Treg

Çmimet e pronave u dyfishuan në bregdet dhe u rritën me 16% në qendër të Tiranës

Kriza e shkaktuar nga pandemia nuk ka prekur sektorin e ndërtimit, sidomos në bregdet dhe në qendër të Tiranës, ku çmimet janë rritur me përkatësisht dyfishim në zonën e parë dhe 16 për qind në të dytën.

Një anketë e Bankës së Shqipërisë me agjencitë që veprojnë në fushën e tregut të pronave të paluajtshme tregon sinjale të mikluara të këtij sektori përgjatë vitit 2020. BSh thotë se është vënë re një lehtësim i kushteve të kredisë për strehim nga ana e bankave, por kërkesa për financim ka qenë e dobët.

Agjentët tregtimit të pasurive të paluajtshme kanë raportuar rënie të numrit të pronave të pashitura dhe, përgjithësisht, rritje të çmimit të shitjes. Për sa i përket ofertës në këtë treg, kredia për ndërtim shënoi rënie në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe rritje ndaj një viti më parë, ndërsa numri i lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë tremujorit të tretë ishte më i ulët ndaj të njëjtës periudhë një vit më parë.

Por, pavarësisht rënies së kërkesës për blerjen e pronave të paluajtshme, çmimet e tyre janë rritur me 11.3 për qind në krahasim me vitin 2019. Zonat ku kjo rritje u vu re më fort janë bregdeti, ku sipas anketës së Bankës së Shqipërisë, agjentët imobiliarë raportojnë deri në dyfishim të çmimit dhe në Tiranë.

Në total, në kryeqytet çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me rreth 9 për qind në krahasim me 2019-ën, por tregu nuk ishte uniform. Si shembull, BSh thotë se nga anketa e realizuar me agjentët e 230 subjekteve që veprojnë në këtë treg u kuptua se çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 16 për qind në qendër të Tiranës, por pësuan rënie të lehtë në periferi të saj.

Anketa e BSh vëren se agjentët u shprehën relativisht pesimistë për zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme, duke vlerësuar situatën në këtë treg si të përkeqësuar. Agjentët mbeten pesimistë edhe për periudhën e ardhshme, por janë më optimistë për të ardhmen e këtij tregu në terma më afatgjatë.

Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës nga ana e agjentëve në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme. Subjektet e zgjedhura janë agjentë imobiliarë dhe shoqëri ndërtimi shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së të gjithë popullatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë