Nuk është vetëm ajo që hani, por edhe mënyra se si mendoni për të që ka rëndësi. Lidhja mendje-trup mund të formësojë oreksin tonë, sepse pritshmëria jonë për atë që kemi ngrënë ndikon në perceptimet e trurit për urinë dhe ngopjen.
Studimet theksojnë se humbja e peshës nuk lidhet vetëm me atë që hamë, por edhe me mënyrën si e perceptojmë ushqimin. Njerëzit kanë një prirje natyrale për ushqime të pasura me kalori, ndërsa mjedisi modern, i mbushur me produkte ultra të përpunuara, e bën edhe më të vështirë ruajtjen e një diete të shëndetshme, shpesh duke shkaktuar edhe ndjenja faji.
Një nga gjetjet më interesante vjen nga eksperimente që tregojnë se besimi për atë që konsumojmë mund të ndikojë më shumë sesa vetë përmbajtja kalorike. Në një studim, pjesëmarrësit pinin të njëjtin milkshake, por ata që besonin se ishte më i pasur dhe “i shijshëm” përjetonin një rënie më të madhe të hormonit të urisë (ghrelin), duke u ndjerë më të ngopur.
Ndërsa ata që mendonin se po konsumonin një version “dietik” ndiheshin më pak të kënaqur. Kjo tregon se mendësia e privimit mund të pengojë humbjen e peshës, pasi trupi reagon sikur nuk ka marrë mjaftueshëm ushqim.
Edhe mënyra si etiketohen ushqimet ka ndikim. Produktet e përshkruara si “të shëndetshme” shpesh perceptohen si më pak të shijshme, duke bërë që njerëzit të ndihen më pak të ngopur dhe të hanë më shumë më pas.
Përkundrazi, kur theksohet kënaqësia dhe shija, rritet probabiliteti që ushqimi të shijohet dhe të japë ndjesi më të madhe ngopjeje. Gjithashtu, ndjenjat e fajit për konsumimin e ushqimeve të shijshme mund të ndikojnë negativisht në përpjekjet për të humbur peshë.
Në vend që të përqendrohemi vetëm te kufizimet, studiuesit sugjerojnë një qasje më të balancuar: të ushqehemi me produkte natyrale dhe të papërpunuara, të reduktojmë ushqimet ultra të përpunuara dhe të zhvillojmë një “mentalitet kënaqësie” ndaj ushqimit. Kjo do të thotë të besojmë se trupi ynë di të kërkojë atë që i nevojitet dhe të shmangim idenë e vazhdueshme të privimit.
Në këtë kuptim, edhe konsumimi i rastësishëm i një ëmbëlsire, nëse shijohet pa faj dhe në kuadër të një diete të ekuilibruar, mund të jetë pjesë e një stili jetese të shëndetshëm dhe të ndihmojë në menaxhimin e peshës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje