Dosje

Ç’montohen 34 kamera ‘spiune’ në Shkodër, Lezhë dhe Dibër, disa persona nën hetim

Gazeta Si - Edhe këtë të enjte, ka vijuar çmontimi i kamerave të vendosura në mënyrë të paligjshme nga persona të ndryshëm në të gjithë vendin. Në 3 qarqe janë hequr vetëm sot në total  34 kamera.

Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Fijet”, policia ka çmontuar dhe sekuestruar dhjetëra kamera të tjera që ishin vendosur në kundërshtim me ligjin në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Dibrës.

Shifra e sotme e ka çuar numrin e kamerave të shkëputura në një total prej 485 kamera të hequra në të gjithë vendin që prej nisjes së operacionit.

Në një njoftim, policia thotë se kanë nisur hetime të thelluara për disa shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.

Në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është inicuar hetimi për 1 shtetase. 

Në qarkun Dibër, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera. Në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 shtetas. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 shtetas.

Një ditë më parë, policia ç'montoi 37 kamera të paligjshme në Elbasan dhe 65 në Tiranë, ku në kryeqytet numri total i pajisjeve të tilla ka shkuar në 220.

Që prej fillimit të operacionit "Fijet", Policia e Shtetit ka asgjësuar 485 kamera sigurie të vendosura pa leje dhe me synim spiunimin e grupeve rivale dhe efektivëve të policisë.

Nën hetim, në 9 qarqe ku operacioni është shtrirë, janë vënë 83 persona, një pjesë e madhe e të cilëve me precedent të theksuar kriminal. Emra si Plaurent Dervishaj, Avdylajt e Shijakut, Saimir Taullau në Lushnjë, Gjergj Cukalli, Emiljano Shullazi dhe Pajtim Serjani në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë