesi has vështirësi të dukshme në gjetjen e bashkëbiseduesve kompetentë dhe vetëm rrallë herë merr përgjigjet e duhura.
Këto pengesa për sipërmarrësit italianë, jo vetëm shtojnë mosbesimin e bizneseve që operojnë në Shqipëri me pasoja negative në synimet e tyre për investime, por kontribuuojnë edhe në përkeqësimin e perceptimit të riskut të vendit dhe për tërheqjen e cilitdo investitor të mundshëm.

“Pavarësisht këtyre, vëmendja e institucioneve duket se përqëndrohet vetëm në debatet politike, pa u thelluar në analizën e shkaqeve të vërteta të ngadalësimit ekonomik dhe të klimës në rritje të humbjes së besimit që duket ka përfshirë të gjithë sipërmarrësit, duke preferuar, në vend të kësaj, të gjendet faji tek ndikimi i faktorëve të jashtëm”, thotë deklarata.

Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri dhe Confindustria Albania, kërkojnë angazhimin e menjëhershëm të Qeverisë, të nëpunësve të saj dhe të të gjitha institucioneve, përfshirë dhe shoqatat e biznesit, për t’u përqëndruar në efikasitetin e reformave dhe që të vihen në zbatim të gjitha veprimet e nevojshme për t’i dhënë qartësi, siguri dhe parashikueshmëri, mjedisit të biznesit në respekt të rregullave të drejta, të përbashkëta dhe transparente.
Prej disa tremujorësh tashmë, ekonomia shqiptare nuk po rritet me një ritëm që të mund të çojë drejt rritjes së punësimit dhe përmirësimit të pagave.

Një rritje ekonomike prej 2,31% nuk mund të konsiderohet e kënaqshme dhe as e mjaftueshme për të gjeneruar vende të reja pune, apo për t’iu rikthyer nje cikli ekonomik rritës.
Jo vetëm rritja ekonomike është thuajse e përgjysmuar krahasuar me parashikimet e Qeverisë për vitin 2019, por është e përgjysmuar edhe në krahasim më normën e rritjes së vitit 2017 (4%) dhe të vitit 2018 (4,2%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë