Analize

Ç’do të sjellë hyrja e Maqedonisë në NATO për Ballkanin?

Pas më shumë se dhjetë orë konfrontimesh, deputetët maqedonas mbështetën të premten propozimin historik për ndryshimin e kushtetutës, duke i hapur rrugën ndryshimit të emrit dhe anëtarësimit të Shkupit në NATO. Parlamenti votoi në favor të propozimit kyç për pranimin e marrëveshjes së arritur me Greqinë fqinje në qershor të këtij viti, duke “ringjallur” shpresat europianë të Maqedonisë.

Qeveria socialdemokrate e Kryeministrit Zoran Zaev arriti të merrte mbështetjen e deputetëve të opozitës, duke arritur shumicën prej dy të tretash. Parlamenti votoi 80-39 në favor të propozimit për ndryshimin e emrit, ndërkohë që procesi pritet të fillojë formalisht brenda dy javëve të ardhshme.  

"Sot është një ditë historike për vendin," tha kryeministri Zoran Zaev. "Maqedonia do të jetë pjesë e familjes europiane dhe do të përmbushim ëndrrat dhe vizionet tona për një jetë më të mirë në një vend më të mirë".

Pak pas votimit në parlamentin maqedonas, edhe Tsipras festoi gjithashtu rezultatin e seancës historike. "Sot është një ditë historike dhe simbolike ... është një ditë gëzimi që dëshmon rolin dinamik që Greqia luan në stabilizimin e Ballkanit dhe Europës Juglindore", tha ai.

Një grup i anëtarëve të të VMRO-DPMNE bojkotojnë votimin 

Sipas rregullores së parlamentit, miratimi i plotë i amendamenteve që do të ndryshonin emrin e vendit, mund të zgjasë më shumë se tre muaj. Qeveria ka filluar përgatitjen e amendamenteve aktuale të kushtetutës për t’i paraqitur ato në një votim të përsëritur, i cili do të kërkonte një shumicë të thjeshtë. Nëse deputetët do të miratojnë projekt-amendamentet, ato do të duhet të diskutoheshin edhe njëherë në një debat publik, pas të cilit parlamenti do të duhet të votojë për herë të tretë dhe të fundit. Votimi i tretë do të kërkojë sërish një shumicë prej dy të tretash. Nëse edhe votimet e tjera të procesit të ndryshimit të emrit janë të  suksesshme siç edhe pritet, Maqedonia fqinje duket se do të ndjekë rrugën e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO. Protokolli i pranimit në aleancë  mund të nënshkruhet sipas ekspertëve në janar të vitit 2019. Në rastin më të keq, Republika e Maqedonisë Veriore do të bëhet shteti më i ri anëtar i aleancës ushtarake deri në fund të vitit 2019-ës.

Çfarë do të sjellë anëtarësimi i Maqedonisë për rajonin?

Udhëheqësit e NATO-s kanë ftuar zyrtarisht Maqedoninë që të fillojë bisedimet e anëtarësimit në aleancën perëndimore. Në samitin e fundit të mbajtur në korrik të këtij viti, krerët e aleancës përshëndetën marrëveshjen historike midis Athinës dhe Shkupit për zgjidhjen e çështjes së emrit. Maqedonia tashmë është pjesë e Planit të Veprimit për Anëtarësim (MAP), i cili është një program i këshillimit të NATO-s i përshtatur për nevojat individuale të vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen në aleancë. Pjesëmarrësit aktualë janë Bosnja Hercegovina dhe Maqedonia.

Analisti ushtarak Aleksandar Radiç thotë se Maqedonia ka dëshmuar të jetë një partner i qëndrueshëm i NATO-s dhe ka marrë pjesë në operacione në Irak dhe Afganistan më shumë se disa anëtarë të tjerë të aleancës ushtarake.

Sipas Radiç, nëse Maqedonia bëhet anëtari i 30-të i Aleancës, Bosnja dhe Hercegovina pothuajse me siguri do të bëhej e 31-ta, gjë që do të detyronte Serbinë të rishikojë edhe njëherë neutralitetin ushtarak të saj.


Zoran Zaev  dhe Jens Stoltenberg 

"Për opinionin publik në Serbi, neutraliteti ushtarak shihet si mesazh kundra hyrjes në NATO ", shprehet Radiç. Ai shtoi gjithashtu se situata e sigurisë në rajon do të ishte "më e parashikueshme" për shkak të mekanizmave efektiv të NATO-s për të parandaluar konfliktet.  

Pas pranimit të Maqedonisë në NATO, të vetmet vendet në Ballkan jashtë NATO-s do të jenë Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Edhe pse anëtarët e presidencës së Bosnjes ishin unanim në lidhje me vendimin për tu bashkuar me Planin e Veprimit për Anëtarësim, kushtet e vendosura nga aleanca nuk janë përmbushur ende. Në mënyrë efektive, kjo do të thotë që të gjitha pronat e paluajtshme të mbrojtjes në vend duhet të regjistrohen si pronë shtetërore, për përdorim nga ministria e mbrojtjes. Ky kusht i ka dhënë udhëheqësve të Republika Srpska një justifikim për të penguar anëtarësimin në NATO. Përveç kësaj, në dhjetor të vitit të kaluar, Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska miratoi një rezolutë mbi mbrojtjen e neutralitetit ushtarak, duke e quajtur Serbinë si një partner me të cilin do të diskutohet i gjithë koordinimi lidhur me çështjen e anëtarësimit.

“Integrimi në NATO është përparësi kryesore për Bosnje Herzegovinën përkrah integrimit të saj europian, tha nga ana tjetër ministrja e Mbrojtjes, Marina Pendes, disa muaj më parë duke u shprehur optimiste se Bosnja do të mund të anëtarësohej deri në fund të vitit.

Aleksander Vučić dhe Jens Stoltenberg

Marko Savković, Drejtor Programi i Fondit të Beogradit për Përsosmëri Politike, shprehet se marrëveshja me Greqinë sjell tre përfitime kryesore për vendin dhe rajonin. Sipas tij, duke u anëtarësuar në NATO, Maqedonia do të siguronte kufijtë e saj dhe integriteti i Shkupit do të bëhet i padiskutueshëm. Përfitimi i dytë është sipas tij intensifikimi i bashkëpunimit rajonal për sigurinë. Savkoviq deklaron gjithashtu se pranimi i Maqedonisë në NATO do të ulte ndikimin e Rusisë dhe Turqisë në rajon.

Savković vlerësoi se eksperienca negative e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në 1999 është ende prezentë në Serbi, por shton gjithashtu se Beogradi ka bashkëpunuar disa NATO-n për çështjen e Kosovës.  "Është koha që elitat dhe qytetarët të kuptojnë se pranimi në NATO, dhe më pas BE do të sjellë standarde më të larta ekonomike për serbët. Duhet të ndjekim shembujt e shteteve baltike, Europës Lindore dhe Qendrore, përndryshe Ballkani Perëndimor do të mbetet përgjithmonë periferia më e pazhvilluar e Europës ", përfundoi Savkoviç.

Nga ana tjetër, Serbia ka nënshkruar një plan individual partneriteti dhe po vazhdon bashkëpunimin brenda këtij kuadri. Rreth një muaj më parë, Serbia dhe  NATO mbajtën disa stërvitje të mëdha ushtarake, në rrethinat e Beogradit. Qëllimi i ushtrimeve ushtarake është përmirësimi i operacioneve ndërkombëtare, në rast fatkeqësie natyrore “, thuhej në njoftimin zyrtar të NATO-s, i cili përcaktonte se stërvitja simuloi një situatë tërmeti. Për shumicën e ekspertëve, zgjedhja e Serbisë për stërvitjet ushtarake të NATO-s, aleati më i madh i Rusisë në Ballkan, është një lëvizje strategjike e aleancës transaltantike për të treguar kontrollin që ka në rajon. Përfaqësuesit e aleancës theksojnë gjithashtu se vitin e kaluar NATO trajnoi 1,250 anëtarë të ushtrisë serbe dhe se kjo e fundit mori pjesë në 20 ushtrime nën patronazhin e aleancës.

Por përsa u perspektivave të NATO-s për Kosovën, Savkoviq argumentoi se krijimi i ushtrisë kombëtare do të sjellë mjaft pengesa në rrugën e Prishtinës drejt aleancës ushtarake, pasi transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës është kundërshtuar ashpër Serbia dhe përfaqësuesit politikë të pakicës serbe. Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar tri projektligjet e propozuara nga qeveria për transformimin e FSK-së, e cila do të shndërrohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshi edhe përgjegjësi mbrojtjeje, por pa prekur emrin e saj. Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është miratuar me 101 vota dhe u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare, përveç deputetëve të “Listës Serbe”.

Por pas votimit në parlament ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, deklaroi se ushtria e Kosovës po krijohet për të kërcënuar serbët dhe Serbinë. Sipas tij, përderisa Rezoluta 12/44 është ende në fuqi, shteti i Kosovës nuk mund të krijojë ushtrinë e saj.

Nga ana tjetër, pas një kundërshtimi të gjatë, NATO është shprehur pro planeve për fuqizimin e Forcave së Sigurisë së Kosovës, edhe pse ka vendosur disa kushte. Aleanca ka deklaruar se mbështet zhvillimin e vazhdueshëm të FSK-së, por se ndryshimet e mëdha duhet të konsultohen me të gjitha komunitetet e prekura dhe me NATO-n. “Është e rëndësishme që çdo iniciativë lidhur me mandatin e Forcave të Sigurisë së Kosovës të konsultohet plotësisht me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me aleatët e NATO-s,” thanë përfaqësues të NATO-s disa ditë më parë për BIRN.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë