Ne rrjet

Çfarë po na tregon protesta e rumunëve?

Pesëdhjetë vjet pas shkatërrimit të Pragës dhe pothuajse 30 vjet pas trazirave revolucionare të vitit 1989, Europa Lindore po përjeton një rikthim të egër të autoritarizmit. Rumunët ishin të fundit që u përballën me “grushtin” e hekurt të shtetit, pasi policia përdori forcë brutale për të shtypur protestat masive në Bukuresht. Më shumë se 100,000 emigrantë rumunë erdhën nga e gjithë bota në "Sheshin e Fitores", në kryeqytet, për të protestuar kundër korrupsionit të shfrenuar të qeverisë. Por askush prej tyre nuk e kishte imagjinuar tmerrin me të cilin do të përballej.

Demonstrata të ngjashme, të iniciuara nga komunitetet e diasporës së bashku me grupet vendase, u zhvilluan në çdo qytet të madh të Rumanisë, por policia vendosi të përdorte forcën vetëm në kryeqytet. Rezultati i këtyre përplasjeve tronditi shumë jo vetëm Rumaninë, por edhe institucionet ndërkombëtare jashtë saj. Të ndodhur përballë një manifestimi të madh publik, autoritetet vendosën të sulmonin protestuesit me gaz lotsjellës dhe ujë. Partia Social Demokrate e dinte se nëse protesta do të arrinte në kryeqytet, mund të binin nga karrigia e pushtetit. Korrupsioni duket se është ngulitur thellë në sistemin shëndetësor dhe arsimor të vendit, rrjetet e tij të transportit dhe zyrat postare. Fatmirësisht, reagimi i menjëhershëm kombëtar dhe ndërkombëtar bëri që autoritetet të përmbahen nga përdorimi i mëtejshëm i dhunës, ndërsa protesta vazhdoi përgjatë gjithë fundjavës. Tanimë demonstruesit vazhdojnë të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, por kjo ka pak ngjasa të ndodhë, të paktën jo pa ndërhyrjen e aktorëve të jashtëm.

Rumunët marrin pjesë në një demonstratë përpara selisë së qeverisë rumune, në Bukuresht, më 10 gusht 2018.  Policia rumune përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit

Korrupsioni është mbret

Problemi më i madh i Rumanisë është korrupsioni gjithpërfshirës i klasës sunduese. Ai është kudo, në sistemin shëndetësor dhe arsimor të vendit, në rrjetet e tij të transportit në institucionet financiare, bujqësore dhe sociale. Korrupsioni duket se punon në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe është bërë pjesë e jetës së përditshme të Rumansë postkomuniste.

Për të mbrojtur veten, partia në pushtet ka ndërmarrë një sërë përpjekjesh për të ndryshuar legjislacionin gjyqësor, përpjekje që patën kulmin në korrik të këtij viti me shkarkimin e prokurores kryesore të vendit, Laura Codruza Kovesit. Ajo që po planifikojnë baronët e partisë në pushtet këto ditë është kapja dhe kontrolli me forcë i shtetit, sado e vështirë dhe primitive të duket kjo.

Revolucioni i qytetarëve, i cili ka vazhduar për më shumë se një vit e gjysmë, është rezultat i drejtpërdrejtë i sulmit të vazhdueshëm të qeverisë ndaj demokracisë dhe përpjekjeve të saj për të shkatërruar sundimin e ligjit. Protestat janë një përplasje mes atyre që e duan një shoqëri të hapur dhe sundimin e ligjit, dhe ata që e urrejnë demokracinë. Deri tani, revolucioni i vazhdueshëm nuk ishte i dhunshëm, derisa qeveria zgjodhi të përgjigjej në mënyrë jashtëzakonisht brutale të premten, duke plagosur më shumë se 400 persona, përfshirë këtu edhe një ekip gazetarësh austriakë.

Pamje e plote e protestës anti-qeveritare më 10 gusht, Rumani

Pas arrestimeve arbitrare të protestuesve dhe abuzimeve të tjera fizike, është e drejtë të thuhet se Rumania është bërë Nikaragua e Europës dhe se udhëheqësi i partisë PSD, Liviu Dragnea, është duke luajtur rolin e Daniel Ortegas. Kryeministri Viorica Dăncilă është konsideruar nga të gjitha palët politike si një marionetë patetike e Dragneas. Gafat e panumërta gramatikore kanë bërë të qeshin me lot një komb të tërë. Por pavarësisht sistemit të manipuluar politik, rumunët kanë ende fuqinë për të mbrojtur të drejtat e tyre. Vetëm Presidenti Klaus Iohannis mund të thuhet se i ka dëgjuar protestuesit dhe u bashkua me ta, por ndërhyrjet e tij, të cilat përfshinin një postim në Facebook në orët e vona të mbrëmjes, ishin të paqëndrueshme.

Revolucioni i ri

 Në vitet 1990, Sheshi i Universitetit të Bukureshtit ishte simboli i fuqizimit të qytetarëve në Rumaninë postkomuniste, por tani simboli de fakto i rezistencës së qytetarëve është bërë Sheshi i Fitores. Të ballafaquar me cinizmin e udhëheqësve të tyre, grupet qytetare rumune janë përgjigjur me ironi, imagjinatë dhe solidaritet. Ata nuk janë studentët antikomunistë dhe romantikë të viteve 1990, por një brez shumë i vetëdijshëm për kostot e krimit të organizuar dhe mënyrën se si ai korrupton trupin politik, deri në atë pikë sa bëhet fjalë për jetë ose vdekje.

Ky "gjeneratë e re" protestuesish përfshin njerëz që kanë fituar zakone dhe reflekse të reja, njerëz që e konsiderojnë Bashkimin Europian si garantues të transparencës, sundimit të ligjit, vlerave dhe besimit. Revolucioni i tyre qytetar është pjesë e një lëvizjeje më të madhe kundër abuzimeve të kaluara të një klase politike, e cila ka mbjellë vetëm korrupsion, prapambetje dhe cinizëm. Shpërthim i fundit i protestave në Rumani është dëshmi se qytetarët mund të ngrihen madje edhe mes rrëmujës civile dhe demoralizimit të përhapur nga qeveria. Europa duhet të “jetë sy e veshë” nga Bukureshti, Timisoara, Kluzh, Braşov, Iasi dhe Sibiu. Në një kohë kur Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, po bëhen gjithnjë e më kritike ndaj BE dhe vlerave të saj, rumunët janë të vetmit që po mbajnë një qëndrim pro BE-së, pro NATO -s dhe pro Perëndimit. Por atyre u duhet ndihma e unionit europian për të luftuar diktaturën./Foreing Policy/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë