Futboll

Champions, kualifikohen PSV, Benfika dhe Crvena Zvezda

Tre biletat e fundit për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve për edicionin 2018-2019 janë siguruar nga Benfika, PSV dhe Crvena Zvezda. Për skuadrat holandeze dhe portugeze ka qenë formalitet kalimi në fazën pasardhëse, ndërsa serbët e Crvena Zvezda kanë bërë surprizën e madhe duke eliminuar Salzburg.

Pas barazimit në ndeshjen e parë 1-1, PAOK nuk ka mundur dot të rezistojë përballë Benfikës. Portugezët kanë dalë në lojën e dytë duke dominuar në  “Toumba Stadium” në Selanik përballë vendasve duke fituar në shifrat 1-4. Por edhe pse duket një fitore e lehtë, ndeshja nuk nisi lehtë për portugezët, që u gjendën në disavantazh që në minutën e 13. Por kaq ishte PAOK në këtë përballje, pasi Benfika do të shënonte katër herë radhazi. Me këtë fitore Benfika pret biletën e saj në grupet e Champions, ndërsa PAOK do të luaj në Europa League.

Edhe PSV është kualifikuar në grupet e kompeticionit elitar për klubet në Europë. Pas kualifikimit të Ajaksit mbrëmjen e së martës, ishte radha e PSV për të shkuar në raundit tjetër të Champions. Tashmë do të kemi dy skuadra holandeze në grupet e Ligës së Kampionëve, gjë që kishte vite që nuk ndodhte. Për PSV rruga ishte më e lehtë, pasi Bate Borisov nuk bëri shumë rezistencë, duke u eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 6-2.

Një biletë për në fazën e grupeve të Champions League ka siguruar edhe Crvena Zvezda. Skuadra serbe ka bërë surprizën e madhe duke eliminuar gjigandët austriak të Red Bull Salzburg. Edhe pse më inferiore në letër, Crvena Zvezda ia ka dalë që me shumë punë dhe vetëbesim të kalojë në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë ekipi serb kishte humbur 2-1, ndërsa në këtë përballje të dytë ka triumfuar në shifrat 1-0 dhe ka prerë biletën për më tej falë golit në fushën kundërshtare.

Të enjten në ora 12:00 në Monako do të hidhet shorti për fazën e grupeve të Champions.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë