Ne rrjet

Çekia, një vend i BE mund të tërheqë njohjen e Kosovës?

Çekia mund të bëhet vendi i parë i BE-së që mund të tërhiqet nga njohja e pavarësisë së Kosovës, një vendim që sipas presidentit po merret tanimë në konsideratë nga Praga zyrtare.

Pak ditë para vizitës së tij në Beograd, presidenti Milos Zeman, i cili njihet për qëndrimin e ashpër ndaj shqiptarëve ka deklaruar se nuk e përjashton mundësinë që vendi tij të tërheqë vendimin për njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur, duke ngritur jo pak spekulime në Prishtinë. Raportet dolën fillimisht nga mediat serbe, për t’u përhapur më pas edhe nga ato çeke, të cilat, gjithashtu, theksojnë se presidenti Zeman është i vetëdijshëm se një vendim i tillë do të jetë “ i vështirë për t’u zbatuar”.

Arsyeja e këtij vendimi, sipas Presidentit Zeman janë kriminelët e luftës dhe roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke thënë se kriminelët e luftës nuk duhet të udhëheqin asnjë vend në Europë, presidenti çek ka njoftuar se ai është i një mendimi me ministrin çek të Mbrojtjes, se njohja e Kosovës është një “gabim diplomatik".

Presidenti Milos Zeman, Gazeta Si, 7 shtator 2019

Zeman këmbëngul se kryeministri i Kosovës ka një të kaluar interesante, por nuk mund të gjykohet për krime lufte sepse sipas tij, me siguri dëshmitarët u vranë.
Duke folur për vizitën e ardhshme në Serbi, ai pranoi se tema e Kosovës do të ishte me siguri pjesë e bisedimeve me tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. “Çekia mbështet pranimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian me përjashtim të Kosovës”, tha ai.

Ky qendrimi i presidentit çek duket se vjen si rezultat i lobimit të diplomacisë serbe, e cila duket të jetë e angazhuar jo vetëm që asnjë vend i ri mos të njohë pavarësinë e Kosovë, por edhe për tëheqjen e njohjeve nga shtetet që e kanë marrë tanimë këtë vendim. Serbia pretendon se 15 shtetet të OKB-së e kanë tërhequr deri më tani njohjen e Kosovës, por një skandal i fundit i publikuar nga mediat afrikane zbuloi se Beogradi po paguante miliona euro për tërheqjen e pavarësisë së Kosovës.

Nga ana tjetër, tensionet mes dy vendeve duket se janë rritur në prag të ndeshjes Kosovë-Çeki, pasi Prishtina zyrtare njoftoi arrestimin e disa shtetësive çekë të cilin planifikonin të ngrinin një dron me pankartën “Kosova është Serbi” sonte në mbrëmje. Tetë tifozët çekë, janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Ferizaj, pasi janë kapur në flagrancë me flamur serbë, një flamur anti-kombëtar dhe një dron që dyshohet se do ta përdoronin në ndeshjen e Kosovë – Çeki. Ata ishin të pajisur po ashtu me radiomarrës dhe gjashtë thika.

Flamuret serbë dhe droni i çekëve të arrestuar në Kosovë. Gazeta Si, 7 shtator 2019

Fryma anti-Kosovës në Çeki duket se është rritur përgjatë viteve të fundit me fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike Beograd-Pragë. Çekia e njohur pavarësinë e Kosovës një muaj pas shpalljes së saj në prill të vitit 2008, mes një sërë debatesh të brendshme dhe Zeman ishte një nga zërat kundërshtarë.

Presidenti çek është shprehur hapur kundër Kosovës edhe në të kaluarën, duke e etiketuar si një shtet shumë të çuditshëm me një ndikim të fortë mafioz.

Në një vizitë në Moskë gjatë vitit të kaluar, ku u takua me presidentin rus, Vladimir Putin, Zeman deklaroi se njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi i tij kishte hapur “kutinë e Pandorës” dhe ka nxitur një proces të rrezikshëm të ndryshimit së kufijve nëpër botë.

Kreu rus, Vladimir Putin dhe Presidenti Milos Zeman, Gazeta Si, 7 shtator 2019

Po ashtu në një intervistë me gazetën serbe “Večernje Novosti” , presidenti është shprehur në fillim të 2019-ës, se ai vetë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe e quajti Presidentin aktual të Kosovës Hashim Thaçi një kriminel lufte.

Zeman mbështeti qëndrimin e Serbisë duke deklaruar se kishte të drejtë të mos njihte pavarësinë e Kosovës.

“Unë personalisht nuk e kam njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se unë kurrë nuk kam emëruar një ambasador të Republikës Çeke në Prishtinë ” tha presidenti çek. "Unë kam thënë vazhdimisht se Hashim Thaçi është një kriminel lufte" shtoi ai.

Zeman ka kritikuar përfaqësuesit e Kosovës në të kaluarën. Vitin e shkuar, gjatë vizitës së tij në Serbi, ai deklaroi se formimi i ushtrisë së Kosovë do të nënkuptojë ripajisjen e pjesëtarëve të ish-ushtrisë çlirimtare të Kosovës, të cilët sipas tij, shkaktuan akte terroriste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë