Biznes

Class Wines, dashuria për verërat shqiptare

Si kurorëzohet tryeza festive?! Me verën.
Këshillat në lidhje me verën për tryezat tuaja familjare, apo për përzgjedhjen në restorant, apo edhe për dhuratë ne i kemi pikën e fortë të shportës sonë. Këshillat i kemi marrë nga Z. Dashamir Elezi, Presidenti i somelierisë shqiptare dhe anëtar i somelierëve të botës.

Ai ka një vend joshës ku degustohen dhe blihen verërat, Class Wine quhet.
Kur shkova për ta takuar, edhe pse vend i vogël me dy tavolina, kishte një lloj magjie.
I rrethuar nga verëra, dhe në banak një zotëri me uniformë që më ngjasoi me një maxhordom filmash i jepte mjedisit një lloj sharmi tjetër.
Nëse do mendoni se do t’ju këshillojmë më shumë verëra të huaja se sa ato shqiptare, gaboheni. Z. Elezi aktualisht asiston me këshilla disa kantina vere shqiptare dhe është shumë krenar për punën dhe cilësinë konkuruese që ato ofrojnë jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë.

Para do ditësh, në Amerikë ka mbërritur një kontenier me verëra shqiptare, më tregon z. Elezi.
“Ne si somelieri e Shqipërisë kemi dhënë një kontribut vendimtar. Është një lloj krenarie, jo mburrje. Që në themelimin e saj në 2005-ën, kemi bërë të mundur që një grup të rëndësishëm enologësh në Itali dhe është në fakt zv presidenti i gjithë enologëve italianë, Luigi Costantini, që po asiston rreth 12 kantina shqiptare. Është krijuar edhe një laborator, i vetmi i akredituar në Shqipëri për çertifikimin e verës. Të gjithë kantinat shqiptare që kanë marrë një njohje të caktuar, janë pjesë e asistimit të këtyre enologëve.”- thotë Z. Elezi.

Ai më rrëfen se ka nisur të bëjë nënprodukte të verës që kur ishte preadoleshent. Dy të afërm të familjes së tij kanë qenë në fushë, agroonom dhe tjetri në fermën e Spitallës. Ka patur qasje të kahershme me frutikulturën.
Ai e zhvilloi pasionin duke ndjekur shkollën e somelierisë. Më pas ka marrë pjesë në konkurse botërore.

Z. Elezi është anëtar i panelit botëror të degustimeve të verës që prej 2007-ës. Dhe ka që në 2009 që asiston në mënyrë intensive disa prodhues shqiptarë.
Ai më tregon se verërat shqiptare i ka dërguar edhe nëpër aktivitete ndërkombëtare; Ancona-Itali, Francë, qoftë në Bullgari, etj të cilat janë çmuar me medalje argjendi dhe bronxi, me çmim mirënjohjeje. Për Elezin, niveli i cilësisë së produktit shqiptar është i lartë plus. “Nuk jemi aspak inferior. Ne synojmë të hapim rrugën e eskportit të verës edhe me vendet e tjera. Ata nuk kanë Shesh të bardhë, Shesh të Zi, nuk kanë Kallmet, etj. Këto janë produkte tipike shqiptare. Çelsi i suksesit të verërave shqiptare është autenticiteti. Në këtë kuptim, verërat shqiptare e kanë tregun të hapur, duhet të punojnë thjesht për cilësinë. Cilido konsumator kërkon një produkt ndryshe nga ajo që është mësuar të konsumojë.”- më thotë ai.

Ai më shpjegon se teknika mund të jetë ndërkombëtare, por cilësia dhe mikroklima e bëjnë autoktone.
Class Wines ofron prej dy vitesh për tregun shqiptar verë të kantinave ndërkombëtare; franceze, italiane, greke, kilene, moldave, sllovene. “Ne u japim mundësinë së pari të huajve sepse ata kanë më shumë kuriozitet, por kjo nuk do të thotë që ne vendosim doganë në derën e dyqanit për shqiptarët. Nga kultura që të huajt kanë, janë më të hapur në mendje se sa shqiptarët kur iu sugjeron diçka. 50% klientë ndërkombëtarë dhe 50% klientë që pranojnë këshilla përsa i përket raportit cilësi-çmim. Sepse jemi të qëndrueshëm në treg, ne nuk shesim thjesht dhe vetëm produkt, por ofrojmë kulturë.

Të huajt kërkojnë mendim. Nuk dinë çfarë prodhohet në Shqipëri, për shkak të informacionit të mangët edhe nga vetë prodhuesit. Ne u sugjerojmë që nëqoftëse merr 3 shishe, merr dy të huaja dhe një shqiptare për të provuar diçka lokale me cilësi. Në herën e parë janë skeptikë, por kur kthehen ndryshon raporti ose marrin vetëm shqiptare. Na ka ndodhur që të huaj porosisin me arka verë shqiptare.”- më tregon Z. Elezi.

Në Class Wines ai tregton verëra shqiptare nga kantina Belba, Kallmeti, Caco, Menea e Korçës, të cilat janë edhe më të kërkuarat. Balaj, Vreshti i Pashait, Duka, Bardha. Herta që gjendet në Maminas ka varietetin sheshi i zi..
Për verërat e huaja Elezi përmend Primitivo di Manduria, Uva di Troia, Negra Amaro, Monte Pulcanon e Abbruzzos, etj.
Në Class Wines çmimi për shishe varion nga 450 lekë deri në 4800 euro. Për këtë të fundit Z. Elezi më thotë se nuk e di nëse do të ketë ende gjendje pasi është prenotuar prej kohësh.
“Ne nuk mund të fusim për hatër verëra në dyqan. Ne kemi një karakteristikë të raportit të cilësisë me çmimin që është arma jonë e fortë. Ne i degustojmë verërat përpara se ti fusim në dyqan. Nëse kalon testin tonë, kalon çdo lloj testi tjetër.”- thotë ai.
Klientët më të shumtë shpenzojnë në dyqan nga 3000 – 7000 lekë. Ka edhe nga ata klientë, që janë më të paktë që shpenzojnë mbi 10 000 lekë dhe nën 2000 lekë.
“Përpara se të vije ti”- më thotë z. Elezi kemi shpërndarë 250 shporta për Vitin e Ri”
“Ne sugjerojmë; 2 shishe verë të vendeve të ndryshme, një djath të stazhionuar 30 vjeçar, pandoro, reçel tipik shqiptar, një pasta artizanale, një salcë tartuf dhe një sallam artizanal i huaj.-110 euro. Vlera më e lartë është vera.”

Produktet që ofron Class Wines nuk gjenden kund tjetër, pasi janë ekskluzivitet i tij.
Class Wines ka përgatitur 6 lloje shportash për festat e fundvitit me një diapason çmimi nga 4500 lekë – 60 000 lekë.
“Një pjesë e kanë marrë. Të tjerë e kanë lënë për më vonë. Ne i personalizojmë shportat.
Vjet çudia më e madhe është se kemi bërë shporta deri në 9 të darkës në datën 31 dhjetor.” – më tregon Z. Elezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë