Treg

Çdo 30 minuta një avion në Rinas. I fundit mbërrin në 16:40

Mbi 20 mijë tifozë po vijnë në Shqipëri nga rrugë detare dhe ajrore për finalen e Ligës së Konferencës. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, kanë mbërritur tashmë.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku tha se dje (24 maj) kanë ardhur në Tiranë 146 avionë ndërsa i fundit në Rinas pritet të mbërrijë sot në orën 16:40.

Sipas “Supersport” për këtë fluks fluturimesh nga Roma drejt Rinasit, nga ora 7 e mëngjesit të sotëm nga aeroporti Fumicino i kryeqytetit italian ngrihen çdo 30 minuta avionët charter, që sjellin në Shqipëri fansat verdhekuq.

Drejtori i Aeroportit të Tiranës, Costandin von Albensleben deklaroi se do të kishte 176 fluturime, nga të cilët 54 janë vetëm me tifozë.

Ai u shpreh për mediat se kapacitet e aeroportit janë dyfish më të vogla nga se do të mbajnë këto dy ditë.

“Ne jemi në fazën e implementimit, përgatitjet kanë nisur që në mars në bashkëpunim me UEFA-n, policinë dhe ALBcontrol. Sot Aeroportit të Tiranës i kërkohet të ofrojë 2 herë e gjysmë kapacitet të kushteve normale. Mund të vendosi në stenda 17 avionë, nesër na kërkohet të kemi 42 avionë, imagjinoni se çfarë ngarkese do ketë.

Presim operime normale për avionët e skeduluar. Kemi krijuar një ekip tjetër që do të merret vetëm me fluturimet charter. Kemi ngritur dy grupe policia që do merren me sigurinë dhe grupi tjetër vendosur në Albcontrol, me pritjen dhe transferimin e pasagjerëve”, tha ai dje.

Ndërsa kryeministri Edi Rama postoi në Facebook foto të trageteve që kanë mbërritur në Shqipëri dhe avionëve nga Aeroporti i Rinasit duke shkruar se mysafirët po vijnë sipas një protokolli me standardet më të larta të sigurisë, që mban në gatishmëri të gjitha strukturat doganore e policore në Rinas në Durrës dhe Tiranë.

Nga ana tjetër, tifozë italianë pritet të hyjë në Shqipëri përmes rrugëve tokësore, nga Kosova apo nga Mali i Zi.

Një pjesë e tyre kanë parapëlqyer të udhëtojnë nga Italia në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi për të hyrë më pas në Shkodër, me destinacion final kryeqytetin.

Mesatarja e fluturimeve në ditë në TIA është 110-120 ndërsa 24 dhe 25 maji do të shënojnë ditët më të ngarkuara të aeroportit me 318 fluturime në total.

Ndërkohë operatorët turistikë shprehen se ky është një shans shumë i mirë për turizmin shqiptar dhe promovimin e tij. Ata presin që tifozët të rikthehen sërish si turistë në vitet në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë