Futboll

Ceferin i prerë: Jo finale Championsi jashtë Europës!

Ditët e fundit, një radio spanjolle ka bërë me dije se  finalja e Champions League për vitin 2021 mund të luhet në Amerikë, në Nju Jork. Por ai që qartëson gjithçka për këtë temë është vetë presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, i cili e ka përgënjeshtruar lajmin. Me anë të një komunikate, që është publikuar nga “AS” në Spanjë, Ceferin shprehet se ideja për zhvillimin e një finaleje të Championsit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është diskutuar asnjëherë në “qeverinë” e futbollit europian.

“Për momentin, UEFA nuk ka në plan të organizojë një finale të Champions League jashtë Europës”, - thekson mes të tjerash presidenti Ceferin, duke e prerë shkurt. Kohët e fundit, në Amerikë janë organizuar turne të ndryshëm verorë, ku kanë marrë pjesë edhe skuadrat më të mëdha europiane, por për ndeshje zyrtare të kompeticioneve europiane as që bëhet fjalë për momentin, pasi kreu i UEFA-s e ka përjashtuar këtë mundësi. Vetëm Spanja ka vendosur që një ndeshje kampionati ta zhvillojë në Amerikë.

Trofeu i Champions League

Vitet e fundit ka pasur një strategji nga UEFA që ndeshjet finale të Champions League, Europa League, apo edhe të Superligës së Europës, të luhen edhe në stadiume të shteteve të vogla. Pra, të ketë një shpërndarje më të gjerë në organizimin e këtyre finaleve në shtete të ndryshme. Rasti i fundit ishte finalja e Superkupës së Europës, që u luajt në Estoni, ndërkohë që edhe Shqipëria synon të presë një finale europiane në stadiumin e saj “Arena Kombëtare”, që është në ndërtim e sipër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë