Shendet

Ç’dimë për vaksinat kineze dhe efikasitetin e tyre

Kina regjistron pesë vaksina anti-Covid tashmë në përdorim, por kompanitë e saj farmaceutike (“Sinopharm”, “Sinovac” dhe “CanSino”), nuk kanë ende të dhëna të plota mbi rezultatet klinike të Fazës III të këtyre produkteve kundër koronavirusit dhe asnjë e dhënë për këtë fazë nuk është publikuar akoma në ndonjë  revistë shkencore.

Pothuajse të gjitha kanë një teknologji të ndryshme nga vaksinat me bazë ARN-je (të tilla si “Pfizer” dhe “Moderna”) dhe vektorët viralë që nuk përsëriten (të tilla si “AstraZeneca”, “Janssen” dhe “Sputnik”): tre prej tyre janë me bazë në viruse jo aktive dhe një bazuar në proteina rikombinuese (“Novavax”).

Kush i përdor vaksinat kineze

Efektiviteti i tyre, është vlerësuar "në terren", në Kinë ose në vende të tjera, duke pasur parasysh që vaksinat kineze tani janë miratuar në më shumë se 60 shtete (përfshirë Serbinë, Poloninë dhe Hungarinë). Ato janë shumë të kërkuara, veçanërisht midis kombeve me të ardhura të ulëta që nuk janë në gjendje të blejnë kandidatë të tjerë.

Industria kombëtare farmaceutike kineze është e aftë të prodhojë dy miliardë doza në vit dhe përkundër fushatës së ngadaltë të vaksinimit në Kinë (që nga 7 prilli, të paktën 149 milionë kinezë kanë marrë një injeksion, me  një popullsi prej 1.4 miliardë), vendi aziatik po dërgon dhjetëra miliona doza jashtë vendit.

"Efikasitet jo i lartë"

Por çfarë dimë vërtet për pesë vaksinat kineze të miratuara? Shumica e lajmeve vijnë nga njoftimet nga prodhuesit dhe nga qeveritë e vendeve ku kryhen testet.

Kohët e fundit, një lajm alarmues, i tërhequr pjesërisht, erdhi nga kreu i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), i cili pranoi se efektiviteti i vaksinave kineze të koronavirusit "nuk është i lartë" dhe se kjo mund të nënkuptojë se për disa "përmirësime” do të jetë e nevojshme.

Hapat për të rritur efektivitetin e vaksinave kineze, mund të përfshijnë: ndryshimin e sasisë së vaksinës së administruar, numrin e dozave që do të administrohen, intervalin kohor midis dozave ose llojin e vaksinave të administruara.

Dhe sipas “Wall Street Journal”, Kina po planifikon të miratojë vaksinën e saj të parë të huaj Covid-19 përpara korrikut dhe ajo do të jetë e “Pfizer”.

Këto janë pesë vaksinat dhe të dhënat për të cilat ne dimë.

Dy vaksina “Sinopharm”

Në pronësi të shtetit kinez, “Sinopharm” ka prodhuar dy vaksina (BBIBP-CorV dhe New Crown Covid-19), bazuar në viruse jo aktive.

Njëra nga këto dy vaksina u krijua nga Instituti i Produkteve Biologjike në Wuhan. Ato bëhen nga viruse që vriten dhe përzihen me një ndihmës (hidroksid alumini) para se të injektohen tek pacientët.

Kjo siguron përgjigjen imune, por nuk shkakton ndonjë infeksion. Të dyja vaksinat, kanë nevojë për dy doza me 21 ditë larg dhe nuk kërkojnë frigoriferë të veçantë për ruajtje.

“Sinopharm”, tha në dhjetor (pa lëshuar ndonjë të dhënë) se vaksina e saj e parë ishte 79% efektive në drejtim të parandalimit simptomatik, bazuar në të dhënat provizore të Fazës III.

Kandidati është duke u testuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein, Egjipt, Jordani dhe Peru. Më 9 dhjetor, Emiratet e Bashkuara Arabe dhanë miratimin e plotë, duke njoftuar një normë efikasiteti prej 86 përqind, por muajin e kaluar, shpërndarësi nga Emiratet e Bashkuara Arabe, i vaksinave “Sinopharm”, tha se po planifikonte një dozë të tretë përveç regjimit standard me dy doza për "pak njerëz", tek të cilët vaksina nuk kishte rezultuar efikase.

Gjiganti farmaceutik shtetëror, gjithashtu tha (në mars) se po shqyrtonte nëse do të përfshinte dozën e tretë përforcuese në procedurën standarde të administrimit.

E njëjta kompani farmaceutike, tha që vaksina e dytë (ajo e prodhuar nga instituti në Wuhan) është pak më pak efektive: me 72.5% dhe ka njoftuar se do të fillojë provat klinike mbi një kandidat të tretë shtesë.

“CoronaVac”

“Sinovac Biotech”, një kompani private kineze, në bashkëpunim me Institutin Butantan të Sao Paulos në Brazil, ka zhvilluar një vaksinë të virusit jo aktiv të quajtur “CoronaVac”.

Ky kandidat, gjithashtu kërkon dy doza administrimi dhe frigoriferë normalë për ruajtje. Provat e Fazës III kanë filluar në Brazil, Indonezi dhe Turqi.

Zyrtarët brazilianë, thanë në janar, se shkalla e efektivitetit të vaksinës “CoronaVac”, ishte pak më shumë se 50%, që është pragu që Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar për përdorim të përgjithësuar.

Vetëm më 11 prill, u publikua një studim paraprak në lidhje me të dhënat e përgjithshme të Fazës III në Brazil (midis 21 korrikut dhe 16 dhjetorit 2020, 12.396 pjesëmarrës), që raportoi një efektivitet të përgjithshëm kundër Covidit simptomatik, prej 50.7%, një efikasitet dytësor kundër rasteve që kërkojnë ndihmë prej 83.7% dhe në raste të moderuara dhe të rënda, efikasitet 100%.

Vaksina “CoronaVac” do të ishte, në terma negativë, një nga faktorët përgjegjës për "paradoksin kilian": një shtet që mahniti botën për shpejtësinë e fushatës së saj të vaksinimit masiv (që e vendosi atë në vendin e katërt në botë sa i takon injektimeve), përballë një infeksioni që vazhdon të përhapet me ritme rekord, veçanërisht tek të rinjtë dhe në njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve me një mesatare prej 95%.

Një studim i kryer nga studiuesit në Universidad de Kile mbi rezultatet e fushatës së vaksinimit, arriti në përfundimin se mbrojtja e vaksinës kineze ka ndaluar në 54%: mesatarisht 56.5% dy javë pas administrimit të të dy dozave të planifikuara dhe vetëm 3% pas dozës së parë.

Në janar, autoritetet në Indonezi thanë se vaksina ishte 65% efektive. Ndërsa në Turqi, efektiviteti do të kishte qenë më i lartë, me 80%.

“CanSinoBIO”

Kompania kineze “CanSino Biologics”, ka zhvilluar një vaksinë (Ad5-nCoV) bazuar në një adenovirus të quajtur Ad5 në bashkëpunim me Institutin e Biologjisë të Akademisë së Shkencave Mjekësore Ushtarake të vendit.

Vaksina është një vektor viral jo-replikues (si “AstraZeneca”, “Janssen”, “CanSino” dhe “Sputnik”) dhe nevojitet vetëm një dozë.

Nuk kërkon frigoriferë të veçantë për ruajtje. Në korrik, rezultatet e studimit të Fazës II, u publikuan në revistën “Lancet”, duke treguar se vaksina prodhoi një përgjigje të fortë imune.

Vaksina është duke u testuar në Argjentinë, Kili, Meksikë, Rusi dhe Pakistan. Sipas zyrtarëve pakistanezë, doza e vetme e “CanSinoBIO” është 75% efektive.

“Anhui Zhifei Longcom”

Kandidati i pestë i vaksinës, vjen nga një kompani farmaceutike e quajtur “Anhui Zhifei Longcom”. Kërkon tre doza dhe përdor proteina rikombinuese bazuar në domenin e lidhjes së receptorëve të virusit SARS-CoV-2 (siç është Novavax).

Mund të mbahet në frigoriferë normalë. Të dhënat e fazës I dhe II për “Anhui”-n, të publikuara në mars, kanë treguar imunitet në shumicën e pacientëve dhe se vaksina ishte përgjithësisht e sigurt, me pak efekte anësore negative. Prova e Fazës III me 29,000 vullnetarë ka filluar në dhjetor.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë