Futboll

Champions Cup, triumfojnë Arsenal, Juventus e Chelsea

Kanë vijuar edhe ditën e shtunë ndeshjet e turneut më të madh futbollistik veror për klube “International Champions Cup”. Turneu i ndeshjeve miqësore që zhvillohet njëkohësisht në vende të ndryshme këtë të shtunë ka sjellë disa ndeshje interesante.

Të parët që zbritën në fushë, ishin Arsenal dhe PSG në impiantin “National Stadium” të Singaporit. Tekniku spanjoll Unai Emeri përballë ish-skuadrës së tij është hakmarrë në mënyrë më të mirë të mundshme. Arsenali i tij ka mposhtur PSG-në e Tukel me  rezultatin e thellë 5-1. Lakazet ishte lojtarë më i mirë i “topçinjve” me dy gola të shënuar, i ndihmuar edhe nga shokët e tjerë të skuadrës që treguan në fushë se janë shumë më përpara me përgatitjet në krahasim me skuadrën franceze.

Ndeshja e pasdites, por që u luajt në cepin tjetër të botës, në “Red Bull Arena” në SHBA ka vënë përballë Benfikën dhe Juventus. Sfida që mund të cilësohet pa frikë si më e bukura e ditës, ka parë Juventusin dominues në lojë dhe Benfikën nga ana tjetër që të dhuronte spektakël sa herë që dilte në kundërsulme. Në fillim ishte skuadra portugeze që kaloi në avantazh me një super gol të Grimaldo, por në minutat e fundit, Klemenza barazoi për ekipin torinez. Në gjuajtjet e penalltive Juventus u tregua më e saktë duke fituar 4-2.

Në mbrëmje ishte ndeshja më e fortë në letër dhe që në fakt edhe në fushën e lojës rezultoi e tillë. Në stadiumin e Nisës në Francë zbritën Inter dhe Çelësi. Dy gjigandët europianë që kanë bërë ndryshme të mëdha në këtë merkato zbritën në fushë me dy synime, për ta fituar këtë përballje miqësore për prestigj, por njëkohësisht edhe për të testuar lojtarët e rinj të mbërritur gjatë merkatos. Pas gjuajtjes së penalltive ka qenë skuadra londineze që ka dalë e fituar, duke përfituar nga pa saktësia e lojtarëve zikaltër nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit. Vlen të përmend për këtë ndeshje, por edhe për takimet e mëparshme të Inter, që kapiteni i skuadrës, Mauro Ikardi nuk po shfaq një formë të mirë, ndërsa talenti i mbërritur në merkaton e kësaj verë, Lautaro Martinez po jep shenja shumë pozitive.

“Internatonal Champions Cup” do të vijojë deri më datë 12 gusht dhe është turneu më i madh që përballë me njëra tjetrën skuadrat më të rëndësishme europiane para startit të kampionateve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë