Interviste

Çejku: Cakaj do të sjellë kosto, fut në qorrsokak diplomacinë

Caktimi i Gent Cakajt si Mnistër i Jashtëm nga kryeministri Edi Rama do të sjellë probleme të reja dhe të panjohura më parë, të cilat do të vijnë si rezultat i ambiguitetit të kompetencave të deleguara nga Ministri Kryeministër tek Zëvendësministri Ministër. Kështu shprehet ish-ambasadori Arben Çejku në intervistën e dhënë për Gazeta "Si" në lidhje me zhvillimet e fundit në kreun e diplomacisë shqiptare.

Anëtari i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, një organizëm kolegjial ku bëjnë pjesë diplomatë dhe ish-ministra të Jashtëm, kjo krizë artificiale do të ketë kosto edhe në arenën ndërkombëtare sa i përket mënyrës së përfaqësimit të Shqipërisë.

"Rama e futi ekzekutivin e diplomacisë dhe gjithë përfaqësinë tonë diplomatike në një qorrsokak dhe model të panjohur më parë nga askush. Ndaj të njëjtin opinion me shumë kolegë të mi, se ky është një imponim me shumë kosto për politikën tonë të jashtme", shprehet diplomati në intervistën e tij.

Z.Çejku, Shqipëria u përfshi kohët e fundit në debatit për caktimin e ministrit të Jashtëm. Kandidatura e Gent Cakajt u refuzua të dekretohej nga ana e presidentit Ilir Meta si kryediplomat i Shqipërisë. Ngërçi institucional u zgjidh në momentin kur kryeministri Edi Rama mori edhe postin e ministrit të Jashtëm. Ju jeni anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Kohë më parë Këshilli i kërkoi kryeministrit Edi Rama që të rivlerësojë kandidaturën e Cakajt, por përpos kësaj kryeministri ia delegoi përfaqësimin zv.ministrit Gent Cakajt si kryediplomat. Si e komentoni ju një vendim të tillë, si do të ndikojë në arenën ndërkombëtare një përfaqësim i një niveli të tillë?

Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë e ka dhënë qëndrimin e tij në një moment të caktuar të krizës së emërimit apo mosemërimit të titullarit të Ministrisë së Jashtme dhe unë e kam mbështetur atë. Mirëpo, në atë moment, ky Këshill nuk e parashikoi dot zgjatimin e kësaj krize përmes krijimit të një krize të re. Unë mendoj se tashmë, kemi një “zgjidhje”administrative të problemit të drejtimit të kësaj ministrie, e cila ka krijuar më shumë konfuzion sesa ditën kur nuk u dekretua Cakaj.

Ngërçi institucional është komplikuar edhe më shumë dhe, në të ardhmen e afërt, do të kemi probleme të reja, të panjohura më parë që do të vijë si rezultat i ambiguitetit të kompetencave të deleguara nga Ministri Kryeministër tek Zëvendësministri Ministër!

I bindur se Presidenti Meta ka abuzuar me të drejtat e tij kushtetuese, Kryeministri Rama mund të zgjidhte në vend të Cakajt një emër tjetër dhe përplasja Rama – Meta mund të zgjidhej në Gjykatën Kushtetuese, siç ka premtuar vetë zoti Rama. Mirëpo, kokëfortësia mbizotëroi mbi arsyen dhe vendosja me çdo kusht e Cakajt në krye të diplomacisë, pikë së pari unë mendoj se i ka sjellë dhe do t’i djellë dëme vetë zotit Rama.

Profili i përfaqësimit ndërkombëtar është cënuar rëndë dhe pavarësisht besnikërisë bio-politike që Cakaj i siguron Ramës, fuqia e tij negociuese dhe përfaqësuese do të hasë probleme të mëdha që nisin me skepticizmin dhe mund të vazhdojnë më shumë elementë të tjerë. Mjafton fakti që ky ministër në detyrë, që formalisht quhet Zëvendësministër, u kontestua gjerësisht nga opinioni publik dhe nuk ka besueshmërinë institucionale të Presidentit, do të ndikojë në zhvlerësimin e përpjekjeve që Caka do të bëjë në të ardhmen. Minimalisht, marrëdhënia e Presidencës me Ministrinë e Jashtme do të jetë më problematikja që kemi patur ndonjëherë.
Pa hyrë në morinë e elementëve të tjerë, që lidhen me krizën që do të shoqërojë diplomacinë tonë dhe kryediplomatin në detyrë, (që një koleg e cilësonte “I ngarkuari me punë në ministrinë e Jashtme”, dua të theksoj se, me sjelljen e tij në MPJ), mendoj se ishte vetë zoti Rama që i dha shkelmin e parë zotit Caka. Nëse Rama, ditën e prezantimit të tij si Ministër i Jashtëm, do mbante një fjalim më të gjatë dhe të paraqiste disa objektiva serioze të drejtimit të MPJ-së, do ta bënte më të pranueshme edhe vetë zgjidhjen ex cathedra, që gjeti përballë Presidentit.
Mirëpo, përkundër marrjes formale të detyrës (qoftë edhe me zor) Kryeministri në paraqitjen e tij si Ministër i Jashtëm, u duk sikur ndjehej i fyer që do ishte edhe kryediplomati i Shqipërisë.Edhe forma sesi ja delegoi kompetencat Cakës, u duk qartë si një flakareshë që ai i dha diplomacisë shqiptare, a thua se ajo ia kishte fajin pse ai u detyrua të merrte kompetencat e ministrit të Jashtëm!
Natyrisht që diplomatët rrogtarë që ishin prezentë, mbetën pa fjalë dhe nuk mund të flisnin përballë asaj shfaqjejetë shëmtuar teatrore, ku diplomacia dhe profesionalizmi i tyre shkelej dhunshëm me këmbën e autokratit, por gjithë bota pati sy dhe e di se kush dhe si e përfaqëson tashmë diplomacinë shqiptare.

Këshilli i sugjeroi me urtësi zotit Rama të gjejë një figurë të re për të drejtuar diplomacinë. Por edhe nëse ai zgjodhi të jetë vetë në krye të saj, përsëri ky nuk ishteshqetësimi më i madh. Unë mendoj se problemi u bë serioz, kur Kryeministri në cilësinë edhe të Ministrit të Jashtëm i delegoi të gjitha kompetencat tek një “vartës”, që në rastin konkret nuk është as Ministër, por zv/Ministër.

Ai e futi ekzekutivin e diplomacisë dhe gjithë përfaqësinë tonë diplomatike në një qorrsokak dhe model të panjohur më parë nga askush. Ndaj të njëjtin opinion me shumë kolegë të mi, se ky është një imponim me shumë kosto për politikën tonë të jashtme. Uroj që kohë të mos më japë të drejtë!

Kryeministri Rama, mund t’ja imponojë figurën e zotit Caka opinionit të brendshëm dhe institucioneve që ka në varësi, por ai nuk mundet t’ua imponojë atë kancelarive të huaja. Asnjë mesazh urimi nuk ka mbërritur deri tani dhe nuk besoj se do të mbërrijë për këtë rast. Kjo tregon shumë, në simbolikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

A mund të ketë të drejtën z.Cakaj të negociojë në lidhje me çështjet kryesore mes shteteve apo të zhvillojë takime me ministra të Jashtëm, apo që të vendosë sa i përket marrëveshjes së detit me Greqinë? Kam parasysh këtu faktin kreu i shtetit, Ilir Meta me deklarimet e tij u shpreh: Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë. Kjo duke nënkuptuar se do të refuzonte që Cakaj të ishte personi që do të negocionte me Shqipërinë.

Formalisht, duket se po. Zoti Cakaj e ka tagrin për të negociuar, për të firmosur shkresat e përditshme, për të ekzekutuar urdhra dhe për të marrë vendime për çësthje të brendshme të ministrisë. Lidhur me bisedimet me Greqinë, do të ketë një debat shumë të ashpër institucional dhe unë, sapo e përmenda më lart se, kalimi i kompetencave nga Rama tek Caka, nuk e ka zgjidhur problemin real të drejtimit dhe përfaqësimit të Ministrisë së Jashtme. Do të jenë shumë veprime dhe vendime të zotit Caka që do të kërkojnë interpretim kushtetues dhe në emër të mbrojtjes së Kushtetutës, Presidenti do të duhet të reagojë.

Një nga këto është edhe veprimi i zotit Rama, i cili tha se “ja delegoj të gjitha komnpetencat për brenda dhe jashtë vendit”. Kjo shprehje krijoi përshtypjen se Rama dha dorëheqje si Ministër i Jashtëm dhe në vend të tij do të ishte Caka, të cilin e bëri de facto ministër të Jashtëm. Ky akt, kërkon patjetër interpretim kushtetues, për të përcaktuar se deri ku mund të shkojë kompetenca, përgjegjësia dhe detyra e një zëvendësministri, që vepron si një ministër! Kam përshtypjen se Presidenca po pret rastet konkrete, kur Caka, në zbatim të vendimit të Ramës, të tejkalojë kompetencat kushtetuese dhe atëherë të reagojë.

Keshilli i Ambasadoreve Shqiptare, ne takim me ambasadorin e BE, Luigi Soreca


Maksimumi që mund të bëjë Cakaj dhe ekipi i tij është të përgatisë draftet e marrëveshjeve, por ato duhen firmosur nga Rama. P.sh, edhe në rastin e propozimit për emra të ambasadorëve që emërohen ose shkarkohen, duhet që shkresat të kenë emrin dhe firmën e Ramës dhe nuk mund të kalojnë me emrin dhe firmën e Cakës. Po ashtu, Rama duhet të presë ambasadorët dhe kopjet e kredencialeve të ambasadorëve të huaj në cilësinë e Ministrit dhe natyrisht edhe si Kryeministër. Në aspektin protokollar, Caka duhet të qëndrojë në krahun e ministrit të Jashtëm, Rama dhe nuk mundet të tejkalojë protokollin shtetëror, normat kushtetuese dhe ligjet e shtetit.
Çdo eksperiment dhe injorim i kuadrit ligjor do të ketë pasoja për cilësinë e shërbimit tonë të jashtëm, por edhe do të shërbejë si ushqim për debatin e brendshëm politik. Shqipëria kishte dhe ka sfida të shumta dhe, në këndvështrimin tim, e gjithë kjo krizë artificiale që rrethon diplomacinë shqiptare sot, është një luks i tepruar!

Ka pasur shumë debate sa i përket kursit që mund të ndjekë Tirana zyrtare në arenën ndërkombëtare apo sa i përket zhvillimeve rajonale pas largimit të kryediplomatit Ditmir Bushati. Çështja me nxehtë që po diskutohet është ideja së hedhur për korrigjimin e kufijve, si pjese e një marrëveshje të re mes Kosovës dhe Serbisë. Vetë Cakaj me deklaratat e tij në mediat vizive ka lënë të kuptohet se është pro një gjëje të tillë. Cili mendoni ju se duhet të jetë qëndrimi i Tiranës zyrtare në lidhje me këtë çështje?
Që në fillim dua të theksoj se, pas gjithë atyre debateve që u bënë rreth deklaratës së zotit Cakaj për këndvështrimin e tij për korrigjimin e kufijve, tani që ka marrë kompetencat e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe do të përfaqësojë diplomacinë e këtij vendi, i takon atij që të qartësojë pozicionin e vet lidhur me këtë çështje. Nëse pati keqkuptime dhe keqinterpretime për një intervistë, që ai kish dhënë në “Zona B” të B. Haxhiut në “Klan Kosova” apo edhe në ndonjë vend tjetër, tashmë e ka kohën dhe hapsirën e mjaftueshme për të qartësuar pozitën e tij dhe të ministrisë, që de facto ai e drejton.

Po ashtu, jo vetëm për të qartësuar pozitën e tij, por edhë për të përcaktuar drejtimet e punës dhe objektivat kryesore të MPJ-së, përfshi çështjen e Kosovës, ai duhet që edhe në emër të ministrisë të paraqesë qëndrimin që do të mbahet. Ne duam të dimë se cili do të jetë pozicioni i diplomacisë sonë zyrtare në raport me bisedimet e reja Prishtinë – Beograd, sepse në fund të fundit, kjo çështje lidhet me interesin tonë kombëtar. Dhe tek interesi ynë kombëtar nuk ka monopol askush, as vetë zoti Rama apo zoti Caka. Zoti Caka e ka të lehtë që të përsërisë atë qëndrim që ka mbajtur zoti Bushati lidhur me bisedimet dhe qëndrimet e përgjithshme të Shqipërisë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë me anë të një deklarate vërejti se kandidatura e përzgjedhur nga Kryeministri Rama për të emëruar Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, Zoti Gent Cakaj, ka ngjallur një shqetësim të madh në një pjesë të gjerë të opinionit publik, përfshirë edhe shumicën e anëtarëve të këtij Këshilli. Ky lloj kontestimi cilësohet si i pashembullt për asnjë nga ministrat e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë gjatë këtyre 29 vjetëve demokraci, mbështetet në perceptimin publik të personalitetit të Zotit Caka si pa cilësitë e nevojshme profesionale për të mbajtur barrën e një detyre të tillë më rëndësi kombëtare. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bëri thirrje Kryeministrit Rama ta rivlerësojë kandidaturën e ministrit në fjalë, duke mbajtur më mirë parasysh interesin publik dhe kombëta, por kjo nuk u mor në konsideratë.

Për fat të keq Kryeministri nuk e mori në konsideratë këshillën e urtë të këtij organizmi dhe injoroi shumë zëra të tjerë të arsyeshëm, brenda mazhorancës dhe jashtë saj, kur u diskutua emri i zotit Caka. Ai e imponoi atë emër, si edhe shumë ministra të tjerë përballë Asamblesë së PS-së, e cila nuk pati mundësi të reagonte fare. Madje as Kryesia e PS-së nuk reagoi dot. Kjo formë imponimi nuk është ndeshur kurrë më parë dhe kjo është një çështje që i tejkalon modelet problematike që kemi patur në të kaluarën e tranzicionit. Edhe formalisht, u duk se zoti Rama kërkon të diktojë dhe të dëshmojë plotfuqishmërinë e tij. Këtu nuk është fjala për emra të caktuar, por për modelin që ofrohet në zëvendësimin e titullarëve të institucioneve. Ky model dhe ky arsyetim (kush ka 5 vjet në detyrë), nuk është hasur në asnjë enciklopedi administrative dhe, kam përshtypjen se kjo ka lënë një shije të hidhur tek partnerët tanë ndërkombëtar dhe do të ketë pasojat e veta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë