Ne rrjet

Çavusoglu: Gylenistët kanë lidhje politike në Shqipëri!

Pasi Shqipëria refuzoi ekstradimin e të gjithë shtetasve turq të lidhur me klerikun Fetullah Gulen, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu ka hedhur disa akuza të ndjeshme ndaj Tiranës zyrtare, duke thënë se FETO ka ndikim politik në vendin tonë.

Gjatë vizitës zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë, shefi i diplomacisë turke kërkoi publikisht  “kokat” e personave të kërkuar të FETO-s në Turqi, duke theksuar se Ankaraja pret “që të mbyllen institucionet antiturke në Shqipëri dhe Kosovë”. Përgjigja e qeverisë shqiptare ishte se Tirana është pjesë e disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se ekstradimet i vendos në bazë vetëm të këtyre marrëveshjeve. Një qëndrim i ngjashëm u mbaj edhe nga Prishtina zyrtare , e cila u përfshi disa muaj më parë në një dramë të vërtetë politike me Ankaranë.

Edhe pse qëllimi i vizitës së Çavuşoğlut në Ballkan u bë i qartë që kur vizitoi një universitet privat në Shqipëri, ministri turk ka dhënë një intervistë për mediat në Stamboll, ku paralajmëron se FETO ka një ndikim jo vetëm në arsimin por edhe politikën shqiptare.  “Ne u kemi thënë se FETO është qartazi shumë e fuqishme në Shqipëri dhe ka njëfarë ndikimi në politikë. E shohim këtë gjë. Edhe në Kosovë është e njëjta. E kemi parë këtë gjatë disa zhvillimeve”, shprehet ai në një intervistë për “Anadoly Agency”. “Ua kemi komunikuar mendimet tona të dyja këtyre vendeve vëllazërore. U kemi shpjeguar se ajo përbën kërcënim, rrezik jo vetëm për ne, por edhe për to, dhe shfaq rreziqe të mëdha edhe në të ardhmen”.

Ministrit i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Ditmir Bushati

Kjo intervistë ishte një vazhdimësi e qëndrimeve të kreut të diplomacisë turke në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ku Çavuşoğlu foli për një strukturë gyleniste të gjerë e të shtrirë në të gjitha fushat, që sipas tij përbën rrezik jo vetëm për Turqinë, por edhe për vetë shtetin shqiptar. “E dimë sesi veprojnë ata. E dimë që janë elementë të Fetos dhe presim veprim nga Shqipëria mike. Të mbyllen institucionet që zhvillojnë veprimtari antiturke në Shqipëri. Ata mund të bëjnë çdo gjë. Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që mund të vijë nga Shqipëria dhe këtë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”, tha ministri i Jashtëm turk. “Ka një strukturë fetoiste tepër të fortë në Shqipëri, në çdo fushë dhe si në vendet e tjera përdorin sistemin arsimor dhe kanë depërtuar mirë në sistemin shtetëror. Kanë hedhur, por nuk mund të hedhin më hapa të tjerë. Është një kërcënim edhe kundër Turqisë. Kjo organizatë është kërcënim serioz edhe për Shqipërinë”, deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm theksoi edhe njëherë se Turqia pret mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve mbarëbotërore të lidhura me FETO dhe pasuesit  e Fetullah Gulen.  Turqia ndërmori një betejë të vërtetë për arsimin pasi themeloi Fondacionin Maarif (TMV) në vitin 2016 për të marrë përsipër administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n. Gjatë viziës zyrtarë në Tiranë, Çavuşoğlu njoftoi gjithashtu se ky fondacion do të themelonte disa shkolla dhe qendra edukimi të reja një vendin tonë. “Fondacioni Marif meqë pa rrezikun e Fetos ose do të marrë shkollat ekzistuese, ose do të hapë vetë shkollat e veta në Shqipëri”, deklaroi ai.

Edhe pse një sërë kolegjesh dhe universitetesh në Shqipëri ishin nën kontrollin e Fetullah Gulenit, universiteti dhe kolegji më i madh në vend ka kaluar tanimë nën kontrollin e fondacionit  Marif.   Ky zhvillim vjen pak kohë pas presidentit turk, Erdogan bëri thirrje që kolegjet dhe universitetet turke të cilat janë të Gulen, nuk duhet të kontrollohen nga “terroristët”. Erdogan tha se qeveria turke ishte e gatshme t’i merrte këto institucione arsimore dhe fondacione dhe ti vendoste në kontrollin e saj.

Ministrit i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Presidenti Erdogan

“Fondacioni Maarif mori administrimin e një universiteti shumë të mirë në Shqipëri dhe shpresoj të ndërtojmë një kampus të ri. Tashmë në Maqedoni është hapur kampusi i ri i Universitetit Ndërkomëtar Ballkanik, është tejet i bukur. Nga ana tjetër, shpresojmë që në Kosovë të hapim universitet. Atje janë hapur shkolla të Fondacionit Maarif. Kryeministri vizitoi shkollat e Fondacionit Maarif në Kosovë dhe tha se e vlerëson cilësinë e tyre të arsimit”, thotë Çavuşoğlu për “Anadoly Agency”.

Ministri thekson edhe njëherë se Turqia është zotuar të zhvillojë luftë globale kundër organizatës së Fetullah Gulen pas tentativës për grusht shteti. “Së paku 30 vende kanë mbyllur shkollat, institucionet dhe shoqatat e FETO-s deri më tani dhe Fondacioni Maarif ka marrë në kompetenca të saj këto shkolla në pothuajse 20 vende”, shtoi ai.

Fondacioni “Maarif” shihet si instrumenti i presidentit Erdogan për të luftuar rrjetin e shkollave që hapte Fethullah Gülen. Ashtu si e sinjalizoi edhe ministri i Jashtëm turk, nëpërmjet “Maarif”, Erdogan kërkon të luftojë influencën e klerikut, ç’ka tregon qartë qëllimin për përdorimin ideologjik dhe shtrirjen e influencës së Erdoganit në vende si Shqipëria. Nga një vëzhgim i thjeshtë në faqen e “Maarif”  bien në sy disa shkolla në Kosovë, Maqedoni, Bosjne-Hercegovinë, në Afrikë, në Azi, por edhe në SHBA.

Edi Rama dhePresidenti Erdogan 

Ankaraja zyrtare i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme shqiptare verifikimin e disa institucioneve jopublike në Shqipëri, dy vite më parë, duke deklaruar se qeveria turke ka dyshime se ato janë financuar nga Fetullah Gylen. Pjesë e listës që i është përcjellë Ministrisë së Brendshme, përmes ambasadës turke në Tiranë, janë institucione të ndryshme jo publike; si kopshte, shkolla të mesme e universitete, OJF, fondacione të ndryshme, banka të nivelit të dytë apo edhe agjenci informative. Në këtë shkresë, autoritetet turke kërkojnë që të verifikohet aktiviteti i këtyre institucioneve jo publike në Shqipëri, pasi dyshohet se janë ngritur nga kleriku Fetulah Gylen. Shkollat që Turqia kishte piketuar në listën e dy viteve më parë ishin edhe Medresetë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Turqia kërkon gjithashtu edhe kolegjet turke në Shqipëri, si kopshti “Mehmet Akif”, shkollat fillore dhe te mesme, për djem dhe për vajza, Kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal” në Tiranë dhe Durrës.

Ditmir Bushati tha se përgjigja e shtetit shqiptar ka qenë mbështetja, dënimi dhe solidarizimi me ato që ndodhën në korrikun e 2016-s, por shtoi se Tirana është pjesë e disa marrëveshjeve ndërkombëtare dhe se ekstradimet i vendos në bazë vetëm të këtyre marrëveshjeve. “Shqipëria është solidarizuar me çka ndodhi në rrethanat e grushtit të shtetit, por është edhe vend anëtar i NATO-s, kandidat për në BE, aderon në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtarë në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe jo në konferenca shtypi”, u shpreh kryediplomati shqiptar.

Por, Turqia nga ana tjetër pretendon se lista me emrat që kërkon të ekstradohen është dorëzuar plotësisht sipas rregullave ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë