Politike

Censi i popullsisë, Rama: Detyrim patriotik i shqiptarëve për t’u përgjigjur. Pyetje për banesën, biznesin, arsimin dhe emigrimin

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama hapi sot konferencën mbi nisjen e procesit të Censusit 2023 për numërimin e popullsisë dhe analizimit të kushteve socio-ekonomike të shqiptarëve, që nis më 18 shtator.

Duke përmendur historinë e censit të popullsisë, kryeministri Rama bëri thirrje që të gjithë qytetarët të jenë të gatshëm për t’ju përgjigjur këtij pyetësori si një detyrim moral e patriotik.

‘Qytetarët duhet ta kuptojnë që censusi ka një aspekt patriotik. Nuk dua të sjell ndërmend çfarë bënë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ne nuk jemi në të njëjtat kushte. Por është po kaq e rëndësishme të mobilizohen dhe ta bëjnë detyrën e tyre, duke dhënë të dhënat në qëndrimin e tyre në Shqipëri dhe banesat e tyre. Mirëpritja e armatës dhe përgjigja për 10 min është detyrim patriotik. Informacioni është konfidencial” tha Rama duke rikujtuar se censi i parë i mirëfilltë është realizuar 100 vite nga sot, nën drejtimin e Ahmet Zogut, kur u regjistruan 834 mijë frymë.

Kryeministri shtoi se ky cens është mbështetur nga BE, qeveria franceze dhe ajo suedeze, që kanë dhënë 4.8 mln euro për realizimin, ndërsa pjesa tjetër financohet nga vetë qeveria. Teknologjia dhe ‘armata’ e njerëzve janë elementët kryesorë. Sipas tij, përditësimi i të dhënave nga ky cens është me rëndësi edhe për politikat drejtuese dhe përmirësimin e vendimeve që qeveria merr.

“Sot janë pjekur kushtet të nisim këtë proces sipas standardeve europiane. Të dhënat janë me rëndësi për shumë arsye. Pikësëpari për të identifikuar sa qytetarë të këtij vendi jetojnë këtu sot dhe numri i pasurive të tyre të patundshme. Teknologjia e lartë që na jep një ndihmë për të përdorur atë që përdoret në vendet e zhvilluara. Është e rëndësishme dhe për ne që të korrigjojmë politikat ekzistuese në realitetet demografike e të mos nisemi nga lista e votuesve. Ne themi që në Shqipëri marrin pjesë 52-3% në votim, po të kemi parasysh ata që janë këtu. Instat ka një eksperiencë të padyshimtë që është garanci në këtë proces, një nga institucionet e pakta që kur thua është i depolitizuar askush nuk ngre dorën të thotë jo. Nuk përgatit më limonada me shifra dyshifrore. Dhe nuk fshikullohet më nga BE si statistika të pa besueshme” u shpreh kryeministri në fjalën e tij.

Duke përmendur edhe përfshirjen e minoriteteve në këtë proces Rama tha se askush nuk mund t’i japë leksione Shqipërisë mbi grupet minoritare.

“Kemi legjislacion optimal për minoritetet. Jam krenar për mënyrën se si trajtohen minoritetet. Nëse ka probleme për dikë a disa janë probleme që janë njësoj në komunitetet me etni shqiptare. Nuk ka një minoritar të vetëm që të thotë unë kam një problem që lidhet me etninë time. Kjo nuk ndodh për dikë që ka kombësi shqiptare. Leksione për minoritetet Shqipërisë nuk i jep askush”, përfundoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Instat, Elsa Dhuli dha disa detaje më shumë mbi procesin, duke treguar janë 7.500 punonjës që do të dalin në terren për 6 javë me radhë. Dhuli tha se më 30 qershor 2023, të dhënat do të jenë gati për publikun.

“Veçoria dalluese e këtij censi është se bazohet në infrastrukturë moderne teknologjike, në një sistem gjeohapsinor të përmirësuar. Në do të mbledhim të dhëna mbi rezidentët, të dhëna ekonomike, sociale, të nevojshme për të vlerësuar dinamika dhe ndryshime të popullsisë nga censi i fundit. Në çdo fushë, strehim, punësim, arsim, migracion etj. Do të pyesim për ndërtesën, banesën, njësitë ekonomie, vizitorët dhe të larguarit. Armata është e trajnuar. Grumbullimi i informacioneve do të bëhet me pajisje elektronike, mbrohen me kod që të mos keqpërdoren dhe do të shpërndahen në formë të agreguar”, sqaroi Dhuli, drejtuese e Instat.

Në konferencë foli edhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca, i cili e quajti shumë të rëndësishëm zhvillimin e sistemit statistikor të Shqipërisë si burim i informacioneve të besueshme.

“Është rëndësishme që Shqipëria të ketë informacione të besueshme. Ky cens dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemit statistikore në Shqipëri është me shumë rëndësi. Është kapitull kryesor edhe në BE.  Të dhënat e censit janë pjesë e shumë bisedimeve për anëtarësimin në BE. Shqipëria vjen gjithmonë e më afër anëtarësimit në be dhe ka nevojë që informacionet statistikore të jenë të besueshme. Kemi dhënë 4.8 mln euro për Instat.Shqipëria ka bërë shumë rrugë në besueshmërinë e të dhënave dhe modernizimi mund të jetë një shtysë e mëtejshme”, përfundoi ambasadori Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë