Dosje

‘Fijet’ e krimit priten dhe në Elbasan, çmontohen 37 kamera. Nën hetim 10 persona

Gazeta Si - Në Elbasan, policia ka çmontuar këtë të mërkurë 37 kamera të paligjshme në lagje të ndryshme të qytetit.

Nga ana tjetër, kanë nisur hetimet për 10 shtetas për vendosjen e këtyre kamerave në kundërshtim me ligjin.

Gjatë fazës së dhjetë kombëtare të këtij operacioni policor në Elbasan, në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, u çmontuan 28 kamera dhe u iniciuan hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për 5 shtetas, konkretisht për: D. Rr., I. B., H. B., K. Xh. dhe A. I.

Plani operacional “Fijet” ka vijuar edhe në Gramsh, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera të vëna në kundërshtim me ligjin, dhe u iniciuan hetimet për shtetasit: R. D., S. Xh. dhe A. Ç., si dhe në qytetin e Peqinit, ku u çmontuan 5 kamera dhe u iniciuan hetimet për shtetasit H. Z. dhe E. Xh.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan,vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.

Ky aksion filloi dy javë më parë në Shkodër me heqjen e dhjetëra kamerave nga rrugët dhe hapësirat publike të qytetit, ku dyshohet se mjetet vëzhguese ishin vendosur nga grupet kriminale për vëzhgimin e lëvizjes së policisë dhe kundërshtarëve.

Më pas kontrollet vijuan në qytete të tjera si Durrësi dhe Korça ku rezultoi se kamera të tilla ishin në pronësi të personave të dënuar.

Aksioni ka vijuar edhe në Vlorë, Fier dhe një ditë më parë në Tiranë, ku janë çmontuar qindra kamera të vendosura në mënyrë të paligjshme në rrugë dhe hapësirat publike edhe nga persona me precedentë penalë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë