Nga Gazeta ‘Si’- Shqipëria po përgatit një Cens të ri të Bujqësisë, i cili do të numërojë dhe regjistrojë të gjitha fermat dhe aktivitetet bujqësore në vend. Censi do të zgjasë deri në 2028-n dhe për këtë, INSTAT kërkon 1.08 mld lekë buxhet.
Konkretisht, pjesa më e madhe e shpenzimeve është për vitin 2026, me rreth 978.341. 000 lekë. Për vitin 2027 janë parashikuar 66.425.000 lekë, ndërsa për vitin 2028 rreth 32.233.000 lekë.
Në këtë buxhet përfshihen paga për stafin dhe anketuesit, shpenzime për mbledhjen e të dhënave në terren, udhëtime, qira zyrash dhe automjetesh, fushata informimi, si dhe investime në pajisje teknologjike si servera dhe sisteme cloud për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave.
Në cens do të përfshihen të gjithë ata që punojnë tokë ose mbajnë kafshë, edhe nëse prodhojnë vetëm për përdorim familjar. Anketuesit do të shkojnë në ferma dhe shtëpi për të mbledhur informacione mbi drejtuesin e fermës, përbërjen e familjes, sipërfaqen e tokës, kulturat bujqësore, numrin e bagëtive apo bletëve dhe mënyrën e punës në fermë.
Ligji parashikon masa të forta për personat që refuzojnë të përgjigjen ose japin të dhëna të pasakta dhe mund të gjobiten nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.
Gjithashtu, gjatë periudhës së censusit nuk do të lejohen anketa të tjera private në zonat rurale pa leje të posaçme, dhe edhe shkelja e këtij rregulli ndëshkohet me gjobë.
Autoritetet thonë se të dhënat do të jenë plotësisht konfidenciale dhe nuk do të përdoren për qëllime si taksa apo kontrolle administrative. Emrat e qytetarëve nuk do të publikohen dhe do të dalin vetëm statistika të përgjithshme për çdo zonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje