Treg

Çmimi i naftës rritet në 84 dollarë për fuçi

Nafta është rritur ndjeshëm, gjatë sesionit të sotëm europian(20 shkurt), pasi humbi rreth 2 dollarë të premten e kaluar.

Rritja e rezervave të naftës në SHBA dhe pritshmëritë për norma më të larta interesi kanë zbehur optimizmin për rritjen e kërkesës në Kinë. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 84 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 77 dollarë për fuçi.

Të dyja ranë me rreth 4% në sesionin e kaluar, pasi të dhënat e publikuara në SHBA treguan se rezervat e naftës u rritën me 16.5 milionë fuçi, gjatë javës së shkuar. Gjithashtu, edhe njoftimi i Shtëpisë së Bardhë se do të hedhë në treg rreth 26 milionë fuçi naftë, ushtroi presion mbi çmimet. Ndërkohë Kazakistani do të rrisë furnizimin me rreth 100 mijë fuçi në ditë drejt Gjermanisë, gjatë muajit mars.

Njëkohësisht, analistët parashikojnë se importet e naftës nga Kina do të prekin nivelin më të lartë në histori gjatë këtij viti, për shkak të rritjes së kërkesës. Kina, së bashku me Indinë janë bërë blerësit kryesorë të naftës ruse, që kur Bashkimi Europian vendosi embargo për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) rriti parashikimet për kërkesën globale të naftës ndërsa Kina rihap ekonominë e saj pas viteve të bllokimeve anti-Covid.

Agjencia rriti vlerësimet e kërkesës globale me 500.000 fuçi në ditë për tremujorin e parë. Si rezultat, konsumi botëror do të rritet me 2 milionë fuçi në ditë këtë vit.

Burimi: Reuters/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë