Në futbollin e sotëm ndodhin të gjitha, një trajner mund të shkarkohet nga detyra edhe vetëm 8 ditë pas emërimit, pa drejtuar asnjë ndeshje zyrtare. Çudia është se i ka ndodhur një trajneri të njohur, si serbi Sinisha Mihajloviç, dhe për më tepër ne krye të një ekipi me mjaft emër si Sportingu i Lisbonës.
Aventura e Mihajloviç në Portugali është mbyllur pa nisur mirë. Drejtuesit e Sportingut nuk e kanë bërë ende të ditur zyrtarisht lajmin, por “Record” në Portugali konfirmon se është çështje orësh shkarkimi i ish-trajnerit të Milanit dhe Fiorentinës dhe Torinos.
Më 18 qershor, 8 ditë më parë, trajneri serb firmosi kontratën për tre sezone dhe u konsiderua si njeriu i duhur për të vënë rregull te Sportingu, që vinte pas një sezoni shumë problematik. Situata kishte arritur deri aty sa tifozët e gjigantëve portugezë të sulmonin fizikisht lojtarët e ekipit.
Por firma e trajnerit serb është hedhur në kohën e presidentit Bruno de Karvalo, i cili u largua nga detyra nga bordi drejtues i klubit javën e shkuar. Drejtuesit e rinj nuk dëshirojnë të kenë në stol trajnerin Mihajloviç dhe tani do të tentojnë të mbyllin gjithçka me mirëkuptim, edhe pse në këtë rast mund të humbin rreth dy milionë euro.
Mjaft kaotike situata te Sportingu, që tashmë nuk ka një president dhe mund të mbetet edhe pa trajner, ndërsa shumica e titullarëve kanë kërkuar prishjen e kontratës për të kaluar në një ekip tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.