Ne rrjet

Çekia nuk tërhiqet nga Pavarësia e Kosovës!

Deklaratat e presidentit çek në Beograd, Milo Zeman, për tërheqjen e Pragës nga pavarësia e Kosovës, duket se është hedhur poshtë nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm i këtij vendi të BE.

Kryeministri Andrej Babis deklaroi të enjten se Çekia nuk ka asnjë arsye të ndërrojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës.

Pasi Prishtina anuloi pjesëmarrjen në Samiti e Pragës me liderët e vendeve të Vishegradit dhe Ballkani Perëndimor, Ministria e Punëve të Jashtme të Çekisë, duket ka mbyllur perden e një shfaqjeje të keqe të nisur nga presidenti pro-rus i vendit,

Në një njoftim ajo thotë se Republika Çeke e ka njohur plotësisht dhe në mënyrë përfundimtare pavarësinë e Republikës së Kosovës, duke sqaruar që asnjëherë në histori nuk ka ndodhur që Praga zyrtare të tërheqë njohjen për ndonjë shteti.

Presidenti serb dhe Milos Zeman, Gazeta Si, 13 shtator 2019

“Qeveria e Republikës së Çekisë e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka dhënë pëlqimin për vendosjen e raporteve diplomatike me Prishtinën. Është njohje ‘de jure’, pra është njohje e plotë dhe përfundimtare nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar”, thuhet në faqen e Ministrisë.

Në këtë deklaratë, gjithashtu, kujtohet fakti se Kosova është njohur nga rreth 100 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe se është pranuar në disa organizata ndërkombëtare, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“Republika e Çekisë pa dyshim që ka një interes për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare me Republikën e Kosovës, përfshirë këtu edhe obligimet që dalin nga bashkëpunimi dypalësh”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Çekisë.

Këto reagime erdhën pas deklaratave të Presidentit Zeman gjatë një vizite në Beograd, ku deklaroi se për aq kohë sa në Kosovë qeverisin kriminelët e luftës, ai nuk do ta pranojë pavarësinë e saj.

Në një vizitë në Moskë gjatë vitit të kaluar, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, Zeman deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij kishte hapur “kutinë e Pandorës” dhe ka nxitur një proces të rrezikshëm të ndryshimit së kufijve nëpër botë.

Ndërkohë reagime ka pasur edhe nga Serbia. Presidenti Aleksandër Vuçiç, ka thënë se vlerëson qëndrimin e Zemanit në raport me Kosovën, megjithatë ka treguar se nuk e sheh si diçka reale që Çekia të tërheqë njohjen për pavarësinë e Republikës së Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë