Mendim

Çfarë presidenti do të jetë Pendarovksi?

“Një pikë kthese në historinë e Maqedonisë së Veriut”. Kështu e ka konsideruar Stevo Pendarovski zgjedhjen e tij në krye të presidencës maqedonase, duke premtuar të jetë president për të gjithë qytetarët e vendit fqinj.

Ai u betua para deputetëve dhe përfaqësuesve më të lartë të institucioneve shtetërore e fetare se gjatë mandatit pesëvjeçar do të respektojë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe se do t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë marrëdhënie ndër-etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Pendarovski ka thënë se do të jetë presidenti i të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësinë e tyre etnike, fetare apo politike dhe se qëllimi kryesor i tij do të jetë uniteti e jo ndarja e popullit dhe realizmi i aspiratave për anëtarësim në NATO dhe BE.

“Raportet ndëretnike dhe barazpesha mes të gjitha etniteteve kanë qenë gjithmonë fryt i stabilitetit dhe sigurisë sonë të brendshme. Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet sjellja e partive më të mëdha politike, të cilat shpeshherë, pozicionin e tyre ndaj raporteve ndëretnike e kanë shprehur sipas interesave të tyre”, tha Stevo Pendarovski.

Ashtu si gjatë fushatës presidenciale, Pendarovski është ndalur tek procesi i integrimit euroatlantik, si prioritet kryesor i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për të ardhmen dhe zhvillimin e vendit. Në fjalimin e parë pas betimit në Kuvend, ai u zotua se në emër të unitetit kombëtar, do t’i shtrijë dorën opozitës. Ai gjithashtu foli për një rol të ri të kreut të shtetit kundër ndasive shoqërore dhe atyre me bazë etnike.

Stevo Pendarovski

“Do të jem president i të gjithë qytetarëve. Është koha që t’i shërojmë plagët e hapura prej të kaluarës tonë të afërt dhe realisht ta fillojmë pajtimin qytetar pasi nuk kemi një atdhe tjetër rezervë të cilin mund ta quajmë shtëpia jonë. Në këtë rrugë duhet të angazhohem shumë, duke mbajtur llogari për rejtingun tim politik”, theksoi Pendarovski.

Gjithashtu Pendarovski u betua për toleranca zero ndaj krimit dhe korrupsionit dhe se do të jetë mbështetës I të drejtave të qytetarëve dhe medieve. Megjithatë zhgënjimi i qytetarëve nga qeveria e Zoran Zaev për disa çështje kyçe, duke përfshirë reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e ngadaltë ekonomike ka të ngjarë të jetë një nga sfida më të mëdha të mandatit të tij.

55-vjeçari e humbi njëherë garën me ish-presidentin Gjorge Ivanov por 2019-ta duket se ishte viti i tij i fatit. I lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup, Pendarovski është politikan, profesor dhe analist. Ai është diplomuar për sigurinë ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizmin në Universitetin Amerikan të Shkupit.

Pas një karrierë brilante në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Pendarovksi u emërua në vitin 2001 është emëruar si shef i sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikën e jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.

Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me gjithsej 398.077 vota.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga posti i deputetit pasi u emërua si koordinator kombëtar i Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO.

Zoran Zaev dhe Stevo Pendarovksi

Për ekspertët, Pendarovski pritet të ndryshojë raportet e këtij institucioni me Qeverinë, por edhe me komunitetin ndërkombëtar. LSDM-ja është e bindur se me Stevo Pendarovskin në krye të shtetit, Shkupi do të vazhdojë kursin euroatlantik të Qeverisë dhe si dhe konceptin e saj, “Një shoqëri për të gjithë”.

Albert Musliu, analist dhe drejtues shoqatës “Iniciativa Demokratike”, beson se Maqedonia e Veriut do t’i japë fund bllokimit të procesit reformave nga Gjorge Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e dhjetëra ligjeve për shkak të mos pranimit të emrit të ri të shtetit. Po ashtu ndërsa kishte mbajtur zvarrë edhe shumë vendime tjera në politikën e jashtme si emërimin e ambasadorëve, por edhe ratifikimin e marrëveshjeve dypalëshe.

“Nëse ai i përmbush premtimet që i ka dhënë gjatë fushatës mendoj se do të përshpejtohet procesin euroatlantik i të Maqedonisë së Veriut, jo vetëm për faktin se nuk do të ketë dilema për nënshkrimin e ligjeve që janë me rëndësi për vendin, por ai do t’i japë një impuls pozitiv edhe raporteve të vendit me partnerët tanë euroatlantik. Mendoj se do të kemi një president më të përgjegjshëm dhe më vizionar lidhur me ardhmërinë euroatlantike të shtetit”, thotë Musliu.
Pendarovski në u zgjodh falë votave të shqiptarëve, të cilët ishin vendimtare në fitoren e tij. Musliu thotë se ai do të jetë ndryshe nga tani më ish presidenti Ivanov, i cili kishte refuzuar dekretimin e Ligjit për gjuhën shqipe, si dhe zgjidhje tjera që kanë të bëjnë me shqiptarët.

“Pikë së pari mendoj se presidenti i ri do të respektojë plotësisht Ligjin e ri për përdorimin e gjuhëve. Nga ana tjetër, nuk besoj se ai do të bëjë zgjedhje politike të personave sa për t’u parkuar në presidencë. Pres që të mos ketë dilema në këtë temë dhe se relacionet me shqiptarët do të shënojnë një përmirësim më rrënjësor”, thotë Musliu.

Ndërkohë për të tjerë ekpertë, zgjedhja e Pendarovskit ka përçuar një mesazh të qartë për të gjitha partitë politike: qytetarët duan një të ardhme euroatlantike. Sipas analistes Besa Arifi fitorja e tij dëshmoi mbështetjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për konceptin e bashkimit drejt një ardhmërie euroatlantike.

“Në fillim do të thosha se mesazhi që përçuan qytetarët me votën e tyre për LSDM-në është dëshira për bashkimin e të gjithë qytetarëve të jetojnë në Maqedoninë e Veriut drejtë një ardhmërie euroatlantike dhe për një qëllim të përbashkët është koncepti që fiton shumicën në këtë vend dhe kjo është për t’u përshëndetur”, thotë Arifi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë