Shkencë

Çfarë ndodh me trurin kur shikoni një perëndim dielli

Nga Gazeta Si- Të ndalosh për disa minuta për të parë një perëndim dielli mund të duket si një moment i thjeshtë relaksi, por shkenca sugjeron se kjo përvojë ka efekte shumë më të thella në shëndetin tonë mendor dhe fizik. Studiuesit thonë se lindjet dhe perëndimet e diellit mund të ulin stresin dhe ankthin, të përmirësojnë humorin, kujtesën, kreativitetin, cilësinë e gjumit dhe madje të nxisin sjellje më altruiste.

Një nga arsyet kryesore lidhet me ndjesinë e mahnitjes që shkaktojnë këto spektakle natyrore. Psikologët shpjegojnë se kur përballemi me diçka kaq madhështore sa një perëndim dielli, priremi t’i shohim problemet tona në një perspektivë më të gjerë. Kjo ndihmon në ndërprerjen e ciklit të mendimeve negative, ul nivelin e stresit dhe rrit ndjenjën e qetësisë. Studimet tregojnë se natyra është burimi më i zakonshëm i kësaj ndjesie, ndërsa perëndimet e diellit renditen ndër përvojat më të fuqishme.

Përfitimet nuk ndalen vetëm te mirëqenia emocionale. Eksperimentet kanë treguar se përjetimi i emocioneve të forta pozitive përmirëson aftësinë për të përqendruar vëmendjen dhe për të mbajtur mend informacionin. Studiuesit besojnë se mahnitja ndihmon trurin të fokusohet më mirë në momentin e tanishëm, duke rritur kështu edhe performancën njohëse.

Një tjetër efekt i rëndësishëm lidhet me shëndetin afatgjatë. Personat që përjetojnë më shpesh emocione si gëzimi dhe mahnitja kanë nivele më të ulëta të inflamacionit në organizëm, një faktor që lidhet me rrezikun për sëmundje kardiovaskulare, diabet dhe depresion. Përveç kësaj, studimet sugjerojnë se këto emocione i bëjnë njerëzit më të gatshëm të ndihmojnë të tjerët dhe të tregojnë më shumë empati.

Perëndimi i diellit luan rol edhe në rregullimin e ritmit cirkadian, “orës biologjike” që kontrollon ciklin gjumë-zgjim. Drita natyrale e muzgut i sinjalizon organizmit se është koha për t’u qetësuar, ul prodhimin e kortizolit- hormonit të stresit- dhe ndihmon trurin të prodhojë melatoninë, hormonin e gjumit. Në të kundërt, ekspozimi ndaj dritës artificiale dhe ekraneve në mbrëmje mund ta prishë këtë proces dhe të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit.

Sipas ekspertëve, edhe nëse nuk është e mundur të shihen çdo ditë si lindja ashtu edhe perëndimi i diellit, mjafton të kalohen disa minuta në natyrë gjatë muzgut për të përfituar nga këto efekte. Shkencëtarët madje kanë nisur të studiojnë edhe ndriçime artificiale që imitojnë ngjyrat e perëndimit të diellit për të ndihmuar në rregullimin e ritmit biologjik.

Në fund, ajo që shpesh konsiderohet thjesht një pamje e bukur mund të jetë një “terapi” natyrale për mendjen dhe trupin. Për disa minuta çdo mbrëmje, një perëndim dielli mund të ndihmojë jo vetëm të ndihemi më të qetë, por edhe të flemë më mirë, të mendojmë më qartë dhe të përballemi me jetën me më pak stres.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë