Futboll

Chelsea nuk ndalet, United “ringjallet” me Everton

Chelsea e Mauricio Sarrit nuk ndalet më dhe ecën i sigurt drejt kreut të Premier League edhe këtë fundjavë. Tek fitorja është rikthyer edhe Manchester United në shtëpi përballë Everton. Ndryshe, ka qenë kjo fundjavë për Arsenal që pas një serie rezultatesh pozitive është ndalur në barazim 2-2 me Crystal Palace.

“Blutë e Londrës” këtë fundjavë kanë konfirmuar edhe një herë tjetër formën e mirë që janë duke kaluar, duke koleksionuar fitoren e radhës dhe i afrohen Liverpool me vetëm dy pikë diferencë. “Viktima” e radhës për skuadrën e Sarrit ishte Burnley, të cilën e mundi në shifrat e thella 0-4. Fitorja ishte shumë e rëndësishme për Chelsea për shkak se u zhbllokua sulmuesi kryesor Alvaro Morata, por edhe konfirmohet i riu Loftus Chek.

Pas humbjes me Juventus në Champions League, Manchester United ka reaguar, duke u rikthyer te fitorja. Ekipi i Mourinho ka mposhtur në “Old Traford” Evereton me rezultatin 2-1. Duket sikur edhe tonet e “luftës” mes Pogba dhe teknikut portugez janë ulur këtë fundjavë dhe efekti është parë direkt në fushë. Mesfushori francez shënoi golin e parë, ndërsa fitoren e vulosi Martial. Tashmë United shkon në kuotën e 17 pikëve dhe vijon ta ruaj kontaktin me vendet e para të klasifikimit.

Pas 5 fitoreve rresht, Arsenal ka gabuar këtë fundjave duke barazuar me Crystal Palace. Skuadra e Emery mundi ta përmbyste golin e pjesës së parë brenda 5 minutave në 45 minutat e dyta, por nuk ia doli që ta mbronte fitoren deri në fund. Gjithsesi Arsenal vijon të jetë në katërshen e parë dhe ka vetëm katër pikë diferencë me Liverpool që është në krye të tabelës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë