Dosje

Video / Ç’montohen 155 kamera ‘spiune’ në lagjet e Tiranës, nën hetim disa emra të njohur të botës së krimit

Gazeta Si - Në aksionin e policisë për çmontimin e kamerave të paligjshme në Tiranë, ku u sekuestruan 155 pajisje “spiune”, një pjesë e tyre përdoreshin nga emra të njohur të botës ë krimit.

Disa prej rrugëve dhe hapësirave publike në kryeqytet, kanë qenë të vëzhguara nga grupet kriminale përmes kamerave me cilësi të lartë.  

Kështu, policia publikoi bilancin e kontrolleve të kryera gjatë ditës së parë dhe të dytë të operacionit, ku sipas burimeve paraprake, mësohet se 15 kamera janë çmontuar nga zona rreth shtëpive të Emiljano Shullazit dhe Pajtim Serjanit në zonën e ish-Parkut të Autobusëve.

Ndërkohë, që Shullazi është dënuar me burg për disa vepra të rënda penale, ndërsa Serjani ka qenë i proceduar penalisht.

Por operacioni i policisë është shtrirë edhe në rrugën “Myslym Shyri”, ku Gjergj Cukalli, i njohur edhe si “i forti” i kësaj zone është vënë nën hetim për vendosjen e paligjshme të kamerave pranë banesës së tij.

Gjergj Cukalli është një personazh mjaft i njohur në botën e krimit, ndërsa aktualisht, dosja e tij është dërguar për gjykim nga SPAK.

Ai është akuzuar për pengmarrje, gjobëvënie, falsifikim të dokumenteve, thyerje të masës së sigurisë.

Në vitin 2019, ai u arrestua si i akuzuari kryesor për vrasjen e ish-efektivit të policisë Arben Bilali me 30 janar.

Po ashtu, së paku 6 kamera janë sekuestruar në banesën e Elidon Kotorrit në zonën “Ali Demi”. Kotorri është i dënuar me burg për një vrasje të trefishtë dekada më parë, ngjarje e ndodhur në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto”.

Sakaq, policia bëri të ditur se kamerat ishin instaluar mes shtyllave, në muret e pallateve, duke kontrolluar një pjesë të mirë të rrugëve dhe hapësirave ku ndodhen banesat e dy personave në zonën e Ish-parkut të autobusëve.

Ashtu si edhe në qytete të tjera, edhe në Tiranë, kontingjentët e krimit përveçse monitorimit me kamera të banesave dhe subjekteve të tyre, monitoronin me kamera të gjithë zonën, ku kishin vendosur kamera në rrugët që të çonin drejt banesave të tyre.

Në total deri më tani që kur ka nisur operacioni në të gjithë vendin janë çmontuar dhe sekuestruar mbi 350 kamera sigurie dhe janë nën hetim mbi 60 persona.

Operacioni i koduar “Fijet” po vazhdon prej dy javësh në të gjitha qytetet e vendit, ku deri më tani janë çmontuar rreth 200 kamera në Shkodër, Vlorë, Korçë, Pogradec, Durrës, Krujë, Shijak, Fier dhe Lushnjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë