Ne rrjet

Cila është njësia elitë e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Histori të lirimit të pengjeve (që kanë shkuar edhe keq)

Ushtria izraelite po përgatitet të hyjë në Rripin e Gazës, por ka mundësi që, në fshehtësi të madhe, ushtarë izraelitë të jenë tashmë të pranishëm. Ekipi i famshëm elitar “Sayeret Matkal” njihet për operacionet e tij të rrezikshme dhe të përgjakshme

Gazeta Si - Ekspertët supozojnë se ushtria izraelite do të mbështetet shumë në përpjekjet e njësisë komando “Sayeret Matkal” për çlirimin e më shumë se 210 pengjeve në Rripin e Gazës.

Me udhëzimet e këtyre “forcave speciale” do të hidhen bomba dhe ushtria do të dërgojë trupat e saj të sulmit.

Dhe aty ku munden, edhe komandot do të marrin masa vetë. Sipas gazetës “The Telegraph”, komandot janë gati për veprime "veçanërisht të rrezikshme".

Gjeneral brigade, holandezi Han Bouwmeester, deklaron se komandot izraelite janë tashmë aktive në Gaza. Ndërkohë vetë Izraeli hesht.

Komandot e njësisë “Sayeret Matkal” janë trajnuar për të eliminuar terroristët, për të liruar pengjet dhe, për shembull, për të depërtuar në tunelet famëkeqe të Hamasit në fshehtësi të plotë, shumë prapa linjave të armikut.

Njësia elitare e ushtrisë izraelite "Sayeret Matkal", e specializuar për lirimin e pengjeve

Historia e forcave speciale shkon prapa në luftën e parë arabo-izraelite në vitin 1948, kur batalioni i 54-të i Brigadës Givati ​​filloi të veprojë fshehurazi edhe në territorin armik.

Këto komando u quajtën “Dhelprat e Samsonit”, sipas historisë biblike në të cilën Samsoni kapi 300 dhelpra dhe i ndoqi nëpër fusha me pishtarë të ndezur të ngjitur në bisht. Pseudonimi përdoret ndonjëherë për komandot izraelite.

Vitet 1950 ishin vitet e hershme të çrregullta të operacioneve speciale. Ndonjë viktimë, pak a shumë nuk u mor parasysh në atë kohë, derisa rreth 60 palestinezë u vranë gjatë infiltrimeve në kampet e refugjatëve palestinezë në vitet 1953-54.

Këto veprime – të udhëhequra nga kryeministri i ardhshëm Ariel Sharon – u dënuan në mbarë botën, duke çuar në çmontimin e njësisë së parë komando të Izraelit. Por komandot nuk ishin zhdukur plotësisht. Gjenerali i famshëm, Moshe Dayan, urdhëroi që njerëzit e atyre njësive të caktoheshin si parashutistët.

Ai donte që përvoja dhe shpirti i tyre të përhapej në të gjithë ushtrinë izraelite që andej. Ndikimi i tyre në ushtrinë izraelite duket të ketë qenë i madh.

Reputacioni i njësisë ushtarake është kthyer në një legjendë jo vetëm në Izrael

Në vitin 1957, u krijua një njësi e re speciale komando, Njësia 154, për të cilën u rekrutuan "vetëm të rinjtë izraelitë më të mirë dhe më të zgjuar".

Një vit më vonë, grupi u nda dhe mori emrin “Sayeret Matkal”, për t'u bërë shpejt njësia komando më e njohur e Izraelit.

Aksioni më goditës i “Sayeret Matkal” ishte çlirimi i pengjeve izraelite nga aeroporti “Ugandan Entebbe” në vitin 1976. Avioni izraelit u rrëmbye në një fluturim nga Tel Avivi në Paris dhe, me urdhër të rrëmbyesve, u ul në Ugandë, ku ruhej nga forcat qeveritare.

Njerëzit e “Sayeret Matkal” zbarkuan në Entebbe, sulmuan avionin, vranë të paktën gjashtë terroristë palestinezë dhe dy gjermanë dhe "dhjetëra" ushtarë nga Uganda dhe u ngritën me aeroplan drejt Izraelit. Tre pengje u vranë në aksion, 102 të tjerë u liruan. Një komando u vra në aksion: komandanti Yonatan Netanjahu, vëllai më i madh i Benjamin Netanjahut.

Kryeministri tha më vonë për vdekjen e vëllait të tij: "Kjo nuk e ka ndryshuar pikëpamjen time për botën, por vetëm e ka forcuar atë".

Vetë Benjamin Netanjahu ishte gjithashtu anëtar i “Sayeret Matkal”. Në vitin 1972, ai mori pjesë në sulmin ndaj një avioni të rrëmbyer në aeroportin e Tel Avivit.

Kryeministri aktual Benjamin Netanjahu (djathtas), gjatë një stërvitje me "Sayeret Matkal", në një foto të publikuar më 1 nëntor 1971

Dy rrëmbyes u vranë dhe 90 pengje u liruan. Netanjahu mori një plumb në krah. Komandanti i tij gjatë fushatës së çlirimit ishte gjithashtu një kryeministër i mëvonshëm izraelit: Ehud Barak.

Megjithatë, një veprim komando në vitin 1974 shkoi plotësisht keq. Palestinezët kishin marrë peng 115 izraelitë, duke përfshirë 105 nxënës, në një shkollë në qytetin Ma'alot.

Ata donin t'i shkëmbenin me 23 palestinezë në burgjet izraelite. Në vend që të negocionte, “Sayeret Matkal” sulmoi ndërtesën vetëm pas një dite.

Palestinezët vranë 25 pengje, pothuajse të gjithë adoleshentë dhe plagosën 68 gjatë sulmit. “Masakra e Ma'alot” është ende njolla më e madhe në reputacionin e njësisë “Sayeret Matkal”.

Që nga ky dështim, “Sayeret Matkal” është vendosur vetëm jashtë vendit, që zakonisht do të thotë në zonat palestineze.

Gjenerali Moshe Dayan (majtas), në vitin 1973. Nën drejtimin e tij, mentaliteti komando u përhap në të gjithë ushtrinë. Në të djathtë, Ariel Sharon, më vonë kryeministër

Shembulli i mrekullueshëm i “Sayeret Matkal” është SAS-i britanik, nga i cili është huazuar jo vetëm stërvitja, por edhe motoja: “Kush guxon, fiton”.

Burrat u trajnuan për "luftën e parregullt" më të ashpër, më të fshehtë, "black-ops", aksione çlirimtare dhe madje edhe vrasje.

Sipas “Times of Israel”, ata mbahen robër, abuzohen dhe merren në pyetje për javë të tëra si pjesë e trajnimit të tyre.

Njësi të tilla si “Sayeret Matkal” nuk janë vetëm legjendare në Izrael, por edhe jashtëzakonisht të njohura. Për ta janë shkruar libra, të cilët nga ana e tyre kanë çuar në filma dhe seriale televizive.

Në Netflix mund të shihni Fauda ('kaos'), modeluar sipas njësisë 217, të quajtur Duvdevan (“qershi”). Ashtu si në jetën reale, në seriale, agjentët hyjnë në qytetet palestineze në mënyrë të fshehtë për të goditur pa mëshirë terroristët.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë